ENIS SULSTAROVA

Mirëmbajtja apo zhbërja e kufirit të imponuar?

Procesi i bashkimit politik të Republikës së Shqipërisë me Republikën e Kosovës, bashkëpunimi më i madh me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, kthimi i çamëve në trojet dhe pronat e veta në Greqi, të gjitha këto kanë të bëjnë me kufijtë shtetërorë që ndajnë kombin tonë,

Kufiri, bashkimi, integrimi

Procesi i bashkimit politik të Republikës së Shqipërisë me Republikën e Kosovës, bashkëpunimi më i madh me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, kthimi i çamëve në trojet dhe pronat e veta në Greqi, të gjitha këto kanë të bëjnë me kufijtë shtetërorë që ndajnë kombin tonë, që nga vendimi i Konferencës së Londrës dhe i vendimeve të mëvonshme që janë marrë për formimin dhe për prishjen e federatës jugosllave. Paralel me çështjen shqiptare kemi edhe procesin e integrimit evropian, në kuadër të të cilit kufijtë midis shteteve ndryshojnë funksionet e veta. Vendosja e kufirit në qendër të analizës së këtyre proceseve të njëkohshme dhe të ndërlidhura, na kërkon që të bëjmë dallimin midis dy roleve të tij. I pari është roli thelbësor i përcaktimit të autoritetit sovran në hapësirë. Ky rol nuk ndryshon me kalimin e kohës, sepse ai garanton funksionimin e shtetit dhe ofrimin e shërbimeve të tij ndaj qytetarëve: sigurinë, drejtësinë, lirinë për vetërealizim, mirëqenien shoqërore etj. Ndërsa roli i dytë i kufirit, që mund ta quajmë regjim, është i ndryshueshëm në varësi të rrethanave të brendshme dhe të jashtme. Regjimi mund të jetë i rreptë, p.sh. “kloni kufitar” i Shqipërisë gjatë sistemit komunist, që ishte një brez pranë vijë së kufirit  që ishte i shpyllëzuar e i pabanuari, i pajisur me tela me gjemba, me rrymë elektrike e sinjalizues dhe që patrullohej nga ushtarë e vullnetarë të armatosur dhe me qenë të stërvitur. Regjimi kufitar mund të jetë tolerant, si p.sh. kufiri midis Belgjikës e Holandës, i cili vende-vende kalon përmes zonave të banuara e që mund të dallohet vetëm nga një vizë me bojë që kalon në rrugë, apo midis një restoranti.    

Ndryshe nga sa thuhet shpesh, integrimi evropian nuk i heq kufijtë midis shteteve anëtare, por ndryshon regjimin e tyre. Në hapësirën e Bashkimit Evropian (BE) nuk ushtrohen kontrolle kufitare për kalimin e mallrave dhe të njerëzve, mirëpo vendimmarrja e përbashkët njeh shtetet si votues dhe shpërndarja e ulëseve në Parlamentin Evropian llogaritet sipas popullsisë së çdo vendi. Për t’u pranuar në BE, shtetet kërkohen që të mos kenë rivendikime territoriale ndaj shteteve fqinje dhe të rregullojnë regjimin e kufirit sipas direktivave të përbashkëta. Pra, integrimi evropian i përforcon kufijtë shtetërorë, ndërsa i lehtëson ato. Shtetet anëtare nuk e humbasin kapacitetin për të vepruar veçmas dhe për ta rreptësuar regjimin e kufirit të përbashkët, siç ndodhi p.sh. gjatë pandemisë Kovid-19.

           Heqja apo fshirja e kufirit midis dy shteteve ndodh vetëm atëherë kur në territoret e tyre vepron vetëm një autoritet sovran. Bashkimi i mirëfilltë politik midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës do të ndodhë atëherë kur një kuvend dhe një qeveri e vetme të marrë vendimet që sot i marrin të dyja shtetet. Rruga deri këtë fazë mund të shtrohet përmes marrëveshjeve të përbashkëta në të gjitha fushat, të cilat kërkojnë zbatim të dyanshëm e të bashkërenduar, por, në mënyrë domethënëse, edhe përmes krijimit të enteve të njëjta që i marrin vendimet për të dyja shtetet, sipas ligjeve të njëjta përkatëse dhe që mbikëqyren nga komisione parlamentare të përbashkëta. P.sh. prodhimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike mund të bashkërendohet nga një ent i vetëm për të dyja shtetet. Suksesi i bashkërendimit në një sektor do të mundësojë shtrirjen në sektorë të tjerë. Në njëfarë mënyre, integrimi institucional midis dy republikave mund të ndjekë shembullin e integrimeve sektoriale evropiane dhe do të përshtatet me standardet dhe rregulloret e BE-së. Mirëpo nuk duhet harruar se BE-ja i ruan kufijtë e shteteve, ndërsa detyra e kombit tonë është që kufiri midis dy republikave ta humbasë dhe funksionin e vet themelor, me fjalë të tjera të bëhet i panevojshëm derisa të fshihet me vullnetin e shqiptarëve.

Në krahun e kundërt, kemi tendencën për ta parë të përhershëm kufirin midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Në Prishtinë dëgjohen zëra që kërkojnë ruajtjen e pavarësisë së Kosovës përballë Shqipërisë në emër të mbrojtjes nga “imperializmi shqiptar” që na kërcënon “identitetin kosovar” dhe që gjoja do ta kthejë Prishtinën në një provincë të Tiranës. Kurse në anën tjetër të kufirit dëgjohen herë pas here zëra se bashkimi me Kosovën gjoja do të prishë “balancat” fetare e krahinore, që janë thjesht eufemizma për të maskuar realitetin se që nga viti 1945 Shqipëria është qeverisur më së shumti prej klaneve familjare me prejardhje nga Zona e Parë Operative. Edhe kur propozohet se bashkimi i dy republikave duhet të bërë përmes federalizimit, duhet pasur kujdes sepse qëllimi i fshehtë mund të jetë që kufiri i tanishëm ta ruajë funksionin thelbësor, që Kosova dhe Shqipëria e sotme të vijojnë të funksionojnë më vete nën cipën e një shteti, siç po ndodh sot në Bosnjë-Hercegovinë, në mënyrë që të ruhen artificialisht privilegjet, pushteti, rrjetet e patronazhit që disa persona kanë akumuluar sot në të dy shtetet. Pavarësia e Kosovës është një fitore e madhe kombëtare e shqiptarëve, e krahasueshme me shpalljen e pavarësisë në vitin 1912, mirëpo armiqtë e shqiptarëve do të përpiqen ta minojnë atë pikërisht duke i bërë shqiptarët që ta mirëmbajnë vetë kufirin shtetëror që u është imponuar.  

Që bashkimi i dy republikave të jetë i pakthyeshëm duhet bashkërenduar edhe ndarja e administrative. Çështja e ndarjes administrative të Shqipërisë është trajtuar nga rilindësit më përpara se të krijohej shteti dhe në këtë pikë përplaseshin vizionet përqendruese me ato qendërikëse. Përballë idesë së një Shqipërie unitare të bazuar tek ideja e kombit që flet një gjuhë vendoseshin projekte me frymëzim krahinarist ose fetar, të cilat ose kërkonin krijimin e njësive sovrane më të tkurrura sesa territori etnik i shqiptarëve, ose kërkonin një ndarje administrative që do t’u njihte autonomi apo privilegje krahinave të caktuara. Sapo u themelua Shqipëria londineze u shfaqën projektet për ta “kantonizuar” atë sipas përkatësive fetare apo krahinave, gjithnjë të nxitura dhe të mbështetura nga Greqia dhe Serbia (Jugosllavia). Në kohë të ndryshme u shpallën autonomia e “Vorio Epirit” e “Republika e Mirditës” etj., projekte politike që bazoheshin mbi idenë se disa krahina duhet të kishin privilegje vetëqeverisëse në raport me pjesën tjetër të Shqipërisë. (Edhe plani për krijimin e një enklave sovrane të bektashinjve duhet parë nga ky këndvështrim. Gardhi rrethues i selisë së kryegjyshatës “botërore”, edhe pse mund të jetë lehtësisht i përshkueshëm, do të marrë cilësitë thelbësore të kufirit shtetëror.) Meqenëse kemi të njëjtin ideal si Sami Frashëri kur shkruante se “nukë duam të ndahemi, po duamë të bashkohemi sa të muntmë më teprë”, nuk mund të jemi në favor të një shteti federativ shqiptar. Në Shqipërinë që do të vijë nuk do të duhet të ketë vend për shprehje “ne shqiptarët e ata kosovarët” apo “ne kosovarët dhe ata shqiptarët”. Një njësi e vetme e pushtetit vendor do të ketë juridiksion mbi krahina që sot gjenden në dy anët e kufirit: Kukësi do të ketë qendër Prizrenin dhe Tropoja do të ketë qendër Gjakovën. Kosova e sotme mund të ndahet në tri-katër rajone ndërsa Shqipëria e sotme do të ndahet në nëntë-dhjetë rajone. Pra, do të ndiqet ideja e Samiut për “gastrat” dhe pak a shumë do të ringjallet ndarja e prefekturave gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, kohë kur “tokat e lirueme” iu bashkëngjitën shtetit shqiptar. Rajonet nuk do të kenë natyrën e kantoneve apo landeve të modelit federativ, por në aspektin kulturor do të ofrojnë hapësirën e nevojshme për mbështetjen e tipareve të veçanta etnografike që trashëgojnë nga historia, përfshirë këtu edhe trajtimin e pakicave etnike që do të gjenden në juridiksionin e tyre. Në kohën e tashme, për sa kohë që do të ekzistojnë dy shtete, duhet shkuar drejt unifikimit të sistemeve, shtrirjes territoriale dhe kompetencave të pushtetit vendor. Nuk ka rëndësi nëse këndej kufirit i quajmë “bashki” dhe andej kufirit i quajmë “komuna”, por ka rëndësi të madhe që ato të ngjajnë sa më shumë me njëra-tjetrën.

Regjimi kufitar

Atyre që sot për sot u duket futuriste ideja e bashkimit gradual të dy republikave, mund t’u themi se dhe në kushtet e ekzistencës së disa shteteve, ku shqiptarët janë shumicë ose një numër i konsiderueshëm i popullsisë, ndjekja e një politike kombëtare është e mundshme edhe me anë të regjimit kufitar. Shteti mund të mos e trajtojë të gjithë vijën e tij kufitare në të njëjtën mënyrë, por mund të jetë i orientuar drejt një forcimi më të madh të regjimit kufitar me shtete të caktuara dhe lehtësimit të tij me shtete të tjera. Zbutja e regjimit kufitar brenda hapësirës së BE-së shoqërohet me forcimin e regjimit të kufirit të jashtëm. Lituania, si shtet anëtar në skajin lindor të BE-së, ka një regjim të ndryshëm të kufirit me Letoninë dhe Poloninë dhe një regjim tjetër me Bjellorusinë dhe me enklavën ruse rreth Kaliningradit. Po kështu SHBA-ja ruan shumë rreptë kufirin jugor me Meksikën, ndërkohë që orientimi është tejet i relaksuar në kufirin verior me Kanadanë.

Republika e Kosovës e ka diferencuar regjimin e kufirit me Serbinë prej pjesës së kufirit të përbashkët me Republikën e Shqipërisë. E gjendur përballë agresionit të pareshtur e hibrid të Serbisë, që ka tentuar që kufirin me Kosovën ta trajtojë si kufi administrativ, Republika e Kosovës ka dashur të nxjerrë në pah funksionin themelor të kufirit shtetëror. Qeveria e kryesuar nga Ramush Haradinaj vendosi taksën 100% për produktet që vinin nga Serbia dhe më vonë qeveria e kryesuar nga Albin Kurti vendosi reciprocitetin e plotë kufitar me Serbinë. Meqenëse Serbia nuk pranonte targat e makinave që paraqisnin simbolin e Republikës së Kosovës, as automjetet me targat e Serbisë nuk pranoheshin të hynin në territorin e Kosovës. Këto masa gjetën përkrahje të madhe brenda Kosovës, por nuk u miratuan nga diplomacia ndërkombëtare, sidomos nga BE-ja, e cila ka një qasje neutrale ndaj shtetësisë së Kosovës. Serbia u kundërpërgjigj me nismën diplomatike të Ballkanit të Hapur, së cilës u bashkua Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Në vend të krijimit të një tregu të përbashkët Shqipëri-Kosovë, që u propozua nga Kurti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vijoi me planin e krijimit të një tregu ballkanik, pavarësisht se dihej fare mirë se Serbia do të ishte përfituesja më e madhe prej heqjes së menjëhershme të barrierave doganore midis tri republikave. Kosova nuk e ka refuzuar idenë e një tregu të përbashkët të Ballkanit Perëndimor dhe i ka miratuar protokollet përkatëse, mirëpo e ka bërë këtë në kuadër të Procesit të Berlinit, ku marrin pjesë me status të njëjtë të gjashtë shtetet e rajonit dhe i cili mbështetet politikisht dhe financiarisht nga BE-ja.

Kufiri Kosovë-Serbi është një ndër më të militarizuarit në Ballkan dhe ndoshta në Evropë. Policia e Kosovës patrullon anën e saj për të penguar sulme terroriste si ai i Banjës në 24 shtator 2023. Ndërsa Serbia, në anën e saj, ka vendosur 48 pika të avancuara operacionale të ushtrisë dhe të xhandarmërisë, pjesëtarët e të cilave janë vërejtur që janë afruar dhjetëra metra pranë kufirit, madje në një rast e kanë kaluar atë dhe kanë rrëmbyer policë të Kosovës. Krejt ndryshe është situata në kufirin midis Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Në këtë pjesë të kufirit qytetarët e të dyja shteteve kalojnë pa kontrolle të dokumenteve dhe merren masa të vazhdueshme për lehtësimin e kalimit të mallrave.

Shkëmbimet tregtare midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Importet nga Shqipëria në Kosovë kanë zëvendësuar shumë prej mallrave që më parë hynin nga Serbia. Për këtë ndërrim të kahut tregtar ka luajtur rol të rëndësishëm vendimi i qeverisë së Kosovës për të bllokuar kufirin me Serbinë, për shkak të veprimeve agresore të kësaj të fundit. Trysnia e fuqishme ndërkombëtare e ka detyruar Kosovën që së fundit të hapë kufirin për mallrat e Serbisë, në kuadër të marrëveshjeve të CEFTA-s. Mirëpo edhe në këtë rast, Kosova në negociata arriti dy fitore në rëndësishme: ajo nuk do të përfaqësohet në CEFTA nga UNMIK-u dhe në pikën kufitare të Merdares do të vendoset një skaner për mallra, i cili do të ndikojë në ndalimin e kontrabandës, që në të shkuarën ka qenë faktor për çmimet më të ulëta të mallrave serbe në tregun e Kosovës. Janë bërë hapa të rëndësishëm drejt unifikimit të politikave fiskale dhe të praktikave doganore. Kjo duhet mbështetur me bashkërendimin e politikave qeveritare që favorizojnë jo vetëm tregtinë, por prodhimin e mallrave me synim eksportin në vende të treta. Gjithashtu, në bashkëpunimin me sipërmarrësit, të synohet shmangia sa më e madhe e konkurrencës për produkte të njëjta të prodhuara në të dyja shtetet. Ato politika që ndjekin shtetet e tjera për të mbrojtur produktet kombëtare dhe për afruar cilësitë e tyre me standardet e tregut të përbashkët evropian, Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet t’i bashkërendojnë me njëra-tjetrën dhe ndoshta edhe me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Edhe në fushën e sigurisë të dyja republikat mund të jenë plotësuese të njëra-tjetrës, sidomos për sa i përket armatimit dhe stërvitjeve të përbashkëta. Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s, ndërsa Republika e Kosovës ka të dislokuara trupa të NATO-s. Këto dallime mund të sjellin disa pengesa për një strategji të përbashkët të mbrojtjes, megjithatë hapësira mund të gjenden që të dyja shtetet të kenë qasje në zotërimin apo përdorimin e sistemeve raketore, avionëve apo doneve ushtarake. Pengesa kryesore është politike: Shqipëria duhet ta përbrendësojë në doktrinën e saj të sigurisë dhe në politikën e jashtme se Serbia përbën një rrezik të sigurisë për Kosovën dhe për shtete të tjera në rajon. Duke mbrojtur kufirin e saj me Serbinë, Kosova mbron edhe sigurinë e Shqipërisë dhe të shteteve të tjera. Jo më kot trupat e NATO-s në Kosovë mbajnë në monitorim të vazhdueshëm sjelljen e ushtrisë serbe matanë kufirit. Diplomacia e Shqipërisë të mos reshtë së kërkuari njohjen e Kosovës nga shtetet evropiane që nuk e kanë bërë këtë dhe që pengojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Bashkëpunimi i gjithanshëm midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, nuk duhet anashkaluar as për hir të rendjes pas një evropianizmi pa cak. Është normale që të dy republikat të synojnë të integrohen në BE dhe që të plotësojnë kriteret e vendosura. Mirëpo, nuk duhet harruar se BE-ja përbëhet nga shtete që ndjekin interesat e tyre. Një shtet i rëndësishëm, Britania e Madhe, vendosi të dalë nga BE-ja për të mbrojtur më mirë interesin e vet. Në shtete të tjera anëtare dhe në Parlamentin Evropian janë rritur ndjeshëm partitë politike që synojnë ta orientojnë BE-në drejt një aleance me Rusinë. Kemi parë se si procesi i anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor pengohet prej disa shteteve ballkanike që tashmë janë anëtare. Sigurisht, integrimi evropian është interes i kombit shqiptar, por detyrë e një kombi të ndarë është bashkimi i tij. Integrimi evropian mund ta lehtësojë, por jo ta zëvendësojë bashkimin kombëtar. Kufiri midis nesh nuk duhet bërë i padukshëm, por duhet zhbërë.

të ngjashme