Nëse do ta konsideronim të padrejtë që termi “nacionalizmi shqiptar” të quhej thumbues dhe që ka prodhuar “Shqipërinë e Madhe” - një koncept ky i përpunuar në kuzhinat politiko-juridike serbe - po aq e padrejtë do të ishte të sajohet një termi “kombi kosovar”. Do të ishte shembull i rrallë i vizionit dhe konceptit për kombin, i cili nën maskën e devotshmërinë për ardhmërinë dhe njohjen e Kosovës, pa u njohur ende mirë si shtet dhe si strukturë e pavarur administrimi, që eksponentë të caktuar të kërkonin të varrosin çështjen shqiptare me anë të ceremonisë funebre me kurora lulesh false të kosovarizimit të identitetit kombëtar shqiptar.
Kategoritë e njerëzve të ballinës publike që e mbështesin këtë artikulim, ndahen në dy lloj. Të parët janë ata që mendojnë që edhe pse kolonizatori serb është larguar dhe kolonizimi ka mbaruar, e kanë brëndësuar tanimë në vetvete psikozën e kolonizimit e cila shfaqet në kolonizimin e mendjes dhe shpirtit të tyre. Të dytët janë ata të cilët në mënyrë të ndërgjegjshme vihen në shërbim të së përkohshmes, ata që nuk duan që siç patëm një kombëtare të suksesshme, të mos kemi një kombëtare në ekonomi e industri, në art e kulturë, në arsim e shkencë dhe për këtë janë të gatshëm të parashtrojnë çfarëdolloj shembulli periferik dhe abuziv. E nëse e gjitha ballina publike nuk arrin ta përfaqësojë masën, me kalimin e kohës ajo mund ta manipulojë masën dhe ta ftojë atë në çmendurinë e vet.
Në këto raste e gjithë sfida përmblidhet në kthimin në normalitet, i cili realizohet duke u mbajtur fort pas të vërtetës. E vërtetë e cila flet për një padrejtësi historike që iu është bërë shqiptarëve, e vërtetë e cila flet për një gjuhë e gjak të përbashkët dhe flamur si simbol bashkimi e që padyshim përkundrejt kaosit që anormalja mbjell, bëjnë shumë sens në zemrat e të gjithë neve.
Padrejtësisë t’i përgjigjesh me padrejtësi
Në morinë e pafund të çudirave shqiptare, shfaqet edhe një nga formulimet më të dëmshme dhe më antishqiptare të mundshme, në kulmin e klimës së freskët kosovare. Besoj se njerëzit e letrave dhe publiku i Kosovës, së bashku me atë të trungut mëmë shqiptar, kanë dëgjuar për “gjetjen” e fundit terminologjike në ligjërimin politik dhe të opinionit, e cila e përkufizon popullin e Kosovës si “kombi kosovar”. Nuk mund të kishte sfurk më të madh ngulur pas shpinës së shqiptarëve të Kosovës, këtij populli që ka vuajtur nën gjenocid për dekada me radhe.
Falë padrejtësisë historike, prej pothuajse një shekulli shqiptarët janë fragmentarizuar në kufij shtetërorë duke e ndarë kombin administrativisht, madje edhe politikisht. Nëse do të përpiqemi të gjejmë se ku ndodhen kufijtë e kombit, do të shohim se ato janë në kufirin ku ndahen etnitë në rajon. Pra, ndarja shtetërore apo kufijtë e shteteve në Ballkanin Perëndimor nuk janë tregues i ndarjes kombëtare. Kufiri kombit apo ndarja kombëtare fillon atu ku hasen entitete të tjera kombëtare me struktura gjuhësore, etnike, kulturore dhe fetare të ndryshme nga ai shqiptar. Në këtë kontekst përcaktueshmëria si shqiptar apo kosovar nuk është determinizëm kombëtar, por dallueshmëri rajonale të shtrirjes gjithëshqiptare. Prandaj kërkesa për bashkim kombëtar nuk është gjë tjetër veçse njësimi i kufirit kombëtar me kufirin shtetëror duke e kthyer në normalitet ekzistencën shqiptare nga “një komb në disa shtete” në “një komb dhe një shtet”.
“Kombi” si terminologji, por edhe si entitet i një bashkësie njerëzish, meritohet dhe nuk emërohet sipas qejfeve, bindjeve apo edhe konjukturave gjeopolitike. Kombi është një komunitet njerëzish të cilët ndajnë gjuhë të përbashkët, histori e kujtesë të përbashkët, aq më tepër nëse i shtohet edhe një religjion i përbashkët dhe nuk është domosdoshmëri të kenë një sistem administrimit qeveritar të përbashkët. Kufijtë ndarës administrativë janë mjete dhe infrastruktura në funksion të situatave gjeopolitke, ndërsa identiteti kombëtar është pjesë e shpirtit të kombit dhe thelb i tij i cili nuk ndikohet nga mjetet të cilat kanë atribute të përkohshme.
Nacionalizmi shqiptar ndryshon kryekëput nga ai serb sepse ky i yni ka si modus viventi rikthimin në natyrshmërinë kombëtare të mohuar padrejtësisht, ndërsa ai serb ka si qëllim mbajtjen në mënyrë të panatyrshme nën domenin e vet një komb tjetër që s’e lidh asgjë me të. Pra, nacionalizmi shqiptar është i natyrshëm dhe burimor, ndërsa ai serb është i strukturuar mbi padrejtësinë dhe shformimin. Kështu që nuk është aspak e nevojshme të sajohen terminologji të reja etnie si ai i “kombit kosovar” për të krijuar një “balancë” mes nacionalizmit serb dhe atij shqiptar.
Ndarja në “komb kosovar” dhe “komb shqiptar”, dhe nëse do t’i qëndronim së njëjtës logjikë, më vonë do të dalë edhe “kombi çam” apo edhe ndonjë komb i ri në pjesën shqiptare të Maqedonisë, nuk është gjë tjetër veçse defaktorizimi i shqiptarëve në rajon dhe zbatimi i tezave serbe dhe greke mbi mosekzistencën historike të entitetit shqiptar në Ballkan, por trajtimi i tyre si ardhacakë dhe pushtues tokash. Vendlindja e identitetit kombëtar shqiptar ku për herë të parë artikulohet në një format konsensual, ka qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878-tën. Pikërisht, Prizreni si pika përbashkuese politiko-administrative dhe kombëtare e kombit shqiptar, me teorinë e “kombit kosovar” duhet të zhbëhet nga historia, në mënyrë që historinë e re ta rishkruajmë sipas kontekstit parcial të tanishëm kosovar. Ka dy realitete përsa i përket ndjesisë kombëtare në Kosovë. Njëri është realiteti mbisundues i ndjenjës popullore në Kosovë për bashkimin kombëtar natyral me Shqipërinë duke i dhënë fund deformimit historik, dhe realiteti tjetër është ai politik i përfaqësuar nga partitë politike në Kosovë, të cilat e kanë shmangur nga ligjërimi politik tezën e bashkimit kombëtar duke e reduktuar deri në zhdukje avokaturën politike të kësaj teze.
Përveç sa thamë më lart, kjo përpjekje për kosovarizimin e kombësisë shqiptare në rajonin e Shqipërisë Verilindore përbën edhe një precedent krejtësisht të padrejtë, të krijimit të “kombit multietnik”. Këtë tezë e demanton diplomati, politologu dhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtarë Abdi Baleta në librin e tij “Kombi nuk mund të jetë multietnik”:“Studiuesit e njohur të proceseve të formimit të kombeve e theksojnë se në këtë proces etnitë shkrihen, zakonisht rreth një etnie që shërben si bërthamë, por pasi formohet kombi ai nuk mund të jetë më multietnik. Bashkë me kombin në një vend të caktuar zakonisht jetojnë pakica me identitet të ndryshëm kombëtar, etnik apo gjuhësor.”
“Kombi kosovar”, identitet kombëtar më vete?
Shpesh ne dëgjojmë rreth “identitetit kombëtar”, madje e përdorim shumë atë, por pak dimë për kuptimin e vërtetë të tij. Pse ne ndihemi pjesë e një kombi dhe çfarë janë kombet me të cilat ne identifikohemi? Identiteti kombëtar ka të bëjë me ndjesinë e përkatësisë së një individi apo grupi brenda një kombi apo shteti kombëtar nga rrethana historike. Kjo ndjesi e përkatësisë lidhet direkt me elementet themelore që e përbëjnë një komb. Ato janë: etnia, gjuha, historia, feja, kultura, mundësisht brenda një territori të caktuar.
Kur themi se një person gëzon identitet kombëtar, në fakt duhet të kuptojmë se ai gëzon ndjenjën e përkatësisë së një etnie, feje, gjuhe, historie të përbashkët dhe kulture të përbashkët. Ndjenjat që ai ndan me të njëjtën kategori njerëzish e bëjnë atë pjesë të një përkatësie që në këtë rast quhet “përkatësi kombëtare”. Pikërisht kjo përkatësi kombëtare e bën individin të jetë “i dallueshëm” në raport me individë të përkatësive të tjera. Ose siç Yoonmi Lee thotë në “Modern Education: Politics, Modernization and Nationalism” një gjendje psikologjike e të qenurit i ndërgjegjshëm për dallimin me të tjerët. Të jesh i tillë, sipas Lee, do të thotë të pranosh ndryshimin mes “ne” dhe “ata” dhe mbi të gjitha ta ndjesh këtë ndryshim.
Identiteti kombëtar përbëhet nga: “një të kuptuar të përbashkët për realitetin dhe besime të përbashkëta” (E. Renan). Duhet të jetë i shtrirë në histori, duhet të ketë një traditë të përbashkët dhe duhet të ketë një kulturë të dallueshme nga të tjerat. Një nga njerëzit i cili mbahet si përcaktuesi më i mirë i termit komb është Benedict Anderson me konceptin e tij të kombit si “komunitete imagjinare”. Ai thotë se janë imagjinare sepse breza të tërë imagjinojnë veten në një komunitet të përbashkët përgjatë historisë edhe pse ata nuk janë takuar kurrë me njëri-tjetrin. Ndërsa mendimtarë si Martin, De Cillia, Liebhart, Wodak etj. theksojnë se gjuha dhe diskursi janë elementet thelbësore të kombit, sepse janë pikërisht këto mekanizma që i japin atë “të dallueshmen” në raport me komunitetet e tjera kombëtare. Për më tepër, theksojnë ata, gjuha është instrumenti kyç për ndërtimin e konstruksionit social të “komuniteteve imagjinare” sepse gjuha depërton në të shkuarën dhe në të ardhmen e historisë duke qenë elementi lidhës mes brezave të të njëjtit komb edhe pse ata nuk janë takuar mes tyre. E këtu Anderson thekson rolin e shtypshkrimit në forcimin e këtyre komuniteteve imagjinare.
Në këtë kuptim, identiteti kombëtar është produkt edhe i diskursit dhe gjuhës. Nëse baza e identitetit është kujtesa dhe narrativa, atëherë gjuha përbën pikërisht elementin që mban gjallë këto të dyja. Pa gjuhën e folur, as kujtesa dhe as aftësia për të treguar kujtimet nuk do të ishin të mundura. Më shumë sesa konstruksione sociale të lidhura me gjakun, kombet mbeten të lidhura me gjuhën që i përshkon ato. Sepse është pikërisht fuqia e gjuhës e cila mund të ndërtojë, transformojë apo edhe t’i shkatërrojë kombet.
“Kombi kosovar” është një identitet i fabrikuar fals, sepse nuk futet në asnjërën nga kategoritë që e cilësojnë identitetin kombëtar të dallueshëm nga të tjerët. Si në elementet e etnisë, gjuhës, historisë, kulturës, fesë, po ashtu edhe në kujtesën dhe narrativën e vet përmes gjuhës dhe diskursit, Kosova dhe kosovarët nuk përbëjnë veçori dalluese identitare me shqiptarët e Shqipërisë, përkundrazi, elementet e ngjashmërisë forcojnë bindjen se ato janë pjesë thelbësore e identitetit kombëtar shqiptar si një i tërë dhe i pandashëm.
Pati një konsensus nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodheshin se pavarësia territoriale e Kosovës përfaqësonte të përkohshmen e cila do të merrte kuptim me bashkimin si ideal dhe si koncept i përhershëm. Artikulimi “komb kosovar” nuk përbën veçse të përkohshmen - siç është Kosova sot - e kthen në të përhershme duke i mveshur fytyra të rreme një të vërtete të vetme siç është kombi shqiptar e duke e bërë atë sa më të komplikuar. Pra, një “komb kosovar” që na unifikohet me shtetin kosovar dhe së këndejmi, sipas këtij arsyetimi, del i pakuptimtë bashkimi me një komb tjetër si ai shqiptar dhe kështu në këtë pikë bie historia, bien simbolet, bie “referendumi i përditshëm” (E. Renan) dhe ato që na bashkojnë, për shkak se e përkohshmja padrejtësisht kërkon të bëhet e përhershme.
Bashkimi kombëtar në kërkim të njerëzve të duhur
Tipar i kohës sonë është se e mira dhe e keqja, e drejta dhe e gabuara, e moralshmja dhe e paturpshmja nuk janë më nocione të pastra e të kulluara, të ndara nga njëra-tjetra aq sa të bëjnë dallimin kategorik dhe absolut mes tyre. Sot as nuk e kemi këtë luks. E mira dhe e keqja, me të gjitha derivatet e tyre, janë të ndërthurura brenda vetë fenomenit në atë mënyrë sa që është vështirë të dallosh kufijtë mes njërës dhe tjetrës. Pra sot nuk mund të thuash për një ngjarje, fenomen apo veprim, se ai është ekskluzivisht i mirë apo ekskluzivisht i keq. E mira dhe e keqja janë shkrirë brenda të njëjtit format, ndaj e vetmja gjë që mund të bëhet, është orvatja për të gjetur se si janë raportet e të mirës dhe të keqes brenda një ngjarjeje. Ky përkufizim shumëngjyrësh mbi ndërtimin e së vërtetës na shoqëron gjithnjë kur duam të mbajmë një pozicion politik, kur duam të vlerësojmë një lider, kur duam të shprehim qëndrimin tonë moral për një ndodhi. Duket se ka ikur koha kur lehtësia e gjykimit mbi gjënë ishte e bazuar mbi kritere të qarta dhe konsensuale.
Në vlerësimin e figurës së një kryeministri, të ndonjë lideri, të ndonjë partie politike, të një veprimi opozitar apo të një copëze realiteti mbarëshqiptar, je gjithmonë i detyruar të mos japësh përkufizim fundor mbi të mirën apo të keqen e tyre, sepse ndodh që veprime të mira të përzihen me njerëz jo edhe aq të mirë dhe veprime të këqija të përzihen me njerëz jo edhe aq të këqij. Kam qenë që në krye të herës i bindur në tezën se copëtimi i Shqipërisë ka qenë një ekuacion i gabuar politiko-historik dhe se rivendosja në vendin e duhur e elementëve të këtij ekuacioni, do të ishte e vetmja mënyrë që rezultati pozitiv i tij të bashkëshoqëronte të gjitha përpjekjet e Shqipërisë së andej-këndej kufirit. Të ndarë në dy llokma territoriale, politike dhe konceptuale, Shqipëria dhe Kosova kanë vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe të vendosin dhe rivendosin elementet e ekuacionit të tyre historik, gjithnjë në vendin e gabuar duke respektuar besnikërisht këtë ndarje.
25 vjet pas luftës dhe mbi 16 vjet pas pavarësisë, Kosova e ndjen se sakrifica e saj për të kënaqur aleatët dhe për të ruajtur të ashtuquajturat ekuilibra gjeopolitikë në rajon ka rezultuar me një rikthim prapa në kuptimin politik, ekonomik dhe kulturor që ajo ka në raport me Shqipërinë dhe të gjithë rajonin. Politikisht, Kosova mbetet larg synimeve të saj integruese, me një bojkot të hapur nga SHBA-ja dhe BE-ja për proceset e veta integruese. Bisedimet e saj me Serbinë kanë dëshmuar se shërbyen si një fasadë për të legjitimuar më shumë integrimin e Serbisë ne procesin e anëtarësimit evropian. Sa herë që në ato bisedime synohej dakortësimi, kjo bëhej me sakrifica të mëdha nga ana e Kosovës në terma territorialë, ligjorë dhe ekonomikë, që nga zajednica, demarkacioni dhe deri tek insinuatat e fundit për shkëmbime territoresh me Serbinë. Në këmbim, Kosovës i është kërkuar që të mbajë nën presion revoltën e brendshme politike dhe popullore që shpërthen herë pas herë nga çekuilibrimi politik i shkaktuar pikërisht si pasojë e këtyre marrëveshjeve.
Shtet dhe joshtet në të njëjtën kohë, Kosova është luhatur shpesh nga pengesa për zhvillim ekonomik dhe gjetja e partneritetit të duhur, sepse mospërcaktimi i entitetit të saj territorial e ka lënë në mënyrë të vazhdueshme në gjendje eksperimenti. Ndërsa kulturalisht, Kosova dhe kosovarët luhaten sot më shumë se kurrë në prehrin e papërcaktueshmërisë dhe krizës së identitetit. Albin Kurti, sprovën më të madhe nuk do ta ketë me pushtetin, por me vetë Albin Kurtin. Ai duhet t’i provojë jo vetëm qytetarëve që e zgjodhën, por edhe vetes se i gjithë artikulimi opozitar i tij, nga gjuhë populiste duhet të shndërrohet në akte realiste të pushtetit.
Kjo është një kohë e vështirë ndërkombëtarisht për një lëvizje sovraniste, e cila me guxim nuk ka reshtur së artikuluari për interesin dhe bashkimin kombëtar. Çështja sot është më e komplikuar jo sepse ajo që Vetëvendosja ka aspiruar është e gabuar, por sepse sot Vetëvendosja është në një realitet ku nuk mund të vetëvendoset për shkak të situatës gjeopolitike dhe aleancës me partnerët tanë strategjikë. Pikërisht këtë fakt duhet të negociojë Albin Kuri me Albin Kurtin në mënyrë që të bëjë ato modifikime “të shëndetshme” në vijën politike të Vetëvendosjes tashmë në pushtet, që nga njëra anë të mos zhbëjë koherencën politike dhe kombëtare të saj në raport me të shkuarën, por nga ana tjetër edhe të bashkëpunojë me ndërkombëtarët për një zgjidhje përfundimtare të marrëdhënieve me Serbinë.
“Kombi kosovar” kur konsensusi që krijoi Kosovën është vënë në dyshim
I gjithë faktori ndërkombëtar është për bisedime Kosovë - Serbi, por jo të gjithë ndërkombëtarët e konceptojnë në të njëjtën mënyrë këtë dialog. Për disa dialogu përdoret thjesht si anestezi kohore për të çuar kujtesën e përbashkët në një neurozë historike, në një kujtesë të deformuar ku përdhunuesi, vrasësi, masakruesi dhe ai që bën gjenocid ditën për diell në qindra mijëra vetë, kthehet në viktimën e cila qurravitet, ndërsa figura e kosovarit sot kthehet në vrasës dhe autor i “krimeve kundër njerëzimit”.
Për disa të tjerë bisedimet janë një etapë së cilës duhet t’i vijë fundi me një produkt politik i cili duhet të jetë Kosova e pavarur e njohur përfundimisht nga Serbia. Këto dy qëndrime kryesore mbi bisedimet dhe fatin e Kosovës kanë qenë të trupëzuara brenda dy blloqeve të mëdha Bashkimit Evropian të përfaqësuar kryesisht nga Gjermania dhe Franca, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot këto blloqe fatkeqësisht kanë një konsensus kundër politikave të qeverisë së Kosovës dhe Albin Kurtit duke vënë në rrezik vetë ekzistencën e saj si shtet.
Me datën 18 mars 2023 në Ohër, ndoshta për herë të parë kemi një ngjarje të paprecedent, një marrëveshje për të cilën nuk merren vesh se çfarë marrëveshje është. Palët negociatore, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk firmosën një marrëveshje për të cilën thuhet se ishin marrë vesh. Pra, të gjithë bashkë ishin marrë vesh për të mos firmosur një dokument të cilin e trumbetuan si zgjidhjen e një gjendjeje armiqësie mes Kosovës dhe Serbisë.
Për herë të parë, dështimi evropian për të arritur në një marrëveshje mes dy vendeve u shit si sukses i cili do të vihej në zbatim përmes një aneksi, me fjalë të tjera, për të hyrë në shtëpi nga dera kryesore e kyçur, na duhet të përdorim spiralen e banjës. E gjithë kjo histori ka si diçidurë në sfond portretin e ish-të dërguarit të SHBA-së Eskobar i cili mori rolin e vëzhguesit. Imagjinoni pas kaq vitesh së Kosovës shtet me investimin direkt të amerikanëve, këta të fundit më 18 mars, në datën që duhej të ishte historike, kishin vetëm statusin e vëzhguesit. Kjo është përtej tragjikes. Ka patur shumë kritika nga kampi opozitar për Kurtin duke ekzagjeruar deri në akuza për tradhti kombëtare. Nga ana tjetër në kampin e mazhorancën ka tejkalime të shpalljes së Albinit si hero i cili nuk firmosi marrëveshjen. Zakonisht polarizimi sjell një situatë ku vetëm e bardha dhe e zeza janë të vetmet ngjyra, minus të gjitha ngjyrat e universit. Nëse ka një kritikë për Albinin, është se i dha aleatit kryesor SHBA-së, mbrojtësit më të sprovuar të Kosovës, statusin e vëzhguesit dhe jo atë të hartuesit të marrëveshjes.
Pikërisht në këtë mjedis të deformuar dëgjojmë pretendime të tipit “komb kosovar”. Për ta vazhduar më tej arsyetimin, themi se mjedise të tilla kanë të gjitha gjasat të prodhojnë edhe njerëz anormalë, njerëz të cilët për shkak të komplekstitetit dhe kontradiksionit të tyre bëhen hartues, zëdhënës dhe mirëmbajtës të ideve keqdashëse. Për shkak të kompleksitetit të disa figurave publike, e vërteta se identiteti kombëtar është pjesë e shpirtit të një kombi dhe thelb i tij i cili nuk gëzon atribute të përkohshme, transformohet në një prirje për ta ndarë kombin si koncept unitar, nga ekzistenca e dy gjysmështeteve si Shqiperia dhe Kosova, në ekzistencën e dy gjysmëkombeve. E të mendosh se ata e bëjnë këtë siç edhe thonë, “për të mirën e Kosovës dhe shqiptarisë”. Ngushëllimi i vetëm është se duke qenë pak, nuk do munden kurrë të bëjnë shumë.