ADRI NURELLARI

Një Komb në Braktisje e Sipër: Kur Patriotizmi Reduktohet në Transaksion

Niveli alarmant i emigracionit në Shqipëri është pasqyrë e një krize të thellë lidhjes që kanë shqiptarët me atdheun. Të dhënat e fundit të EUROSTAT-it tregojnë se 74,938 shqiptarë (3.12% të popullsisë totale) kanë marrë për herë të parë leje qëndrimi në BE gjatë vitit 2023, pa llogaritur ata që kanë emigruar e marrë rezidencë në vende të tjera perëndimore,

Niveli alarmant i emigracionit në Shqipëri është pasqyrë e një krize të thellë lidhjes që kanë  shqiptarët me atdheun. Të dhënat e  fundit të EUROSTAT-it  tregojnë se 74,938 shqiptarë (3.12% të popullsisë totale)  kanë marrë për herë të parë leje qëndrimi në BE gjatë vitit 2023, pa llogaritur ata që kanë emigruar e marrë rezidencë në vende të tjera perëndimore, si SHBA-ja, Britania e Madhe, Kanadaja etj. Për ta futur në perspektivë, është njëlloj si të largoheshin në BE dhe të merrnin leje qëndrimi brenda një viti më shumë banorë sesa i gjithë qarku i Kukësit (që sipas censusit të fundit ka 61,998 banorë). Kur individëve u bëhet pyetja se përse largohen, përgjigja shpesh vjen në formën e një pyetjeje retorike cinike: “Çfarë më ka dhënë vendi mua që unë të shqetësohem për të?” Kjo logjikë transaksionale pasqyron mungesën e kapitalit social dhe ndjenjës së përkatësisë, duke i kthyer qytetarët në aktorë pragmatikë që emigrojnë kur vendi nuk përmbush pritshmëritë e tyre.  Kjo qasje e redukton përkatësinë ndaj atdheut në një marrëdhënie përfitimi të momentit, duke injoruar ndjenjën e përbashkët të përgjegjësisë dhe të kujdesit që na mban lidhur me vendin tonë edhe përtej asaj që mund të marrim prej tij.
           Për sa i përket trajtimit të patriotizmit si një zgjedhje racionale dhe apo pazar shkëmbimi, kjo temë gjithashtu është trajtuar gjerësisht nga studiues të njohur. Michael Walzer  argumenton se përkatësia dhe përkushtimi ndaj komunitetit janë shpesh më të thella dhe më të lidhura me identitetin personal sesa çdo marrëdhënie transaksionale. Për të njerëzit nuk janë pjesë e komunitetit thjesht sepse ai u ofron përfitime pragmatike, por sepse ndihen të lidhur me të në mënyrë të rrënjosur.  Në të njëjtën linjë Simon Keller vëren se ndjenja e patriotizmit e ka themelin në lidhjen emocionale dhe sentimentale që kemi me vendin tonë, pavarësisht nga politika apo kushtet e brendshme të tij. Sipas tij një formë e tillë e dashurisë për vendin është më shumë një çështje përkatësie sesa një shkëmbim i drejtpërdrejtë përfitimesh. Në këtë aspekt unë ndiej afërsi me konceptin e "optimistit irracional" të shkrimtarit Gilbert Keith Chesterton, i cili e përshkruan patriotizmin si një dashuri të thellë për atdheun, pavarësisht të metave dhe sfidave të tij.
           Në veprën e tij “Orthodoxy”,  ai argumenton se dashuria për atdheun nuk është si të zgjedhësh një shtëpi – ku vlerëson të mirat dhe të këqijat e një vendi dhe bazuar në këto tipare zgjedh se në cilën prej tyre do të banosh.  Ai thotë se “Njeriu i përket një vendi para se të pyesë nëse ia vlen të jetë pjesë e tij...si një përkushtim që i paraprin çdo vlerësimi.”Pra ai thekson se ne nuk e zgjedhim atdheun; ai është pjesë e natyrshme e ekzistencës sonë, një vend ku lindim dhe që na përket. Pranimi ynë për vendin nuk është si për një vendbanim çfarëdo që mund ta braktisim kur të lodhemi prej tij, është më shumë si dashuria për familjen tonë, një dashuri pa kushte.
           Një tjetër element që ai vë në dukje është se patriotizmi i vërtetë  është progresiv sepse ai pranon me realizëm të metat e vendit dhe shtyn përpara përmirësimin. Një person mund ta dojë babain e tij pa kushte, por kjo nuk do të thotë se ai do të qëndrojë indiferent nëse është, ta zëmë, pijanec. Përkundrazi, pikërisht dashuria e tij e shtyn të kujdeset  edhe më shumë për përmirësimin e shëndetit të prindit, duke mos e pranuar thjesht gjendjen e tij të dhimbshme pa bërë gjë. Në të njëjtën mënyrë patrioti e do vendin e tij jo sepse ai është i përsosur, por sepse dashuria që ka e shtyn atë të punojë për përparimin dhe zhvillimin e tij, dhe i jep forcë për të tejkaluar sfidat apo vështirësitë me të cilat përballet.

           Trajtimi i patriotizmit në mënyrë të relativizuar dhe të minimizuar, si të ishte një raport interesaxhi quid pro quoështë dëshmi njëherazi e një tjetër problemi të mprehtë të shoqërisë sonë, që ka të bëjë me atomizimin shoqëror.  Atomizimi shoqëror shfaqet si një prirje ku individët distancohen nga bashkësitë dhe vlerat kolektive, duke u përqendruar kryesisht tek interesat personale, çka çon në dobësimin e kohezionit social. Këtë fakt të dhimbshëm e dëshmon më së miri niveli jashtëzakonisht i ulët i besimit ndërpersonal që raportohet për Shqipërinë, një tregues i qartë i degradimit të kapitalit social shqiptar.  Sipas Anketës së Vlerave Botërore, Shqipëria renditet e fundit në Evropë dhe e dyta në botë pas Zimbabvesë për nivelin e besimit ndërpersonal. Vetëm 2.8% e shqiptarëve besojnë se "shumica e njerëzve mund të jenë të besueshëm", një shifër alarmante kur krahasohet me vendet nordike si Finlanda (69.8%), Danimarka (74.1%) apo Norvegjia (72.8%).

           Francis Fukuyama në librin e tij "Trust: The Social Virtues and the Creation of Prosperity" thekson se besimi është elementi që i mundëson shoqërive të kalojnë nga një logjikë transaksionale në një logjikë bashkëpunimi të qëndrueshëm, duke ndërtuar lidhje sociale që shkojnë përtej interesave të ngushta personale e fisnore. Pra ai e trajton besimin ndërpersonal është si një 'ngjitës social' që mban së bashku një komunitet e që ndikon drejtpërdrejt në shoqërisë civile, sipërmarrjeve të mëdha, institucioneve shtetërore etj. Në Shqipëri, niveli i ulët i këtij besimi flet për një fragmentim të thellë, që lidhet me histori të vjetra të përçarjes dhe të sektarizmit të cilat kanë qenë një sfidë që ka shoqëruar shoqërinë shqiptare qysh prej Rilindjes Kombëtare.

           Niveli i besimit ndërpersonal përdoret si indikator matës për nivelin e kapitalit social që lë të kuptohet për një  nivel shumë të ulët të kapitalit social. Ky koncept i referohet rrjeteve të marrëdhënieve, normave të përbashkëta dhe nivelit të besimit që ekziston brenda një komuniteti ose shoqërie, të cilat lehtësojnë bashkëpunimin dhe veprimet kolektive për përfitime të përbashkëta. Studiuesi i mirënjohur amerikan Robert Putnam e përshkruan kapitalin social si "vlerën e rrjeteve sociale dhe tendencën e qytetarëve për të bashkëpunuar". Në thelb, ai përfshin mënyrën se si individët ndërveprojnë dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, bazuar në marrëdhënie të ndërsjella besimi, reciprociteti dhe solidariteti. Pra si i tillë është themeli mbi të cilin ndërtohet një patriotizëm i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm.  

           Këtu vlen të theksohet se ka vende ku niveli i patriotizmit mbetet i lartë, pavarësisht mungesës së kapitalit social të zhvilluar. Të tilla janë vendet që kanë qeveri  me  tendenca autoritare të cilat përdorin propagandën dhe narrativat shtetërore për të forcuar ndjenjat kombëtare dhe eklipsuar dështimet e brendshme të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Këto regjime siç është rasti i Rusisë, shpesh sforcohen në krijimin e një identiteti të përbashkët rreth figurave historike, armiqve të jashtëm ose arritjeve  të lavdishme historike kombëtare, duke kompensuar kështu mungesën e besimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve shtetërore. Po ashtu ka shumë raste shtetesh ku patriotizmi ngrihet si mbrojtje ndaj kërcënimeve të jashtme. Në Iran për shembull presioni ndërkombëtar dhe sanksionet ekonomike kanë nxitur një ndjenjë të fortë krenarie kombëtare, pavarësisht ndarjeve sektare dhe mungesës së kapitalit social.

           Fatkeqësisht mund të thuhet se edhe patriotizmi shqiptar i kohëve të fundit, është më shumë një lloj reagimi vetëmbrojtës, kur përballemi me  sulme apo sfida të jashtme, sfida sesa nga bashkëpunimi i ndërsjellë ndërmjet individëve apo solidaritet brenda krahinave të ndryshme të kombit.  Si i tillë, ky patriotizëm emocional rrethanor apo kalimtar, është i brishtë dhe mund të shërbejë si një mjet për mobilizim momental, por jo si një bazë e qëndrueshme për zhvillimin afatgjatë. Në mungesë të kapitalit social, këto shoqëri rrezikojnë të përballen me polarizim të thelluar dhe fragmentim të brendshëm, duke penguar potencialin e tyre për progres dhe mirëqenie kolektive. Prandaj mund të themi se, ndërsa patriotizmi pa kapital social është i mundur, ai është më i cenueshëm dhe më pak efektiv në ndërtimin e një shoqërie funksionale dhe në konsoldimin e një shteti-komb të zhvilluar në mënyrë të qëndrueshëm.

           Në mungesë të kapitalit social, patriotizmi shndërrohet në një koncept të zbrazët që lidhet me simbolika sipërfaqësore, një ideal që mbetet vetëm në retorikë ekzaltimi në festa, përvjetorë e ndeshje futbolli, pa një bazë reale në veprimet dhe bashkëpunimin e qytetarëve. Kur individët nuk besojnë tek njëri-tjetri, ata nuk mund të punojnë së bashku për të arritur qëllime kolektive, si solidariteti me hallet e bashkëkombësve, mbrojtja  e shtyrja përpara e interesave kombëtare, zhvillimi i institucioneve të forta shtetërore dhe përballja me sfidat globale. Patriotizmi i vërtetë ushqehet nga një kapital social i pasur, ku besimi ndërpersonal dhe ndjenja e përkatësisë shoqërore krijojnë një identitet kombëtar të përbashkët, që është më i fortë se fragmentimet apo interesat individuale. Kjo lidhje midis kapitalit social dhe patriotizmit është një leksion që shoqëria shqiptare duhet ta marrë me seriozitet për të forcuar unitetin dhe zhvillimin e saj.

           Në përfundim, është e qartë se trajtimi i patriotizmit thjesht si një marrëdhënie transaksionale i heq thelbin e lidhjes së thellë emocionale dhe përkatësisë që duhet të kemi me atdheun tonë.  Kjo qasje reduktuese injoron ndjenjat e përgjegjësisë dhe kujdesit të ndërsjellë që formojnë bazat e një shoqërie të bashkuar dhe funksionale dhe mundësojnë ndërtimin e një shteti-komb të konsoliduar. Investimi në rritjen e kapitalit social dhe përqafimi i një qëndrimi prej optimisti irracional ofrojnë antidotin ndaj qasjes të helmatisur të cinizmit dhe egocentrizmit që e trajton patriotizmin si një marrëdhënie të ngurtë përfitimi. Kapitali social krijon besim dhe solidaritet ndërmjet qytetarëve, ndërsa optimizmi irracional, siç e përshkruan Chesterton, e lidh individin me atdheun përtej logjikës së të metave dhe përfitimeve, duke e bërë dashurinë për vendin një burim shprese dhe përmirësimi të vazhdueshëm. Kjo qasje na fton ta shohim atdheun si një pjesë të pandashme të vetvetes, duke na nxitur jo vetëm ta pranojmë me të metat e tij, por edhe të punojmë për përmirësimin e tij. Thënë ndryshe me stilin e Sami Frashërit, për t’u frymëzuar prej vizionit të Shqipërisë siç mund të jetë.

të ngjashme
No items found.