Fuqizimi i partive të ekstremit të djathtë në Europë gjatë viteve të fundit dhe veçanërisht fitimi i zgjedhjeve në parlamentin europian kanë sjellë sinjale të vazhdueshme alarmi sa i takon rritjes së tensioneve shoqërore në vendet e perëndimit. Ky fenomen mund të shpjegohet përmes faktorëve të ndryshëm social-ekonomik dhe politik,
Fuqizimi i partive të ekstremit të djathtë në Europë gjatë viteve të fundit dhe veçanërisht fitimi i zgjedhjeve në parlamentin europian kanë sjellë sinjale të vazhdueshme alarmi sa i takon rritjes së tensioneve shoqërore në vendet e perëndimit. Ky fenomen mund të shpjegohet përmes faktorëve të ndryshëm social-ekonomik dhe politik, ku përdorimi i gjuhës së urrejtjes mes grupeve të ndryshme shoqërore po shtohet dukshëm. Në këtë shkrim do të trajtohet rivitalizimi i këtyre partive në Europë, me një intensitet të krahasueshëm vetëm me periudhën mes dy luftërave botërore, si dhe do të argumentohet se boshti ideologjik i këtyre partive jo vetëm se kanë shumë pak ngjashmëri me partitë fashiste dhe naziste që u shfaqën në Europën e para luftës, por se ato mund t’i përshtaten më së miri klimës së euroskepticizmit, populizmit dhe kritikave kundrejt postmodernizmit që kohët e fundit kanë pasur një përhapje masive. Ideologjitë e ekstremit të djathtë tipikisht theksojnë problematika që lidhen me nacionalizmin, qëndrimeve kundër emigracionit dhe retorikave ksenofobe. Të tilla botëkuptime nisin të fitojnë terren gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike dhe pakënaqësive shoqërore, duke paraqitur alternativa bindëse përkundrejt atyre premtimeve të pambajtura të partive politike tradicionale.
Studiuesja e shkencave politike, Pipa Norris, shpjegon se pasiguria ekonomike dhe sfidat përballë globalizmit kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në suksesin e partive të ekstremit të djathtë. Sipas saj “Pasiguria ekonomike dhe shpërbërja e strukturave shoqërore i favorizojnë kushtet për zhvillimin e retorikave ekstremiste, për shkak se ato ofrojnë një zgjidhje tepër të thjeshtëzuar ndaj problemeve tepër komplekse”. Pakënaqësitë ekonomike, sidomos mes atyre grupeve shoqërore që e perceptojnë veten si të lënë mënjanë nga zhvillimet teknologjike që ka sjellë procesi i globalizmit, janë përkthyer në mbështetje për partitë që premtojnë mbrojtjen e interesave kombëtare dhe rivendosjen e stabilitetit ekonomik. Rrënjët e së djathtës ekstreme janë të vendosura në ndjesitë e frikës dhe ankthit të popullsisë ndaj mungesës së stabilitetit dhe sigurisë në shoqëri, e kësisoj nisin të zhvillohen në armiqësinë ndaj grupeve të tjera “të huaja”, të cilët perceptohen si përgjegjës për gjendjen e gjërave.
Instrumentalizimi politik i urrejtjes dhe fuqizimi i së djathtës ekstreme në Gjermani
Urrejtja, kryesisht në formën e resentimentit ndaj emigrantëve dhe minoriteteve është vendosur në qendër të projekteve politike të ekstremizmit të djathtë. Nga ana tjetër, partitë socialdemokrate përgjatë 30 vjetëve të fundit vetëm sa e kanë thelluar krizën e brendshme demografike të Evropës, çka ka sjellë si pasojë plakjen e popullsisë, reduktimin e skajshëm të krahut të punës dhe vakumin e profesionistëve të kualifikuar në sektorët më të rëndësishëm të shoqërisë. Problematikat e mësipërme në demografinë e shteteve perëndimore kanë sjellë rritjen e ndjeshme të kërkesave të këtyre vendeve për krah pune nga vendet joevropiane, duke krijuar kësisoj një lloj rezistence nga popullsia vendasve kundrejt multikulturalizmit të së majtës dhe specifikisht ndaj të huajve që “vijnë në vendin tonë pa respektuar vlerat dhe traditat e kulturës sonë”. Politologu Cas Mudde e ka trajtuar gjerësisht fenomenin e zhvillimit të ekstremizmit të djathtë në Holandë, por edhe në vendet e tjera të BE-së. Ndër të tjera ai shkruan se “E djathta ekstreme e ka furnizuar zgjerimin e ndikimit të saj politik përmes instrumentalizimit të pasigurive të popullsisë vendase në prezantimin e ‘armikut të jashtëm’ që vjen në formën e emigrantëve dhe minoriteteve.”
Mirëpo narrativa mbi kolapsin e social-demokracisë në Evropë mund ta shpjegojë vetëm pjesërisht suksesin e ligjërimeve populiste të ekstremizmit të djathtë. Pavarësisht suksesit të këtyre partive në vende të ndryshme si Hungaria, Polonia, Greqia, Franca dhe Italia, programi i tyre politik nuk përfaqëson një qëndrim të unifikuar sa i takon çështjeve ekonomike. Të vetmet pika ku mund të bashkohen këto parti janë çështjet e politikës së jashtme si: paqja në Ukrainë, euroskepticizmi dhe largimi i emigrantëve të paligjshëm. Në Gjermani për shembull, AfD-ja (Alternative fürDeutschland) u konceptua fillimisht si një parti që mbështeste tregun e lirë dhe jo vetëm që ishte kundër përdorimit të euros, por edhe Shtetit të Mirëqenies Sociale në tërësi. Prapëseprapë qëndrimi i tyre sa i takon politikave ekonomike na thotë shumë pak mbi alternativën e mirëfilltë ekonomike që përfaqëson kjo parti krahas heqjes së euros dhe rivendosjes së Deutch Markave. Sipas studiueses Pipa Norris, suksesi i AfD në Gjermani mund t’i atribuohet resentimentit të shtuar ndaj politikave liberale të ndjekura nga qeveria Merkel kundrejt emigrantëve. Teksa kërkesat për azil në Gjermani gjatë vitit 2010 shënonin dhjetëra mijë aplikime, në vitin 2015 si rrjedhojë e luftërave në Siri dhe Afganistan ato u shtuan edhe më tej. Gjatë këtij viti, BE-ja miratoi kërkesat e rreth 1.3 milionë azilkërkuesve. Në Gjermani, qeveria e kancelares Angela Merkel mori një vendim të guximshëm duke pranuar kërkesën e pothuaj çdo emigranti që kërkonte të vinte në Gjermani. “Fjalët e kancelares Merkel ‘Ne mund t’ia dalim’ (‘We can manage this!’) promovuan një kulturë mikpritjeje ndaj rezidentëve të huaj duke pranuar mbi 1 milionë aplikime në vetëm 2 vjet.” Rritja e numrit të emigrantëve në Gjermani, me kalimin e kohës nisën t’i shtojnë retorikat nacionaliste të bazuar mbi Identity Politics. E themeluar në vitin 2013, AfD-ja nuk është përpjekur shumë që t’i fshehë prirjet e saj raciste dhe islamofobe. Por gjatë pesë vjetëve të fundit, sipas sociologut Wilhelm Heitmeyer, “qëndrimet e AfD janë radikalizuar edhe më tej. Sot AfD-ja përfaqëson partinë më ekstremiste të së djathtës në Evropë edhe nëse e krahasojmë me të tjera parti ekstremiste, si Demokratët e Suedisë, Partia e Findlandezëve, Partia Holandeze për Liri apo Fratelli d’Italia.” Tanimë AfD-ja, shkruan Heitmeyer, “Mbron idenë e një autoritarizmi radikal kombëtar, pra një ideologji e cila propagandon hierarki socialisht të ndara, një shoqëri etnikisht homogjene e të kontrolluar nga një shtet i fortë. Por ajo çka është edhe më shqetësuese është mobilizimi i grupeve të dhunshme të shoqërisë nga kjo parti, të cilët shpeshherë kanë sulmuar grupe e pakicave. Pjesë e AfD-së janë grupe të tjera të shquara në përdorimin e gjuhës së urrejtjes si neonazistët. Këta të fundit kanë shkaktuar vazhdimisht incidente dhe akte dhune gjatë tridhjetë vjetëve të fundit, teksa viktimat e tyre kanë qenë më së shumti refugjatët, rezidentët e huaj, myslimanët dhe anëtarë të LGBTQ+.” Në zgjedhjet e fundit në Gjermani, AfD fitoi 10.6% të vendeve në Bundestag, ose 78 deputetë. Sipas sondazheve të sivjetme, gjasat janë që në zgjedhjet e vitit 2025 AfD-ja të ketë edhe më shumë deputetë duke u kthyer në një forcë politike që mund të ndikojë në formimin e qeverisë.
Zgjedhjet e parakohshme në Francë dhe rreziku i fitores së RN
Franca paraqet një rast edhe më flagrant të rritjes së tensioneve shoqërore, pasi ndryshe nga Gjermania, në zgjedhjet e fundit në Francë pati një rritje të dukshme (mbi 25%) të Partisë Komuniste (La France Insoumise), krahas Rassemblement National të Le Penit që është në krye të sondazheve për zgjedhjet e 30 qershorit. Në vitin 2011, themeluesja e RN, Marine Le Pen, nis një proces transformimi të Partisë së dikurshme Fronti Nacional (Front Nacional). Krahasimisht me FN, RN-ja e Marine Le Pen, i ka moderuar retorikat ksenofobe për t’i kthyer në ligjërime ku theksohet ruajtja e identitetit kombëtar francez, si dhe e parimeve të laicizmit, duke e maskuar disi gjuhën e urrejtjes ndaj emigrantëve të përdorur haptazi nga FN-ja e Jean-Marie Le Pen. Në këtë mënyrë, RN fillon të tërheqë pas vetes edhe elektoratin më të moderuar të shoqërisë franceze, duke u kthyer kështu në një parti që mbështet proteksionizmin në ekonomi, drejtësinë shoqërore dhe sovranitetin shtetëror. Nën udhëheqjen e Marine Le Pen, RN-ja paraqitet tashmë si mbrojtëse e të drejtave të “njerëzve të thjeshtë” kundër elitave politike që mbrojnë globalizmin dhe projektet politike multikulturaliste. Në këtë kuptim, ndryshe nga AfD-ja në Gjermani, e djathta ekstreme franceze ka përvetësuar shumë teza ekonomike të së majtës si proteksionizmi dhe “shteti i madh”, por duke ruajtur gjithsesi kritikat ndaj BEsë dhe të majtës postmoderne. Në raport me qëndrimin ndaj BE-së, RN është transformuar nga një parti që kërkonte shkëputjen nga BE-ja (Frexit), drejt synimit për ta reformuar atë, por gjithmonë me objektiv reduktimin e pushtetit politik të Brukselit në favor të rritjes së sovranitetit shtetëror. Gjatë një interviste për të përditshmen Le Figaro, aktivisti Jean-Yves Camus radhit disa nga arsyet e popullaritetit të së djathtës ekstreme në Francë. Ndër të tjera ai thekson se “Perceptimi i përgjithshëm që ekonomia franceze po përkeqësohet, rritja e papunësisë, rritja e inflacionit, si dhe çështjen e ruajtjes së identitetit kombëtar si sfidë përballë ardhjes masive të emigrantëve nga ish-kolonitë franceze sidomos gjatë viteve të fundit.” Njëkohësisht duhet thënë se promovimi i vlerave të multikulturalizmit në Francë ka ecur me ritme shumë më të ngadalta sesa në vendet e tjera të Perëndimit. Gjatë intervistës, Camus shprehet se “Franca nuk është një vend multikulturalist, çka do të thotë se një funksionar shtetëror apo një punonjës i thjeshtë në zyrat shtetërore nuk i lejohet të ketë çfarëdolloj simboli fetar që bie ndesh me parimet e laicitetit. Kësisoj, askujt nuk i lejohet që të shfaqë aspekte të identitetit të tij fetar në një institucion që funksionon vetëm mbi themelet e laicitetit.” Oferta politike e RN qëndron pikërisht në premtimin për ruajtjen e këtij laiciteti nga shumësia e kulturave e traditave të ndryshme që jetojnë në Francë dhe që nga perspektiva e kësaj partie i cenojnë vlerat dhe kulturën e shoqërisë franceze.
Nga sondazhet e fundit mbi zgjedhjet e 30 qershorit, ekspertët e politikës franceze kanë projektuar tri skenarë të ndryshëm se cila nga partitë do ta formojë qeverinë pas raundit të dytë të zgjedhjeve më 7 korrik. Skenari i parë është një shumicë e brishtë e partisë së Macron, i dyti parashikon një bashkëqeverisje mes Macron dhe RN, ndërsa në skenarin e tretë paramendohet se asnjë nga koalicionet nuk do arrijë të fitojë shumicën absolute duke nxitur kështu fragmentarizimin e mëtejshëm të parlamentit dhe mundësinë për ribërjen e zgjedhjeve. Sipas ekspertëve, skenari i tretë pritet të jetë ai më i mundshmi, ku Presidentit i kufizohet kompetenca për ta shpërndarë Asamblenë Kombëtare brenda një periudhe 1-vjeçare dhe për rrjedhojë, në kushtet e një Presidenti me kompetenca të kufizuara dhe një parlamenti të fragmentarizuar, do të rritet më tej mbështetja për partitë anti-sistem. Nga ana tjetër, ekstremi i majtë nën lidershipin e Jean-Luc Mélenchon paraqet një rrezik po aq të madh për minoritetet, veçanërisht për hebrenjtë, saqë komuniteti i hebraik në Francë i trembet më tepër antisemitizmit të së majtës ekstreme sesa atij të së djathtës ekstreme. Në një artikull për The Telegraph, aktivisti Serge Klarsfeld, i cili është angazhuar prej dekadash në mbrojtjen e të mbijetuarve dhe viktimave të holokaustit, shprehet se do të preferonte të votonte partinë e Le Penit, pavarësisht se kjo e fundit e mohon ngjarjen e holokaustit, sesa Frontin Popullor ku janë të përfshirë antisemitët më ekstremistë të vendit. Në fjalimet e drejtuara elektoratit të saj, thirrjet e Marine le Pen që brohoriten më tepër nga votuesit janë deklaratat e tipit “Më jepni një arsye të vetme që t’i lëmë të jetojnë në territorin tonë të huajt të cilët bashkëpunojnë me ideologjitë totalitare dhe duan të vrasin popullin francez!!!” Në Francë dhe Itali partitë e ekstremit të djathtë kanë fituar mbështetjen e shtresave të nevojë të popullsisë, aq sa në zgjedhjet e fundit në Itali, Matteo Scalvini i Lega Nord deklaronte se “programi ynë politik është i vetmi që ka në qendër të vëmendjes shtresat e varfra.” Po njësoj edhe Marine Le Pen në fjalimet e saj ka kritikuar rishtasi elitat ekonomike, të pasurit dhe teknokratët e BE-së për faktin se sot në Francë shkalla më e lartë e papunësisë vërehet te shtresat më të ulëta të shoqërisë. Në këto kushte, narrativat e dikurshme të partive social-demokrate të Evropës tashmë po adoptohen nga partitë ekstremiste të djathta dhe në këtë kuptim të majtët duket se nuk kanë më asnjë fabul politike për t’i ofruar shtresave sociale që i ka përkufizuar ideologjikisht ndër vite.
Përfundime
Kriza e emigrantëve ka nxjerrë në pah një Evropë të polarizuar e të përçarë duke përforcuar formimin e ndarjeve të reja ideo-politike. Nën dritën e ekonomisë së sotme globale ndarjet tradicionale mes së majtës dhe të djathtës gradualisht janë duke u zëvendësuar nga konflikti mes “globalistëve dhe vendasve”, apo siç e quan politologu Ivan Krastev, “Mes atyre që mbështesin shoqërinë e hapur (Open Society) dhe atyre që mbështesin shoqëritë e mbyllura dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Mirëpo nëse ardhja e një milion emigrantëve në Evropën e vitit 2010 mund të duket një numër i madh, në fakt nuk është i paprecedent. Qysh nga Lufta e Dytë, Evropa është përballur me valë të ndryshme emigracioni, pa pasur këtë tension politik e shoqëror që ka sot. Sipas të dhënave nga Financial Times, në vitin 2015 kishte mbi 20 milionë refugjatë në mbarë botën në kërkim të një vendi të ri, kurse Evropa strehoi në total vetëm 5% të këtij numri të përgjithshëm. Pjesa më e madhe e refugjatëve të ardhur nga luftërat në Siri dhe Afganistan u strehuan në Turqi, Jordani dhe Iran. Me fjalë të tjera, kriza e emigrantëve në të vërtetë qe një krizë globale, por pse kjo valë emigracioni solli një reagim kaq të ashpër në Evropë, kur në fakt Evropa priti një numër kaq të papërfillshëm emigrantësh? Përgjigjen e kësaj pyetjeje mund ta identifikojmë në mënyrën se si është ndërtuar narrativa e identitetit kombëtar nga e djathta populiste në vende të ndryshme të Evropës. Evropa e dekadave të fundit është qeverisur përgjithësisht nga liderë teknokratë, të cilët kanë qenë tërësisht të shkëputur nga baza e elektoratit. Në nivel kombëtar, anëtarësia në partitë tradicionale të masave gjatë 40 vjetëve të fundit është ulur me 63.3% (kjo shifër e publikuar nga Financial Times i referohet vetëm Francës, Italisë dhe Anglisë). Gjithashtu, këto parti politike drejtoheshin nga një grup burokratësh, elitash dhe zyrtarësh karrieristë që nuk përbënin asnjë ndryshim nga njëra parti në tjetrën, por duhet thënë se këto parti të quajtura ndryshe catch all parties kanë dominuar skenën politike të perëndimit më së paku qysh nga fundi i Luftës së Ftohtë. Pikërisht nga kjo perspektivë mund ta shquajmë suksesin e partive ekstremiste: komunikimi i tyre politik është shumë më i lidhur më bazën e elektoratit, fermerët dhe shtresat e margjinalizuara të shoqërisë, gjithashtu janë shumë më të efektshëm në mobilizimin e masave nëpërmjet përdorimit të rrjeteve sociale, të cilat mundësojnë që mesazhet që i bëjnë apel frikës dhe indinjatës të filtrohen shumë më shpejt në masat e popullsisë sesa komunikimi ‘politikisht korrekt’ i partive tradicionale. Në këtë kuptim, suksesi i këtyre partive nuk qëndron dhe aq në përmbajtjen e ofertës së tyre politike por më së tepërmi në mënyrën se si këto parti kanë arritur t’i drejtohen popullsisë. E në një epokë kur njerëzit po tëhuajësohen përherë e më tepër nga komuniteti dhe shoqëria ku bëjnë pjesë, apeli i emocioneve luan një rol parësor në krijimin e një sensi të përkatësisë dhe identiteti të përbashkët.
The politicization of social tensions in Europe and the rise of the far-right
The strengthening of far-right parties in Europe over the last few years and especially the winning of the elections in the European Parliament have brought constant alarm signals regarding the increase in social tensions in Western countries. This phenomenon can be explained through various socio-economic and political factors, where the use of hate speech between different social groups is increasing significantly. In this article, the revitalization of these parties in Europe will be treated, with an intensity comparable only to the period between the two world wars, and it will be argued that the ideological axis of these parties, not only have very little similarity with fascist and Nazi parties that emerged in pre-war Europe, but that they may be better suited to the climate of Euroscepticism, populism and criticism of postmodernism that has recently become widespread. Far-right ideologies typically emphasize issues related to nationalism, anti-immigration attitudes, and xenophobic rhetoric. Such worldviews begin to gain ground during periods of economic uncertainty and social discontent, presenting compelling alternatives to the unfulfilled promises of traditional political parties.
Political science researcher Pipa Norris explains that economic uncertainty and the challenges of globalization have contributed significantly to the success of far-right parties. According to her, "Economic insecurity and the disintegration of social structures favor the conditions for the development of extremist rhetoric, because they offer an overly simplified solution to extremely complex problems." Economic discontent, especially among those social groups that perceive themselves as left out of the technological developments brought about by the process of globalization, have been translated into support for parties that promise the protection of national interests and the restoration of economic stability. The roots of the extreme right are located in the feelings of fear and anxiety of the population towards the lack of stability and security in society, thus they begin to develop into hostility towards other "foreign" groups, who are perceived as responsible for the state of things. This approach will be held by observing two of the most discussed far-right parties in contemporary Europe such as the Alternative fürDeutschland (AfD) party in Germany and the Rassemblement National (RN) in France.