MENTOR BEQA

KOSOVA, PËRBALLË DHE PËRBRI

Henry A. Kissinger thotë diku se “nëse nuk e dini për ku jeni nisur, çdo rrugë do t'ju çojë në askund.” Dështimi është 'askundi' i shteteve. Farën e dështimit më së shumti e mbart ambivalenca; paqartësia në objektiva dhe në mjetet për mbërritjen e tyre. Te shqiptarët, kjo ambivalencë, fshihet nën petkun e 'ambiguitetit strategjik' mes aspiratës për bashkim kombëtar dhe përpjekjes për fuqizimin e shtetit të Kosovës, në kontekstin e perspektivës së integrimit në Bashkimin Europian. Paqartësia shtrihet që nga elitat deri tek shoqëria e gjerë.

Liza: - A mund të më tregosh, të lutem, cilën rrugë duhet të marr?

Macja e Çeshirit: - Epo kjo varet se ku dëshiron të shkosh.

Liza: - Nuk më intereson shumë se ku.

Macja e Çeshirit: - Atëherë nuk ka rëndësi cilën rrugë merr.

Liza: - Mjafton që të arrij diku.

Macja e Çeshirit: - Oh, patjetër që do të arrish diku, nëse do të ecësh mjaftueshëm.

Liza në botën e çudirave

Lewis Carroll

Henry A. Kissinger thotë diku se “nëse nuk e dini për ku jeni nisur, çdo rrugë do t'ju çojë në askund.” Dështimi është 'askundi' i shteteve. Farën e dështimit më së shumti e mbart ambivalenca; paqartësia në objektiva dhe në mjetet për mbërritjen e tyre. Te shqiptarët, kjo ambivalencë, fshihet nën petkun e 'ambiguitetit strategjik' mes aspiratës për bashkim kombëtar dhe përpjekjes për fuqizimin e shtetit të Kosovës, në kontekstin e perspektivës së integrimit në Bashkimin Europian. Paqartësia shtrihet që nga elitat deri tek shoqëria e gjerë.

Sondazhet tregojnë se shumica e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë mbështesin idenë e bashkimit kombëtar, megjithëse kjo mbështetje është më e lartë në Shqipëri dhe disi më e ulët në Kosovë. Në vitet e fundit, ka një prirje të qartë të rënies së kësaj mbështetjeje krahasuar me vitet 2000, veçanërisht në Kosovë, ku përparësia i është dhënë shtetësisë së pavarur dhe integrimit në arenën ndërkombëtare. Një aspekt thelbësor është perceptimi i bashkimit kombëtar si një strategji realiste. Më pak shqiptarë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, e konsiderojnë bashkimin një opsion të zbatueshëm në rrethanat aktuale politike dhe ekonomike. Kjo prirje reflektohet edhe kur bashkimi kombëtar vihet përballë alternativës së integrimit në Bashkimin Europian. Sondazhet tregojnë se shumica dërrmuese do të zgjidhnin anëtarësimin në BE përpara bashkimit kombëtar, duke theksuar rëndësinë që shqiptarët i kushtojnë stabilitetit, zhvillimit ekonomik dhe lidhjeve ndërkombëtare.

Gatishmëria për të bërë sakrifica në emër të bashkimit kombëtar është gjithashtu më e ulët në mënyrë të dukshme. Sipas një sondazhi pak vjet më parë, vetëm 29% e të anketuarve në Shqipëri dhe 49% në Kosovë u shprehën të gatshëm të paguanin një taksë për të përshpejtuar procesin e bashkimit. Këto të dhëna sugjerojnë se, megjithëse ideja e bashkimit kombëtar vazhdon të ketë një mbështetje emocionale dhe simbolike, realizimi praktik i saj përballet me pengesa të shumta, të lidhura me prioritetet aktuale të shqiptarëve dhe sfidat politike e ekonomike.

Mbështetja për bashkimin kombëtar është më e ulët në zonat urbane kryesore, si Tirana dhe Prishtina, ku jeton elita kulturore, politike dhe administrative. Këto grupe zakonisht përfaqësojnë një qasje më pragmatike dhe të orientuar drejt integrimit europian, duke e parë bashkimin kombëtar më shumë si një aspiratë historike dhe emocionale sesa si një projekt të realizueshëm. Po sa i realizueshëm është projekti i ‘bashkimit’ brenda Bashkimit Europian?    

Ndërsa kjo ngjan realiste për Shqipërinë — perspektiva e anëtarësimit të Kosovës në BE është krejtësisht jorealiste, nëse kushtet aktuale gjeopolitike dhe në pozitën aktuale të Kosovës si subjekt i së drejtës ndërkombëtare vazhdojnë në të ardhmen. Nëse bashkimi kombëtar mbështetet mbi aspirata romantike, nuk mund të thuhet që bashkimi në BE reflekton një strategji më realiste. Siguria, në rastin e Kosovës, mbetet një kusht i papërmbushur. Me Serbinë, një fqinj hegjemon, ekspansionist dhe me pretendime territoriale ndaj Kosovës, mbijetesa dhe prosperimi i Kosovës janë të lidhura me jetëgjatësinë e sistemit të sigurisë kolektive. Gjithsesi, në politikën ndërkombëtare, si në çdo gjë tjetër, asgjë nuk është e përhershme; andaj mbështetja tek vetvetja është parakusht për sigurinë.    

Kuptimi i problemit

Luftërat janë një fenomen shumë kompleks njerëzor, që kombinon interesa politikë, ekonomikë, ideologjikë dhe kulturorë, si të tilla janë të paparashikueshme. Shtetet janë si bisha; shpesh abuzojnë me fuqinë duke bërë atë që munden. Ekzistojnë dy mënyra kryesore për të kufizuar abuzimin me fuqinë nga një shtet: nga brenda dhe nga jashtë.

Kufizimi i brendshëm mbështetet në një kompleks mekanizmash dhe institucionesh, si ndarja e pushteteve, kontrolli dhe balanca, sundimi i ligjit, pjesëmarrja qytetare, etj. Këtu mbështetet ideja e fisme e paqes demokratike; demokracitë nuk janë të prirura drejt luftës, aq më pak ndaj njëra-tjetrës. Por, në shumë raste, këto mekanizma janë të brishtë dhe dështojnë, siç na ka treguar historia e hershme dhe e afërt.

Nga ana tjetër, kufizimi i jashtëm është i dysojshëm; ai që mbështetet te normat dhe ligjet ndërkombëtare dhe ai që mbështetet te logjika e balancës së fuqisë. Në rastin e parë synohet të moderohet sjellja e shteteve në kuadrin e krijimit të platformave ndërkombëtare, organizatave globale, traktateve; pra, një përpjekje për të vendosur sundimin e ligjit në nivel ndërkombëtar. Megjithatë, ky sistem shpesh has probleme si zbatimi i pabarabartë ose mungesa e një autoriteti qendror që mund të imponojë këto rregulla, duke qenë se sistemi ndërkombëtar funksionon mbi logjikën e anarkisë (në mungesë të një autoriteti qendror).

Historikisht, periudhat më të paqta kanë qenë kur kemi pasur një shpërndarje të ekuilibruar të fuqisë që kanë prodhuar njëfarësoj institucionalizimi të marrëdhënieve ndërshtetërore mbështetur mbi pranimin e një realiteti të tillë të shpërndarjes së fuqisë. Kur një shtet përpiqet të zgjerohet ose të dominojë, aleancat dhe rivalitetet e jashtme shpesh e detyrojnë të ndalojë. Por as kjo nuk është garanci për shmangien e konfliktit, i cili është kokëfortë në sferën e politikës ndërkombëtare. Një mënyrë më e qëndrueshme për të kufizuar shtetet është një realitet politik ndërkombëtar që mbështetet mbi pranimin e logjikës së fuqisë dhe që përpiqet të rregullojë marrëdhëniet në respekt të normave dhe ligjeve ndërkombëtare. Kufizimi i brendshëm përmes institucioneve të forta demokratike, kufizimi i jashtëm përmes normave globale, dhe kundërbalancimi përmes rivaliteteve ndërkombëtare mund të sigurojnë që asnjë shtet të mos veprojë në mënyrë të pakontrolluar.

Kjo është pak a shumë ajo që e njohim si rendi ndërkombëtar liberal, ku veçanërisht në Evropë, krijimi i mekanizmave të sigurisë kolektive përmes një komuniteti të gjerë sigurie, të garantuar nga fuqia e SHBA-ve nën kornizën e NATO-s, ka ofruar një paqe të qëndrueshme në Evropë dhe rrethinat e saj deri në vitin 2022, diçka që u sprovua nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Zgjidhjet në Evropë, përfshi Ballkanin Perëndimor, janë mbështetur mbi parimet e një sistemi të tillë dhe një farë besimi se ky sistem do të jetë afatgjatë dhe do t'i mbijetojë sfidave të së ardhmes. Zgjidhja e krizës jugosllave pas viteve '90 ka krijuar një seri shtetesh në Ballkanin Perëndimor të bazuara mbi idenë e multietnicitetit dhe demokracisë liberale si një kornizë politike që do të garantonte bashkëjetesën paqësore ndërmjet etnive dhe grupeve të ndryshme. Kjo zgjidhje nuk ka ofruar një zgjidhje të qëndrueshme as për çështjen shqiptare dhe as për çështjen serbe — të cilat natyrisht janë dhe do të jenë ose aksi i paqes, ose i konfliktit në rajon — duke anashkaluar (për shkaqe objektive dhe subjektive) thelbin e problemit në Ballkan, i cili mbetet po ai që është krijuar që me krijimin e shteteve kombëtare në Ballkan përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit XX: disekuilibri i fuqisë që nxit ambiciet hegjemoniste serbe.

Këtu mbërrijmë tek burimi themelor i konfliktit në Ballkanin Perëndimor: shpërbërja e Perandorisë Osmane në Evropë — përmes ndarjes së territoreve shqiptare për të plotësuar aspiratat territoriale të shteteve të reja fqinje — prishi ekuilibrin kuazi-natyror demografik dhe gjeografik ndërmjet popujve kryesorë të Ballkanit: grekëve, shqiptarëve, bullgarëve dhe serbëve. Kjo çoi në formimin e një Serbie mjaft të fuqishme për të penguar paqen në kërkim të ekspansionit, por jo aq të fuqishme sa për të imponuar hegjemoninë mbi rajonin.

Ky realitet, i cili mbeti latent gjatë pjesës më të madhe të shekullit XX për shkak të kontekstit gjeopolitik dhe ideologjik ndërkombëtar, u rizgjua në fillim të viteve '90, vite të cilat u karakterizuan nga luftëra të përgjakshme që kishin në qendër ambiciet hegjemone serbe. Ndërsa, arkitektura e re e sigurisë, e mbështetur në mbrojtjen kolektive, përbën garancinë për paqe dhe stabilitet në Ballkan, në kushtet e pasigurisë së jetëgjatësisë së një sistemi të tillë, i cili më së shumti mbështetet tek supremacia amerikane, për të mbajtur një paqe të qëndrueshme, fuqia e Serbisë duhet të kundërbalancohet nga brenda rajonit nëpërmjet fuqizimit të faktorit shqiptar dhe aleancave kundërbalancuese. Kjo është e mundshme vetëm nëpërmjet unifikimit, në një formë apo një tjetër, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Barra e historisë

Një prej problemeve themelore për fuqitë e mëdha evropiane në gjysmën e dytë të shekullit XIX ishte zgjidhja e "çështjes osmane" në Evropën Juglindore, veçanërisht në Ballkan. Me Perandorinë Osmane në shpërbërje, vakumi i pushtetit që krijohej do të mbushej nga dikush tjetër. Fuqitë e mëdha — Rusia, Austro-Hungaria dhe, në një masë më të vogël, Franca, Gjermania dhe Anglia — kërkonin të shtrinin influencën e tyre. Në të njëjtën kohë, shtetet e reja që po lindnin mbi rrënojat e perandorisë synonin të zgjeronin sa më shumë territoret e tyre.

Popujt ballkanikë gëzonin mbështetje të ndryshme: grekët nga anglezët, serbët dhe bullgarët nga rusët. Shqiptarët, megjithatë, mbetën në mëshirën e Austro-Hungarisë, e cila dëshironte të kufizonte shtrirjen e sllavëve në Ballkanin Perëndimor, dhe të italianëve që synonin të pengonin shfaqjen e një fuqie të madhe ballkanike përballë tyre në Adriatik.

Pas Luftërave Ballkanike, tre shtete ortodokse — Greqia, Bullgaria dhe Serbia — u fuqizuan nga pikëpamja politike dhe territoriale. Shqipëria vazhdoi të mbetet një korridor që ndante sferat e influencës së këtyre shteteve dhe protektorëve të tyre. Kjo prishi ekuilibrin demografik dhe gjeografik në rajon, ku nën Perandorinë Osmane ekzistonte një baraspeshë mes popujve grekë, shqiptarë, serbë dhe bullgarë.

Krijimi i shteteve kombëtare, duke cenuar këtë ekuilibër, mbolli farën e konflikteve të ardhshme. Serbia, e udhëhequr nga nacionalizmi me baza mitologjike dhe etno-fetare, projektoi veten si një fuqi hegjemonike në Ballkan. Që nga "Naçertanije" e Ilija Garašaninit më 1844, synimi kryesor i politikës së jashtme serbe ishte krijimi i një shteti të madh që ringjallte lavdinë e Perandorisë së Dushanit të shekullit XIV, duke bashkuar të gjithë serbët dhe duke zgjeruar territorin në bazë të gjuhës, etnisë dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Këto aspirata mbështeteshin nga një ideologji që kombinonte fenë, mitologjinë kombëtare dhe nacionalizmin, duke i dhënë Serbisë një mision historik dhe shpirtëror. "Shën Savizmi," një sintezë e kishës, shtetit dhe kombit e iniciuar nga Shën Sava në shekullin XIII, luajti një rol kyç në formësimin e identitetit kombëtar serb dhe justifikoi aspiratat ekspansioniste.

Kombinimi i fuqizimit të Serbisë dhe dobësisë së faktorit shqiptar — për shkak të ndarjes së tij në disa shtete — nxitën oreksin e saj për zgjerim. Kjo u manifestua në përpjekje të vazhdueshme për zgjerim territorial dhe influencë politike, shpesh në dëm të popujve të tjerë, veçanërisht shqiptarëve. Territoret e banuara nga shqiptarët përfshinin zona që Serbia i konsideronte pjesë të "Serbisë së Vjetër" ose "Jerusalemit" të saj. Siç vëren Dimitrije Tucović, Serbia synoi të fitonte dalje në Adriatik duke "vrarë një komb të tërë".

Kufizimi i fuqisë së Serbisë ka qenë i vështirë, kryesisht për shkak të dobësisë së faktorëve kufizues si shqiptarët. Paqja aktuale në Ballkan mund t'i atribuohet arkitekturës së re të sigurisë të përfaqësuar nga SHBA, NATO dhe BE, që kufizojnë ambiciet serbe. Megjithatë, kjo arkitekturë është e pasigurt në kushtet e ndryshimeve në sistemin ndërkombëtar, ku transformimet gjeopolitike mund të sfidojnë stabilitetin aktual dhe të dobësojnë mekanizmat e sigurisë kolektive.

Transformimi i rendit ndërkombëtar

Rendi ndërkombëtar është në kapërcyell: po kalojmë nga një rend i mbështetur mbi norma dhe rregulla, i garantuar nga fuqia hegjemonike e SHBA-ve, drejt një rendi me shumë fuqi dhe shumë të panjohura. Së paku dy tipare kryesore të këtij transformimi mund të identifikohen:

i) Rishpërndarja e fuqisë në nivel global nga Perëndimi drejt Lindjes. Ekonomitë në zhvillim, veçanërisht Kina dhe India, po luajnë role gjithnjë e më të rëndësishme në sistemin ndërkombëtar. Kina, si një superfuqi në krijim e sipër, po sfidon rendin ekzistues ndërkombëtar duke kërkuar të ripërcaktojë normat dhe rregullat që kanë udhëhequr marrëdhëniet globale. Rusia, e cila synon të rivendosë veten si fuqi e madhe, po sfidon hapur status quo-në, duke ndërmarrë veprime që destabilizojnë balancën e fuqisë, si ndërhyrjet ushtarake dhe politike në rajone të ndryshme, ku rasti më flagrant është lufta në Ukrainë. Ndërkohë, fuqitë tradicionale perëndimore po përjetojnë një rënie relative, veçanërisht në aspektin ekonomik. Pjesa e SHBA-ve në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) global është zvogëluar nga rreth 40% në vitet 1960 në afërsisht 25.4% në terma nominalë dhe 15.6% në terma të PPP-së në vitin 2022. Në të njëjtën kohë, Kina ka rritur pjesën e saj nga 2.32% e PBB-së botërore në vitin 1980 në rreth 18% në terma nominalë dhe 18.6% në terma PPP në vitin 2022. SHBA-të po riorientojnë politikën e tyre drejt Azisë-Paqësorit për të adresuar rivalitetin strategjik me Kinën, duke ulur vëmendjen ndaj zhvillimeve në rajone të tjera si Ballkani. SHBA-të po kërkojnë të shmangin tejshtrirjen dhe të përqendrojnë burimet në sfidat më të ngutshme, por sfida më immediate mbetet zgjidhja e konfliktit në Ukrainë dhe disi më pak në Lindjen e Mesme. Kjo do të mundësonte një tërheqje graduale nga këto angazhime konsumuese dhe përqendrimin e fuqisë së saj në kufizimin e shtrirjes së fuqisë së Kinës. Megjithatë, ky është një ekuilibër delikat, pasi SHBA-të duhet të ruajnë statusin e tyre si lider global dhe të mbajnë angazhimet ndaj aleatëve në mbarë botën, ndërkohë që navigojnë rivalitetin me Kinën pa shkaktuar një konfrontim të drejtpërdrejtë me të.

ii) Bjerrja e sistemit të mbështetur mbi rregulla dhe norma dhe tkurrja e demokracisë liberale janë prirjet e tjera. Paralelisht me zhvendosjen e fuqisë ekonomike, është vërejtur një tkurrje e demokracisë liberale dhe një rritje e autoritarizmit në mbarë botën. Shumë vende kanë përjetuar shtrëngim të kontrollit qeveritar, kufizime të lirive civile dhe pakësim të praktikave demokratike. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e demokracisë liberale dhe qëndrueshmërinë e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe norma. Me rënien relative të fuqisë së SHBA-ve dhe fokusin e tyre të zhvendosur, aftësia për të mbështetur dhe promovuar vlerat liberale është dobësuar. Po ashtu është konsoliduar edhe shpërfillja e SHBA-ve për rendit ligjor ndërkombëtar, baza e sistemit të mbështetur mbi rregulla dhe norma. Kjo shpërfillje pothuajse universale e ligjit ndërkombëtar e ka rifutur botën në logjikën e politikës së fuqisë.

Ndikimi në Ballkan

Zgjidhjet e konflikteve që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë u mbështetën në supozimin se rendi ndërkombëtar liberal, i ngritur mbi norma dhe vlera të pranuara gjerësisht, do të zgjaste  pafundësisht. Megjithatë, ky supozim doli i brishtë, pasi respektimi i këtyre normave varej thellësisht nga prania dhe ndikimi efektiv i fuqive perëndimore, në mënyrë të veçantë SHBA-ve. Me zvogëlimin e këtij ndikimi, themelet normative të rendit u lëkundën dukshëm.

Këto transformime në nivelin ndërkombëtar pritet të reflektohen edhe në rang rajonal. Ndonëse ombrella e NATO-s —anëtare të së cilës janë tre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor — dhe perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian ofrojnë një bazë për ruajtjen e paqes në rajon, paqëndrueshmëria e brendshme e këtyre organizatave, pasiguria mbi të ardhmen e tyre dhe mungesa e një perspektive realiste të integrimit në BE, veçanërisht për Kosovën dhe Serbinë, mund të nxisin rikthimin e Ballkanit në logjikën e politikës së fuqisë.

Në këtë sfond, çështja që shtrohet është: A janë shqiptarët të përgatitur për një realitet të tillë?  

Origjina e ‘çarjes’ shqiptare

Në qasjen e Shqipërisë ndaj rajonit janë vërejtur dy tradita gjatë dekadave të fundit:
i) Marrëdhëniet me Serbinë kalojnë përmes Kosovës, ku raportet shqiptaro-serbe nuk reduktohen në marrëdhënie midis shteteve, por shihen si një çështje ndërnacionale mes shqiptarëve dhe serbëve. Sipas kësaj qasjeje, nuk mund të kemi marrëdhënie të normalizuara ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës pa një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

ii) Shqipëria duhet të ndjekë interesat e saj shtetërorë dhe të zhvillojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë, pa u kushtëzuar nga problematikat mes Serbisë dhe Kosovës. Madje, kjo qasje nënkupton se Shqipëria duhet të jetë udhëheqëse e politikës shqiptare në rajon, ndërsa Kosova ta ndjekë këtë politikë. Kjo traditë e dytë është afirmuar sidomos gjatë dekadës së fundit nën udhëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.

Sot, këto dy koncepte të ndryshme kanë marrë formën e një përçarjeje të theksuar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, kryesisht të artikuluar përmes konfliktit politik mes Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Kosovës, Albin Kurti. Kjo përplasje nuk u krijua nga hiçi, por pasqyron dallimet e kahershme në mënyrën e interpretimit të rolit të Shqipërisë në rajon dhe raportit të saj me Kosovën dhe nën hijen e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm në Kosovë dhe në Shqipëri, nuk duken gjasa për zhvendosje politike.

Rama ka mbështetur politika të cilat në Kosovë janë parë si të diskutueshme, duke shtuar tensionet mes dy qeverive. Marrëdhënia e tij e afërt me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe mbështetja e tij për nismën e “Open Balkan” (e promovuar pa një konsultim me Kosovën dhe pa marrë parasysh vullnetin e saj) kanë shkaktuar reagime të ashpra në Prishtinë, sidomos mes mbështetësve të Kurtit. Këta e shohin këtë si cenim të interesave të Kosovës dhe devijim nga parimi i parë, sipas të cilit normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë kalon domosdoshmërisht nga zgjidhja e konfliktit mes Beogradit dhe Prishtinës.

Përveç kësaj, Rama ka kritikuar ashpër mënyrën si Kurti menaxhon situatën në veri të Kosovës dhe raportet me SHBA-në e BE-në. Vendime si anulimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, dërgimi i një dokumenti në Paris dhe Berlin mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, dhe propozimi i një konference ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, kanë thelluar më tej ndasitë mes Tiranës dhe Prishtinës.

Edhe profili politik i Kurtit ka luajtur rol në këtë përplasje. Ai shihet si një politikan i vendosur, madje kokëfortë e dogmatik, duke e shprehur këtë sjellje edhe kundrejt presioneve ndërkombëtare. Kjo qasje shihet si në përputhje edhe me kërkesat e elektoratit në Kosovë ku kujtesa e luftës është e freskët dhe pasiguria që vjen nga Serbia ende e pranishme. Në të njëjtën kohë, imazhi i Ramës si një figurë më pragmatike, fleksibël dhe e pranueshme për komunitetin ndërkombëtar, si dhe aftësia e tij për të balancuar neutralitetin midis Prishtinës dhe Beogradit, i përshtatet një elektorati në Shqipëri që është më i prirur drejt pragmatizmit post-nacionalist.

Përplasja e sotme mes Ramës dhe Kurtit është në fakt vazhdim i një dinamike më të hershme: mosmarrëveshjet mes Tiranës dhe Prishtinës kanë ekzistuar edhe më parë, p.sh. mes ish-presidentit shqiptar Sali Berisha dhe liderëve të Kosovës si Ibrahim Rugova e më vonë Hashim Thaçi. Por tani, me dy kryeministra të fuqishëm politikisht, secili me një mbështetje vendase të konsoliduar dhe me profil ndërkombëtar më të lartë se zakonisht për vende të vogla, këto ndarje janë bërë më të dukshme dhe më publike. Gjithsesi, nëse Rama dhe Kurti do të ishin arsyet e vetme të kësaj ‘ndarje’, situata do të ishte shpresëdhënëse dhe e korrigjueshme. Ky tension ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka disa veti strukturore që nuk mund të anashkalohen.

Vetitë strukturore

Konflikti ndërmjet Edi Ramës dhe Albin Kurtit nuk është thjesht një konflikt mes dy individësh, por përfaqëson manifestimin e një simptome më të thellë, strukturore dhe sistemike, e cila i ka rrënjët në natyrën e organizimit politik të shqiptarëve në rajon. Së pari, sepse është në natyrën e shteteve të ndjekin interesat e tyre shtetërore, dhe së dyti, sepse as Shqipëria ashtu edhe Kosova nuk mund të pretendojnë rolin e 'kujdestarisë' mbi çështjen shqiptare.

Pavarësisht sentimenteve romantike nacionaliste, shtetet në përgjithësi shfaqin dy karakteristika të rëndësishme. Së pari, ato refuzojnë të vdesin. Që në momentin e krijimit, është në natyrën e shteteve ta konsolidojnë ekzistencën e tyre. Shtetet, si entitete politike, synojnë ta sigurojnë mbijetesën dhe vetëpohimin në shoqërinë ndërkombëtare. Ata veprojnë në mënyrë aktive për ta konsoliduar pozicionin e tyre dhe për ta ruajtur integritetin territorial. Shkalla e vdekshmërisë së shteteve është e ulët në krahasim me organizmat e tjerë shoqërorë, sepse ata e kanë interesin e qartë për të mbijetuar si entitete të pavarur. Së dyti, shtetet zakonisht krijojnë kombe dhe kjo e shpjegon faktin që shumica e kombeve moderne janë krijime të shteteve dhe jo kombe primordiale. Në shumicën e rasteve, kombet moderne janë produkt i proceseve shtetërore dhe politikave identitare të shtetit. Nëpërmjet politikave të ndryshme, shtetet promovojnë një ndjenjë të përbashkët përkatësie identitare. Kosova nuk bën përjashtim nga rregulla e mësipërme.

Megjithëse Shqipëria është parë shpesh si një pikë reference për shqiptarët në rajon, kjo nuk duhet konsideruar si diçka e dhënë apo e pandryshueshme. Shpërndarja e popullsisë shqiptare në Ballkan është e tillë që e bën qasjen paternaliste të Tiranës një strategji të parealizueshme në praktikë. Shqipëria mund të shërbente si një qendër gravitacionale për shqiptarët nëse do të gëzonte një epërsi të qartë demografike, ekonomike apo politike. Megjithatë, të dhënat reale tregojnë se Shqipëria dhe Kosova kanë popullsi dhe nivele zhvillimi të përafërta, pavarësisht avantazheve të dukshme politike dhe ekonomike të Shqipërisë. Kosova e kompenson këtë me afërsinë emocionale më të madhe që shqiptarët në Ballkan, përtej Republikës së Shqipërisë, shfaqin për Kosovën. Në këtë këndvështrim, gara për përfaqësimin e çështjes shqiptare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është e natyrshme. Kjo prirje për autonomi dhe përfaqësim nga ana e Kosovës pritet të theksohet me kalimin e viteve dhe konsolidimin e shtetit të saj, duke e bërë më të ndjeshme dhe problematike çarjen me Shqipërinë. Një perspektivë e tillë ka implikime negative si për shqiptarët, ashtu edhe për sigurinë dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.

Pasojat e çarjes

Strategjia e Serbisë në raport me shqiptarët është mbështetur tradicionalisht mbi parimin e krijimit të një dallimi ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre që jetojnë në pjesët e tjera të Ballkanit, veçanërisht shqiptarëve të Kosovës. Fillimisht, Serbia e trajtonte çështjen e shqiptarëve të Kosovës si një çështje të brendshme, por kjo qasje u bë e pamundur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Për pasojë, Serbia ndryshoi strategji duke tentuar të negociojë çështjen shqiptare drejtpërdrejt me Tiranën zyrtare, duke i njohur një rol paternalist mbi shqiptarët dhe një “legjitimitet” për të negociuar një zgjidhje të problemit historik serbo-shqiptar. Në të dyja rastet, qëllimi kryesor ka qenë krijimi i një përçarjeje ndërmjet faktorit shqiptar, që do të dobësonte pozitat e tyre në negociata ose do t’i jepte kohë Serbisë për të minuar legjitimitetin e Kosovës. Kjo strategji ka funksionuar deri diku, pasi Shqipëria dhe Kosova ndjekin politika të pavarura ndaj Serbisë, duke i dhënë kësaj të fundit një avantazh të paracaktuar.

Në këtë "kurth" kanë rënë edhe SHBA-të, të cilat, në përpjekje për të akomoduar Serbinë brenda një kornize gjeopolitike që e shkëput atë nga Rusia, kanë mbështetur fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, duke anashkaluar Kosovën në kuadër të “strategjisë tripalëshe”. Kjo strategji vendos Serbinë, Kroacinë dhe Shqipërinë si aksin kryesor të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke njohur interesat e tyre legjitime dhe duke i përfshirë në proceset rajonale për siguri dhe bashkëpunim. Megjithatë, kjo qasje ka disa dobësi të dukshme. Së pari, ajo bazohet në një qasje johistorike që neglizhon ndikimin e nacionalizmit serb dhe iluzionin e Serbisë si fuqi dominuese. Së dyti, ajo përjashton interesat e aktorëve më të vegjël si boshnjakët, malazezët dhe maqedonasit, duke krijuar ndjenja padrejtësie që rrezikojnë stabilitetin. Së treti, dhe më e rëndësishmja, strategjia nënvlerëson ndarjet brenda faktorit shqiptar, ku Kosova sfidon hapur paternalizmin e Tiranës, duke e bërë aksin Tiranë-Beograd-Zagreb të paefektshëm. Vetë SHBA-të kanë zbehur mbështetjen për këtë strategji, por dëmet e saj janë të dukshme, duke nxitur aspiratat e Serbisë në Kosovë dhe përkeqësuar mundësinë për një zgjidhje afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në pamundësi të përfundimit  

Në fillim të kësaj analize parashtruam tezën se origjina e konfliktit në Ballkan qëndron në prishjen e ekuilibrave të fuqisë përmes ndarjes së shqiptarëve në disa shtete, gjë që i ka dhënë Serbisë iluzionin e fuqisë hegjemone në rajon. Megjithatë, Serbia duket se është më e fortë se ç’duhet për të hequr dorë nga kjo ambicie dhe më e dobët se ç’kërkohet për ta vendosur këtë hegjemoni. Burimi i konfliktit është izoluar për momentin, falë mekanizmave të sigurisë kolektive si NATO dhe prospekti i anëtarësimit në BE, por çdo zgjidhje afatgjatë do të duhet të trajtojë origjinën e gjendjes konfliktuale. Kjo nënkupton unifikimin e faktorit shqiptar dhe fuqizimin e tij si kundërpeshë ndaj Serbisë, jo si alternativë ndaj mekanizmave ekzistues të sigurisë, por si plotësim i tyre. Megjithatë, shqiptarët nuk kanë as terezi, as strategji për ta bërë këtë. Së paku për aq sa mund të shohim drejt së ardhmes nga mësimet që nxjerrim prej së shkuarës.

të ngjashme