Nuk është e lehtë të përshkruash ecurinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës, kryesisht, këtyre dekadave të fundit. Si të gjitha zhvillimet e tjera, të ndodhura në të dy anët e kufirit, edhe këto marrëdhënie kanë pasur ulje - ngritjet e luhatura mes dashurisë së ndezur dhe ftohjes deri në moskomunikim, dyshimeve, hatërmbetjeve, akuzave dhe kundërakuzave, të shfaqura hapur mes klasës politike, por të reflektuara si të tilla edhe mes shtresave të tjera të shoqërisë.
Nuk është e lehtë të përshkruash ecurinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës, kryesisht, këtyre dekadave të fundit. Si të gjitha zhvillimet e tjera, të ndodhura në të dy anët e kufirit, edhe këto marrëdhënie kanë pasur ulje - ngritjet e luhatura mes dashurisë së ndezur dhe ftohjes deri në moskomunikim, dyshimeve, hatërmbetjeve, akuzave dhe kundërakuzave, të shfaqura hapur mes klasës politike, por të reflektuara si të tilla edhe mes shtresave të tjera të shoqërisë. Në një vështrim të përgjithshëm, ajo që dallon si gjurmë e vazhdueshme në këto marrëdhënie është ndjesia e një moskuptimi, mospranimi apo edhe mosrefuzimi, që të dy palët - këtej dhe andej kufirit - i kanë bërë herë pas here njëri-tjetrit. “E kaluara, e shënjuar nga një izolim i gjatë dhe mungesë të theksuar komunikimi mes të dy shoqërive, ende hedh hijen e saj negative në marrëdhëniet e reja në zhvillim midis Shqipërisë dhe Kosovës, duke i bërë ato disi të vështira” (Sulçebe, 2015). Një panoramë e tillë, natyrshëm që nxit pyetjen se çfarë e ka penguar shoqërinë në Shqipëri dhe Kosovë të zhvillojë një marrëdhënieje normale, pa pengesa, moskuptime, barriera dhe kufij? Një analizë e thelluar e këtyre marrëdhënieve, e parë kjo në fusha të veçanta, do të zbulonte, padyshim, problematika të ndryshme. Shpjegimet dhe përfundimet do të ishin sa të karakterit politik apo interesit ekonomik, po aq edhe të karakterit historik dhe kulturor.
Marrëdhënia midis Kosovës dhe Shqipërisë ka historinë e saj, e cila luan, padyshim, një rol të rëndësishëm jo vetëm në atë se çfarë ndodh sot midis dy shteteve, por edhe në atë se çfarë projektohet për të ardhmen e tyre. “Gjatë Luftës së Dytë Botërore Shqipëria dhe Kosova përjetuan një periudhë të shkurtër unifikimi (1941-1944). Edhe pse bashkimi ishte një produkt i dinamikës gjeopolitike e fuqive të boshtit në Evropë, kjo konsiderohet si e vetmja periudhë kur dy vendet u bashkuan nën një shtet të centralizuar shqiptar”. (Sulçebe, 2015)
Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë periudhë 1948 - 1990, tema e Kosovës ka shërbyer vetëm për të mbajtur gjallë retorikën nacionaliste, që pushteti i Hoxhës e përdorte më shumë për konsum të brendshëm politik se sa në funksion të interesit dhe nevojës për të ndryshuar realitetin e shqiptarëve në Kosovë. Gjithsesi, problematikat, qoftë ato të shtrira në rrafshin horizontal të kohës, qoftë ato të shtresuara vertikalisht, si probleme të krijuara nga marrëdhënie në fusha dhe sektorë të ndryshëm, e kanë një pikë nga ku mund të kuptohet dhe shpjegohet natyra e problemeve dhe luhatjeve në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Edhe pse mund të duket e çuditshme, por një përgjigje të këtyre problemeve mund ta gjejmë përmes një analize kulturologjike.
Slogani “Një komb, një gjuhë, një flamur!”, i shpalosur si shprehje e një qëndrimi dhe dëshire popullore, është shprehja më e mirë jo vetëm e historisë sonë të përbashkët, por edhe perspektivës për një bashkim të mundshëm mes dy shteteve. Ndërkohë që togfjalëshi “një gjuhë” është vendosur brenda këtij slogani si një fakt dhe garanci i synimit për të bërë bashkë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Por a mjafton historia, kultura apo edhe gjuha e njëjtë midis dy popullatave për të ndërtuar marrëdhënie të mira dhe për më tepër për të aspiruar bashkimin nën një flamur? Historia e shoqërisë njerëzore ka shembuj të shumtë ku tregohet se popuj që edhe pse kanë folur të njëjtën gjuhë, janë përfshirë, herë pas here, në konflikte madje edhe të përgjakshme si rasti i kroatëve me serbët, rusët me ukrainasit apo edhe konfliktet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme.
Gjithsesi, rasti i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka asgjë të ngjashme me historinë e këtyre kombeve. Çështja që po shqyrtojmë ka të bëjë me nevojën për të identifikuar problemet që pengojnë normalitetin dhe zhvillimet e dëshiruara midis Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndryshe nga marrëdhëniet politike, ekonomike, ushtarake, akademike apo në fushat e tjera, që janë zhvilluar në varësi të konjukturave gjeopolitike, marrëdhëniet kulturore midis Kosovës dhe Shqipërisë janë zhvilluar përmes një dinamike shumë specifike. Në pjesën dërmuese të analizave apo diskutimeve mbi marrëdhëniet kulturore midis Shqipërisë dhe Kosovës, janë marrë në shqyrtim veprimtaritë e institucioneve qendrore apo vendore të artit, në të dyja anët e kufirit. Ndërkohë që në analizën e marrëdhënieve kulturore nuk është përfshirë asnjëherë perceptimi apo imazhi që shqiptarët, në Kosovë dhe Shqipëri, kanë krijuar, ndër vite, për njëri-tjetrin. Aftësia për të krijuar perceptime dhe imazhe për njëri-tjetrin është një aftësi e cila lind bashkë me qenien njerëzore dhe e shoqëron atë në çdo hap të komunikimit të tij me botën që e rrethon. Në ndërtimin e perceptimeve apo imazheve që krijojmë për njëri-tjetrin, një rol të dorës së parë luan, padyshim, arti, kryesisht letërsia, teatri dhe kinematografia. Për dekada të tëra, në kushtet e një mungese të plotë komunikimi midis dy pjesëve të popullatës shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, veprat e artit kanë shërbyer si e vetmja mundësi përmes të cilës kemi mundur të ndërtojmë imazhet, perceptimet dhe përfytyrimet tona.
Një fakt i vërtetë është se gati në të gjitha veprat e artit, duke filluar prej poezisë apo këngës e deri te gjinitë e mëdha të artit, që prekin temën e Kosovës, fati i saj apo i shqiptarëve atje vjen i shoqëruar gjithnjë me imazhet e pushtuesit serb. Në jo pak raste dhimbja dhe drama e Kosovës perceptohet edhe prej përshkrimit të dhunës dhe mizorive të pushtuesit. Në këtë kuptim, imazhet dhe perceptimet për Kosovën e kanë marrë formën e plotë vetëm duke u plotësuar edhe me imazhin e “Tjetri” ose të “Huaji”, d.m.th. të pushtuesit serb. Çështja që ngre ky shkrim nuk ka të bëjë me pyetjen se sa përkojnë imazhet e ndërtuar prej artit me thelbin e vërtetë të popullatës shqiptare në Kosovë apo në Shqipëri. Çështja ka të bëjë me pyetjen nëse mundet që imazhe dhe perceptime që vijnë prej realitetesh tashmë të tejkaluara të shërbejnë si bazë mbi të cilat të ndërtojmë marrëdhëniet e një kohe ndryshe dhe për më tepër të duam të projektojmë një të ardhme të përbashkët?Realiteti i ri politik në Kosovë, çlirimi dhe fitorja e pavarësisë, përpos ndryshimeve të tjera, ka rrëzuar edhe imazhin e “Tjetrit” që ka pas shoqëruar imazhin e Kosovës në perceptimin tonë duke nxjerrë në pah nevojën për një imazh dhe perceptim të ri për Kosovën dhe shqiptarët e saj.
Imazhet dhe perceptimet që krijohen përmes veprave të artit janë fenomene dhe dukuri të cilat kanë qenë shpesh objekt i studimeve të ndryshme kulturore. Gjatë mesit të shekullit të kaluar, në Francë, Holandë, Belgjikë dhe Gjermani, një disiplinë e re shkencore, e njohur si “imazhologji” u pranua si një disiplinë, mirëfilli shkencore, brenda fushës së letërsisë së krahasuar. Sipas Masja Horn “Imagologjia, studimi i perceptimeve dhe imazheve ndërkombëtare të shprehura në ligjërimin letrar, ka qenë për shumë dekada një nga degët më sfiduese dhe më premtuese të Letërsisë Krahasuese dhe Studimeve Kulturore. Fokusi i saj qëndron në qëndrimet, stereotipat dhe paragjykimet për karakteret tona kombëtare dhe të të tjerëve; qëndrimet që rregullojnë retorikën tonë, përfaqësimin diskursiv, veprimtarinë letrare dhe - në fund të fundit - marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi.”
Marius-François Guyard në librin e tij “La Literature comparé” botuar në vitin 1951, ka analizuar disa romane ku një pjesë e personazheve janë me kombësi të ndryshme prej asaj të autorit të romanit. Vetë titulli, "L'étranger tel qu'on le voit", i kapitullit që Guyard, në këtë libër, i kushton temës së imazhologjisë, shpjegon se autori i shikon imazhet dhe perceptimet si përfaqësime dhe jo si mbartëse të esencave kombëtare. Kjo qasje e Guyard nënvizohet edhe prej profesorit të studimeve europiane në Universitetin e Amsterdamit, Joep Leerssen kur shkruan se "imazhet që studiohen shihen si veti të teksteve, si prodhim intelektual i një diskursi". Përfshirja në debatin mbi perceptimet dhe imazhet e prodhuara prej letërsisë e përfaqësuesve më në zë të shkollës amerikane si René Wellek, një figurë ky e rëndësishme e letërsisë krahasuese amerikane, solli një përçarje midis shkollave amerikane dhe franceze të letërsisë krahasuese, e cila kufizoi disi hovin e studimeve në fushën e imagologjisë. Ndërkohë, në Evropë studimet në këtë fushë vazhduan të luajnë një rol të rëndësishëm. Koncepti i “Tjetrit” apo i “Huaji” kanë nxitur debatin mbi disa prej temave dhe çështjeve më të rëndësishme të shekullit XX. Shkrime dhe studime të rëndësishme si “Orientalizmi”, i Edward Said, “Seksi i Dytë” i Simone de Beauvoir, “Lëkurë e Zezë, Maskë e Bardhë” i Frantz Fanon, “Writing and Difference” i Jacques Derrida, apo studimet e Mikhail Bakhtin mbi shkrimtarin francez Francois Rabelais; “Rabelais dhe Bota e Tij”, kanë vendosur themelet e studimeve postkoloniale, interpretimin e çështjeve gjinore, studimeve mbi racat, si edhe kanë nxitur teori të ndryshme letrare.
Sa i përket veprave të artit të realizuara në Shqipëri, nuk ekziston ende ndonjë studim shterues ku të jetë hulumtuar mbi perceptimet dhe imazhet e prodhuara prej veprave të artit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për artin dhe letërsinë e prodhuar në Kosovë, edhe pse duhet pranuar që në krye të herës se kushtet dhe rrethanat e krijuesve në Kosovë nuk kanë qenë të njëjta me ato të krijuesve në Shqipëri.
Letërsia shqipe e shkruar në Kosovë para pavarësisë është produkt i situatave politike në të cilat ka kaluar vendi. Edhe pse kushtetuta e vitit 1974 i lejonte shkrimtarët dhe artistët në Kosovë të përdornin gjuhën shqipe, diskriminimi dhe rreptësia e pushtetit serb nuk e ka lejuar këtë gjeneratë shkrimtarësh shqiptarë që të zgjedhë lirshëm dhe të shkruajë për tema që i konsideronte të rëndësishme. Për këtë arsye as Shqipëria dhe as shqiptarët që jetonin brenda territorit të Shqipërisë nuk gjenden të përfshirë në letërsinë dhe artin e prodhuar në Kosovë. Kjo mungesë ka bërë që këtij arti dhe letërsie t’i mungojnë imazhet që do të duhej të transmetonte si perceptime për Shqipërinë dhe shqiptarët e anës tjetër të kufirit.
Artistët dhe krijuesit e Kosovës, në mungesë të lirisë për të zgjedhur temat e duhura, ditën të shfrytëzojnë lirinë estetike. Një brez poetësh si Esad Mekuli, Din Mehmeti, Besim Bokshi, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Eqerem Basha, Sabri Hamiti etj sollën në letërsinë shqipe të prodhuar në Kosovë një poezi më eksperimentale dhe më moderne se ajo që shkruhej në Shqipëri gjatë viteve të pushtetit komunist. I njëjti fenomen dallon edhe te proza apo krijimtaria skenike.
Edhe proza e shkruar në Kosovë nuk ka mundur t’i shpëtonte një mungese të tillë duke gjetur u zhvilluar në dy drejtime kryesore: drejtimi modernist përmes veprës simbolike dhe me elementë postmoderne si në rastin e veprës së Anton Pashkut, Rexhep Qosjes dhe Musa Ramadanit; si edhe trajtimin e temave sociale që e shohim në prozën e Hivzi Sylejmanit, Nazmi Rrahmani apo Zejnullah Rrahmanit.
Ndërkohë, siç edhe shkruan studiuesi Ali Aliu, në harmoni me këto dy zhanre kryesore, lirika dhe epika, u zhvillua edhe dramaturgjia ku autorë si Teki Dervishi apo Rexhep Qosja tentuan përmes miteve e mitologjive universale, nga mitologjia jonë dhe personalitete nga e kaluara ilirike, të shtronin kryesisht probleme etike dhe psikologjike me gjasme aktuale. (Aliu, 2012)
Duke e përmbledhur, mund të themi se arti dhe letërsia e prodhuar në Kosovë nuk ka mundur të prodhojë imazhe dhe perceptime as për Shqipërinë dhe as për shqiptarët e saj. Kjo shpjegon edhe arsyen se pse narrativa nacionaliste e pushtetit të Enver Hoxhës mbeti i vetmi burim nga ku qytetarët e Kosovës krijuan imazhe dhe perceptime për Shqipërinë dhe shqiptarët, imazhe që fatkeqësisht i ndeshim edhe sot në pjesë të ndryshme të popullatës së Kosovës.
Tërësisht i ndryshëm ka qenë realiteti krijues në Shqipëri kur vjen fjala për trajtimin e temës së Kosovës. Edhe pse e kontrolluar dhe në jo pak raste, në funksion të interesave të pushtetit, temën e Kosovës dhe fatin e shqiptarëve brenda saj e gjejmë të pasqyruar gati në të gjitha gjinitë e artit duke filluar nga poezia e deri te romani, opera, teatri dhe kinematografia. Sipas shkrimtarit gjakovar Halil Haxhosaj “Nuk ka poetë shqiptarë që nuk ka shkruar ndonjë varg për Kosovën… apo që nuk e ka trajtuar këtë temë në poetikën e vet. Më tej ai rendit disa prej poetëve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe që kanë shkruar për Kosovën, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, por edhe Zef Serembe, Hil Mosi, Asdreni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli… e deri edhe te poetët e rinj të brezit të poezisë bashkëkohore shqiptare. Halil Haxhosaj analizon gjithashtu edhe disa nga poezitë e Dritëro Agollit për Kosovën ku spikat figura e “atdheut të carë” si në vargun “O gur i carë më dysh me sëpatë” apo poezinë “Këngë për Kosovën”:
“Këngë e vargje thurin për Kosovën,
Për një gur, për kullat me frëngji.
Për Kosovën unë e pres dhe kokën,
E bëj gur themeli në shtëpi”
Ajo që dallon në të gjithë krijimtarinë poetike dedikuar Kosovës është dhimbja që përjetojnë poetët për fatin e Kosovës nën dhunën e pushtimit serb. Kjo dhimbje e transmetuar përmes gjuhës dhe figurave poetike ka prodhuar pikërisht imazhet për Kosovën dhe shqiptarët atje, shoqëruar gjithnjë nga imazhi i serbit si pushtues dhe dhunues. Këtë dikotomi në imazhin e Kosovës ku shpesh pjesa e imazhit të pushtuesit është bërë përcaktuese në perceptimin e imazhit të Kosovës apo shqiptarëve të saj e gjejmë gati në të gjitha krijimet kushtuar Kosovës. Edhe në ato raste ku mungon pushtuesi serb si në rastin e romanit “Lumi i vdekur” autori, Jakov Xoxe, e ka përballur familjen e Tafilajve, një familje kosovare të dëbuar nga pushtuesi serb, e cila bashkë me familjen e Shpiragajve dhe familjen e Koz Dynjasë përndiqen prej Suat bej Verdhoma, “Tjetri” që prodhoi letërsia e periudhës së propagandës komuniste.
Roli i letërsisë si një mekanizëm i cili udhëheq procesin e ndërtimit të perceptimeve dhe imazheve e thekson edhe akademiku dhe shkrimtari Mehmet Kraja. Me rastin e ribotimit të romanit “Krushqit janë të ngrirë” një roman ky dedikuar tërësisht Kosovës dhe ngjarjeve dramatike që shoqëruan demonstratat e vitit 1981 ai shkruan se Ismail Kadare “Në një kohë të ndjeshme të strukturimit të vetëdijes së kosovarëve, u hapi rrugë lidhjeve të tyre mbiideologjike dhe tejideologjike me shtetin amë, duke anashkaluar dhe minimizuar rolin e kufizimeve dhe të dasive botëkuptimore (madje edhe rajonale dhe krahinore), për krijimin e një tërësie kompakte nacionale” (Kraja, 2016). Edhe në këtë roman Kadareja i përcjell imazhet e tij te lexuesi duke i vendosur ato në dinamikë bashkëveprimi me imazhin e pushtuesit, d.m.th. “Tjetrit”. Edhe në një prej poezive të para të tij kushtuar Kosovës ku “Tjetri” nuk shfaqet drejtpërdrejtë, përsëri prezenca e tij vjen si shkak dhe arsye e pamundësisë për pasur një imazh më të gjatë, më të qartë, më të vërejtshëm, më pak të dhembshëm dhe më afër tij. “Mbi të gjitha, imazhi i Kadaresë për Kosovën, i ndërtuar në këtë poezi, shpreh edhe një situatë (politikisht dhe historikisht) konotative: në vitin 1966 vështrimi mbi Kosovën ishte i shpejtë, fluturues, ngarendës, ikës, pothuajse i pavërejtshëm, siç është vetë fluturimi i avionit nëpër një qiell të mbuluar me re. Imazhi është i shkurtër. Ai krijohet nga një pamje e paqartë, e rrëmujshme dhe e dhembshme në veten e saj, por që është disi e jashtme, e pamundshme që të futet brenda”. (Kraja, 2016)
Ndoshta mund të jetë e nxituar dalja në përfundimin se prezenca e vazhdueshme e “Tjetrit” pranë imazhit të Kosovës, si një entitet i huaj ka ndikuar në mënyrën se si e ka perceptuar lexuesi në Shqipëri imazhin e Kosovës dhe shqiptarëve atje. Fati dhe realiteti i ndryshëm, mungesa e komunikimit midis dy pjesëve të ndara, bashkëjetesa e Kosovës brenda një shteti si ish-Jugosllavia e formuar me kombe të ndryshme, disa liri dhe mundësi të munguara për shqiptarët e Shqipërisë të cilat për arsye dhe motive politike u ishin dhënë shqiptarëve në Kosovë, mund të jenë disa prej arsyeve se pse, herë pas here, edhe Kosova vetë është perceptuar si “Tjetri”. Madje mund të thuhet se në vepra të caktuara e ndesh gati hapur pranimin e perceptimit të shqiptarëve të Kosovës si “Tjetri”. Që në titullin “Poem Kosovar”, shkruar nga Mitrush Kuteli duket se autori e percepton popullatën e Kosovës si “kosovar” dhe jo “shqiptar”, ashtu si edhe vazhdojnë të identifikohen shqiptarët kudo që ata jetojnë. Në dy vargjet e para të Këngës së parë Kuteli shkruan.
Jam shqiptar
e kosovar:
duke pranuar një identitet të dyfishtë për shqiptarët në Kosovë. Mandej edhe pse përmes gjuhës së pushtuesit ai tregon se edhe pushtuesi serb e ka patur më lehtë ta identifikojë popullatën shqiptare në Kosovë me kombe të tjerë se sa si shqiptarë kur shkruan se:
Më thanë të ngrihem të ik
ku qielli puthet me dhenë;
Stamboll,
Anadoll,
e më tej.
Se vetëm andej
paska për ne
vend boll...
Në krahasimin e këtyre dy krijimeve për Kosovën është interesante qasja e autorëve, Kuteli dhe Kadare, ndaj emrave që kanë përdorur për personazhet e tyre. Te poema e Kutelit shohim se autori ka përdorur disa emra të zakonshëm dhe të përhapur në popullatën e Kosovës. “Emrin ma thonë Asim Qerim” dhe pak më poshtë, po te kënga e dytë; “…si shkoi Selmani, Hasani, Dani”. Një tjetër qasje dhe padyshim një kujdes të veçantë, tregon Kadare në emrat e personazheve të romanit “Krushqit janë të ngrirë”. Sipas akademikut Mehmet Kraja “Në qendër të rrëfimit të tij Kadareja vendos një galeri personazhesh imagjinare, por që, disa prej tyre, krijojnë ngjashmëri të qartë me personat realë. Çifti Teuta dhe Martin Shkreli asociativisht përfshijnë çiftin Sahadete dhe Esad Mekuli”. Në jo pak raste vjen i qartë synimi i Kadaresë për të ndërtuar imazhe dhe perceptime të shqiptarit si një personazh të huaj dhe të largët me historinë dhe kulturën e Lindjes. Jo vetëm emrat e personazheve, por çdo detaj, sado i vogël apo i parëndësishëm në dukje, të cilin autori ka vendosur ta rrëfejë në veprën e tij, perceptohet duke prodhuar imazhe qoftë për një personazh si individ apo grup njerëzish, banorët e një krahinë apo edhe të një kombi të tërë.
Disiplina e imazhologjisë, perceptimet dhe imazhet që arti dhe letërsia ka prodhuar për kombe të caktuara i ka emërtuar si “stereotipe” ose “etnotipe”. Referuar studiuesit belg Hugo Dyserinck, i cili shkruan se “Imagologjia krahasuese, si një studim i identitetit, duke ndjekur parimet e racionalizmit kritik, duhet të na kujtojë për një nga gjetjet e saj më të rëndësishme: “kombet” madje edhe “popujt” nuk janë konstante…, por vetëm modele konceptuale; modele të cilat në rrjedhën e historisë kanë marrë një konkretizim kalimtar” mund të themi se kjo vlen edhe për rastin e imazheve apo perceptimeve që krijohen për popuj dhe kombe të caktuar. Në disa prej momenteve më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar imazhi dhe perceptimi i prodhuar prej artit dhe letërsisë ka luajtur rol të rëndësishëm në rritjen dhe forcimin e elementëve që kanë lidhje me identitetin tonë kombëtar. Por duke i konsideruar këto imazhe si “modele konceptuale”, ato nuk janë “konstante” dhe si rrjedhojë nuk mund t’u përgjigjen realiteteve të reja politike, sociale apo ekonomike. Në këtë kuptim imazhi dhe perceptimi për Kosovën që prodhoi arti dhe kultura deri në momentin e pavarësisë mund të quhet i tejkaluar.
Dinamikat dhe sfidat e të dy vendeve kërkojnë padyshim ndërtimin e perceptimeve dhe imazheve të reja për njëri-tjetrin. Mjetet dhe format e ndërtimit të këtij imazhi mund të jenë të ndryshme edhe pse rruga më efikase në ndërtimin e këtij imazhi mbetet gjithnjë rruga përmes artit dhe kulturës. Mungesa e një vizioni dhe qëllimi të përbashkët për të shkuar drejt përmbushjes së kësaj nevoje ka bërë që marrëdhëniet kulturore midis dy vendeve të mos e kenë ende një shtrat të përbashkët për tu zhvilluar. Në kurthin e perceptimeve dhe imazheve të tejkaluara nuk ka mbetur vetëm marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë. Forma të ngurta, imazhe dhe perceptime të tjera të trashëguara nga e shkuara, ende mbajnë peng zhvillimin dhe transformimin e shoqërisë shqiptare.
Perceptime dhe imazhe që i kanë shërbyer situatave të caktuara apo që për më tepër kanë deformuar të vërtetat historike jo vetëm që nuk i shërbejnë më zhvillimit të shoqërisë, por bëhen edhe pengesë dhe burim keqkuptimesh. Të njohësh vetveten dhe të tjerët rreth teje, të ndërtosh për vetveten dhe të tjerët rreth teje imazhe dhe perceptime të sakta është një kusht i rëndësishëm për të ndërtuar dhe zhvilluar marrëdhënie të mira dhe të qëndrueshme. Duke analizuar esenë e shkruar nga Piro Misha me titull “Të njohësh vetveten”, akademiku Ali Aliu shkruan se “Janë dilemat dhe ngjarjet nga më të rëndësishmet në historinë tonë kombëtare, që njëkohësisht kanë lëvizur, mbase edhe kanë zhvendosur pamjen, fotografinë e shqiptarëve mbi vetveten, që e kanë përthyer bindjen, iluzionin tonë mbi vetveten dhe njëkohësisht edhe imazhin që të tjerët kanë sot për ne”.( Aliu, 2012)
Nevoja për të ridimensionuar perceptimet dhe përfytyrimet e shoqërisë shqiptare thërret për domosdoshmërinë e një orientimi të ri i cili do të duhet të udhëheqë të gjitha dinamikat e zhvillimeve kulturore brenda dhe jashtë Shqipërisë
Referenca
Aliu, A. (2012) Kënaqësia e Leximit: prozë, ese, monografi, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës
Dyserinck, H. (September 11, 2007): ‘Imagology and the Problem of Ethnic Identity.’ In:
Intercultural Studies, no.1., 2003. Op: http://www.interculturalstudies.org/ICS1/Dyserinck.shtml
Guyard, M.-F. (1951). L'étranger tel qu'on le voit. https://imagologica.eu/CMS/upload/guyard.pdf
Haxhosaj, H. (Qershor 12, 2020) Kosova në vargjet poetike të Dritëro Agollit, KultPlus.com https://www.kultplus.com/libri/kosova-ne-vargjet-poetike-te-dritero-agollit/
Horn, M. (1 January 1992). "Studia Imagologica". Brill. Retrieved 24 February 2024
Kraja, M. ( Janar 26, 2016) Si e ndihmoi Kadareja Kosovën në rrugë letrare dhe politike, Panorama.com https://www.panorama.com.al/si-e-ndihmoi-kadareja-kosoven-ne-rruge-letrare-dhe-politike/
Kuteli, M. (Qershor 12, 2020) Poem Kosovar, KultPlus.com https://www.kultplus.com/poezi/poem-kosovar-2/
Leerssen, L. (2007) Imagology: History and method, Imagology. In M. Beller (Ed.), The cultural construction and literary representation of national characters. A critical survey (pp.17-32) Amsterdam: Rodopi
Sulcebe, D. (2015) Konferenca: “Shqipëria dhe Kosova në kërkim të një të ardhmeje
të përbashkët”, AIIS, Friedrich Ebert Stiftung, Tiranë.