KIM MEHMETI

Shqiperi Kosovo kufiri i çuditshëm me vetveten.

Ne ia dolëm që sado pak t’i bëjmë më të kalueshëm kufijtë shqiptaro-shqiptarë të cilët dikur ishin ndarë nga muri i lartë ideologjik, por nuk ia dolëm t’i shlyejmë plotësisht muret mendore që ndajnë botën tonë mbarëshqiptare.

Ne ia dolëm që sado pak t’i bëjmë më të kalueshëm kufijtë shqiptaro-shqiptarë të cilët dikur ishin ndarë nga muri i lartë ideologjik,  por nuk ia dolëm t’i shlyejmë plotësisht muret mendore që ndajnë botën tonë mbarëshqiptare. Edhe tani që i kalojmë më lirshëm se dikur kufijtë e ‘Shqipërive’ tona, nuk mund të kapërcejmë kufirin tonë mendor që na bën të ndahemi mirë të copëzuar dhe të ndjehemi ‘ne’ këndej kufirit dhe ‘ata’ matanë kufirit, duke harruar se kështu edhe ‘ne’, edhe ‘ata’ jemi një e tërë që formon shqiptarinë me gjithçka që ajo nënkupton. Nëse nuk i shlyejmë këta kufij mendorë në ne, mund të na ndodhë që kurrë të mos e kuptojmë se  është e panatyrshme të angazhohesh për Evropë e Ballkan të bashkuar e ndërkohë të mos angazhohesh për shqiptari të bashkuar. Pra mosshlyerja e këtyre kufijve mendorë që na bëjnë të ndjehemi mirë të copëzuar, mund të na çojë drejt realizimit të projektit serb për shqiptarinë: që ne këtej kufirit dhe ata andej kufirit të flasim të njëjtën gjuhë, por të kemi histori të ndryshme dhe të ndjehemi si dy popuj të ndryshëm.  

Qysh nga rënia e sistemit socialist e këtej ne realizuam shumëçka, por edhe sot, njësoj si atëherë kur libri i botuar në Tiranë ishte ‘malli’ më i rrezikshëm për ta kontrabanduar këtej kufirit, libri i botuar në Prishtinë e Shkup mezi e kalon kufirin në Qafë-Thanë e Morinë për të arritur nëpër vendbanimet e Shqipërisë, e cila thuajse njësoj si në kohën e xhaxhit Enver, ndjehet e vetëmjaftueshme e madje si ‘nëna’ që i ka harruar dhe është mësuar të çojë jetë të rehatshme edhe pa fëmijët që ka braktisur.  Me çka bëhet gjithnjë e më e dukshme se përderisa në gjitha ‘Shqipëritë’ tona flitet shqip, dallon ‘gjuha’ në të cilën ndërtojmë të ardhmen dhe nëpërmjet së cilës e përshkruajmë të shkuarën e të sotmen. Dhe kështu në Shqipëri keni ‘gjuhën’ politike që është më e kuptueshme për Beogradin sesa për Prishtinën, ndërsa në Prishtinë keni gjuhën që shpeshherë e bën të pakuptueshme për Tiranën. Apo, keni Prishtinën zyrtare që është e aftë të kuptojë më mirë qeverinë maqedonase me mendësi politike serbe, sesa shqiptarët që jetojnë në këtë shtet e që nuk dinë në cilën gjuhë t’ia shpjegojnë Shqipërisë e Kosovës se ç’mëkat bëjnë kur mbështesin burrështetasit maqedonas edhe kur ata dukshëm tregojnë se nuk i duan shqiptarët si ndërtues të shtetit, por si vasalë dhe qiraxhinj të tij.  

Shqiptarët sot kudo qofshin jetojnë më të lirë se kurdoherë apo të paktën kanë në xhep pasaportën që ua mundëson braktisjen e trojet e tyre kur të duan. Kjo liri që i ka bërë të afërt me botën, nuk i ka bërë më të afërt mes veti. I bën të ndjehen më pranë vendeve ku shtegtojnë dhe ku bëjnë çmos t’i ngjajnë sa më shpejt vendasve të shteteve perëndimore të cilëve u dhurojnë jo vetëm rininë, por edhe pjellën e tyre që nuk do të kenë për vendlindje vendin e prindërve të tyre, por atë ku kanë lindur. Kështu shqiptarët shtohen si qytetarë të botës, por pakësohen si pjesëtarë të shqiptarisë. Ideali që i prin shqiptarët sot nuk është ai që mbajtën gjallë shumë gjenerata të paraardhësve tanë për një popull, një gjuhë, një flamur e një shtet, por për pasaporta të ndryshme në xhepin e shqiptarit e që atyre ua mundëson ta braktisin vendlindjen e të jetojnë të integruar me të tjerët e të copëzuar mes veti. Me çka pra ‘Shqipëritë’ tona u bënë vende ku - njësoj siç dikur ish-Jugosllavia e përballte pakënaqësinë e rinisë shqiptare duke u dhënë atyre pasaportën që do ua mundësonte braktisjen  e vendit të pakënaqësive të tyre – çdokush lirshëm mund ta braktisë vendlindjen, kështu që ‘Shqipëritë’ tona janë shtete ku arritja më e madhe kombëtare është liberalizimi i vizave, çka që do të mundësojë të zbrazen e trojeve shqiptare që do të kthehen në kopshte pa pronar nga ku çdokush mund të marrë me të vlefshmen që ka një popull dhe pa të cilën ai nuk ka ardhmëri – rininë shqiptare.  

‘Shqipëritë’ tona dolën nga socializmi me përvoja të ndryshme nga e shkuara komuniste dhe në vend që të bënin diçka që ta barazonin të sotmen, pra që ta qartësonin udhën që bashkërisht do t’i çojë drejt së ardhmes, ata lejuan që  ëndrra e shqiptarisë të partizojë dhe të copëzohet në aq pjesë sa kanë kufij ndarës, sa kanë parti, si dhe sa kanë pushtetarë të cilët siç duket mjaftohen me ‘principatën’ që drejtojnë dhe s’kanë pse duan atdhe e shqiptari, që duan të bëhen baba i popullit që nuk ka nevojë për prindër as për mbikëqyrës, por për drejtues largpamës që dinë ta mësojnë popullin e vet si ta mirëmbajë dhe ta mbajë gjallë idealin për bashkim kombëtar edhe atëherë kur jeton në pesë shtete të ndryshme.  

Kur flitet për partizimin e ëndrrës shqiptare dhe për orvatjet që ne të flasim një gjuhë, por duke ëndërruar të ardhmen çdonjëri në gjuhën e vet politike, duhet thënë se për këtë nuk janë mëkatarë të vetëm elitat politike, por edhe gjitha të tjerat që mbase edhe nuk janë aq saç shpresojmë se i kemi. Elita të cilat ashtu si edhe ajo politike, mbetën rob të mendësisë se më mirë është secila të jetojë në ‘Shqipërinë’ vet, sesa të veprojnë bashkërisht për popullin i cili nëse jo më shumë ka një ‘atdhe’ të bashkuar dhe të pandarë me kufij: gjuhën dhe flamurin! Të tillat elita në Prishtinë e Tiranë që nuk ia dolën t’i  shlyenin muret mendore se janë të vetëmjaftueshme dhe secila e gatshme të merret me ndërtimin e ‘Shqipërisë’ së vet, pra elitat e një gjuhe por të mendësive të ndryshme politike, mbollën farën e bimës së keqe që mbuloi arën mbarëshqiptare, duke mos lënë hapësirë e lirë për ta mbjellë e rritur idealin për një popull, një gjuhë, një flamur e një shtet, ideal të cilin rilindësit tanë nuk e tradhtuan as atëherë kur çdo gjë ishte më e  errët se sot.

Ku ta dish, mbase ka diçka që e kishin kuptuar rilindësit, por që nuk e dinë ‘mendjendriturit’ tanë të sotëm: se që ta arrish të mundshmen, duhet gjithmonë ta synosh idealen. Andaj, sikur edhe ata të kishin vepruar si elitat tona të sotme dhe nëse do mbështeteshin vetëm në të mundshmen dhe vetëm në atë që ta lejojnë të gjithëfuqishmit e kësaj bote, ata duhej ta tradhtonin ëndrrën mbarëshqiptare pa qenë ende e pazonja për të fluturuar. Përkundrazi, ata e mbajtën gjallë atë ëndërr dhe iu përkushtuan asaj edhe në rrethana kur e dinin se realizimi i saj është i largët dhe madje edhe vështirë i realizueshëm. Dhe i mbetën besnik këtij ideali sepse gjithmonë duhet të ëndërrosh dhe të dëshirosh, sepse vetëm kështu mund ta çosh një hap më tutje idealin e paraardhësve të tu. Kjo gjë që mbase na mungon neve sot andaj vështirë ta realizojmë edhe të mundshmen, madje ka filluar të na pëlqejë të jetojmë të ndarë me shumë kufij dhe të mos merremi vesh mes nesh edhe pse flasim në të njëjtën gjuhë.

Ndërkohë kurrë nuk duhet harruar se Shqipëria e Kosova, njëra si mëmëdhe e tjetra si atdhe i shqiptarëve të kudondodhur, janë pjellë e ëndrrës mbarëshqiptare. Ato lindën ngaqë i ëndërronte çdo shqiptar, jo vetëm ata që jetonin dhe jetojnë në këto dy shtete. Si të tilla ato janë ‘pronë’ mbarëshqiptare dhe si të tilla për ato duhet të kujdesen të gjithë shqiptarët. Kështu që jo vetëm mërgata, por përfaqësues të tyre në kuvendet e Kosovës e Shqipërisë mbase duhet të kenë edhe shqiptarët e Maqedonisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi. Të paktën për arsyen se ‘nëna’ nuk lihet në duar kujtdo, veçanërisht të politikanëve të papërgjegjshëm, si dhe shkaku se pjella e lindur nga ëndrra e përbashkët duhet mbrojtur bashkërisht.

Dhe pa dyshim se ka ardhur koha kur ne duhet të ndërtojmë të sotme me standarde mbarëshqiptare, si parakusht për ta hapur udhën që mund të na çojë drejt të ardhmes së përbashkët. Me çka edhe mund ta bashkojmë shqiptarinë që e flet të njëjtën gjuhë, por që është e ndarë në më shumë kufij gjeografikë e mendorë, që nuk ia del të flasë me gjuhën e njëjtë politike - me atë që interesin kolektiv nuk e flijon në emër të atij partiak e personal. Dhe që të rinjve tanë të kudondodhur do t’ua mundësojë të mendojnë ‘shqip’ gjithmonë e jo vetëm kur kombëtarja jonë e futbollit përballet me ndonjë skuadër të huaj. Që do t’i ndihmojë ata të kuptojnë se nëse duan që toka jote të të ndjejë si pronar të vetin, atëherë atë duhet ta duash. Pra që t’u mundësojë ta kuptojnë se mund të jesh pronar i tokës tënde vetëm kur e punon atë, vetëm kur e përkëdhel dhe dëshmon se nuk e tradhton dhe nuk ia kthen kurrë shpinën.  

Pa dyshim, ka ardhur koha që të sillemi si vëllazëri e cila edhe kur jeton në disa shtëpi - si ne sot në këtë Ballkan – duhet të dijë se cilat janë pronat e saj dhe ato t’i mbrojë bashkërisht. Si dhe ta kuptojmë se  në çastin kur shkallët që të ngjisin drejt idealit kolektiv i vendos në tokë të huaj – në mërgim, e jo në atë tënden, në çdo çast ato mund të t’i rrëzojnë. Kështu që sot duhet kultivuar vetëdija se nuk mjafton të flasësh shqip për të qenë i dobishëm për shqiptarinë, por duhet edhe të mendosh shqip që të jesh i tillë. Të mendosh shqip do të thotë ta kuptosh se shqiptaria është mirë kur në çdo cep të trojeve shqiptare rriten gjenerata që mendojnë e ëndërrojnë në gjuhën e idealit të njëjtë: të atij për një popull, një gjuhë, një flamur e një Shqipëri me të gjithë ne në të. Gjenerata që e kanë të qartë se nëse zbehet ky ideal, ne edhe do mund të jemi individualisht më të pasur materialisht, por të shpërndarë nëpër botë dhe më të paktë në numër si shqiptarë sesa jemi sot kur jetojmë në më shumë ‘Shqipëri’.

Ia dolën pra që sadopak t’i bëjmë më të kalueshëm kufijtë shqiptaro-shqiptarë. Siç e bëmë edhe më të dukshme të vërtetën se shqiptarët kufizohen nga vetvetja sepse janë përdorur që të mbushin numrin  popujve me popullatë sa për ta mbushur një autobus, por që duan të kenë shtet të vetin dhe ngaqë është dashur që shqiptaria të duket më e vogël seç është. Kjo ka ndikuar që shqiptarët të kenë shumë ‘Shqipëri’, por që askund të mos kenë shtet të qëndrueshëm të vetin. Më qartë shihet në Maqedoni ku ata përbëjnë afër gjysmën e popullsisë së shtetit, por politikisht duken shumë më pak seç janë. Dhe ku partitë politike shqiptare  assesi nuk mund të faktorizohen ngaqë ai shtet nuk do që shqiptarit të jenë ndërtues të tij. Ku drejtuesit e partive shqiptare nuk merren me hallet e shqiptarëve të Maqedonisë, por me çështjet globale dhe me mbylljen e suksesshme të ‘botës serbe’. Pra angazhohen për atë që nuk i kanë votuar përkrahësit e tyre: si ta forcojnë Maqedoninë e maqedonasve që nuk duan ta ndajnë shtetin me shqiptarët dhe si të jenë të pëlqyer nga diplomatët e huaj në Shkup, ndërkohë duke i defaktorizuar shqiptarët e këtushëm.

Partitë politike të shqiptarëve të Maqedonisë bëhen pjesë e qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut duke qenë tërësisht të pavlera për shqiptarët e këtushëm, sepse nuk dinë të mendojë shqip, gjë që i pengon të vërejë se vendin e drejtojnë partitë maqedonase, të cilat vuajnë nga mendësia politike serbe dhe si të tilla Maqedoninë  e duan të jetë një ‘Serbosllavi’ e vogël. Dhe duke u marrë vetëm me ndarjen e posteve dhe të tenderëve, partitë shqiptare nuk e shohin se janë ‘vasalë’ të pushtetarëve maqedonas, të cilët jo vetëm që janë analfabet politikë, por edhe të verbëruar nga dashuria ndaj Vuçiqit. Gjë që e bënë edhe më absurde përkrahjen e tyre nga Prishtina dhe Tirana zyrtare, nga ‘mëmëdheu’ e ‘atdheu’ që shpeshherë, shqiptarët e Maqedonisë i përdorë vetëm për biznes relacionet e qeveritarëve të atjeshëm me maqedonasit.  

Por ku ta dish, mbase edhe nuk ka si të jetë ndryshe në rrethana kur shqiptarinë e ndajnë shumë kufij gjeografik e mendor dhe kur Shqipëria ka Kryeministër kryesuesin e  ‘aleancës së qelbësirave’, kur në mëmëdheun shqiptar nuk është e qartë nëse është Piktori që drejton bandat kriminele, apo janë bandat që e drejtojnë atë.

Por ku siç duket nuk është e largët dita kur shqiptarët e atjeshëm do të falënderojnë hajdutët e 'Rilindjes' pse kanë qenë të ‘kujdesshëm’ ndaj popullit e atdheut dhe ata nuk kanë vjedhur aq sa kanë pasur mundësi dhe aq sa u është lejuar.

Pra, mbase edhe asgjë nuk mund të ndryshojë në të mirë të shqiptarisë në rrethana kur në Shqipëri nuk janë lajm vrasjet, por dasmat. Sepse vrasjet ndodhin çdo ditë e dasmat gjithnjë e më rrallë.

Në Shqipëri pra nuk është lajm as zbulimi i pushtetarit hajdut, por kthimi i përhershëm i ndonjë mërgimtari në vendlindje. Sepse në Shqipëri ke më shumë pushtetarë të akuzuar për hajdutëri sesa mërgimtarë që kthehen për ta ndërtuar të ardhme në vendlindje.  

të ngjashme