Në shumicën e rasteve përgjatë historisë, luftërat nuk kanë qenë vendimmarrje racionale. Ato janë ndikuar nga pasione, ideologji, interesa politikë të brendshëm etj. Shumë luftëra në Romën e Vjetër, Greqinë e Vjetër, luftërat e persëve, luftëra në periudhat e mëvonshme të Mesjetës, luftërat e epokës moderne, dy luftërat botërore janë të ngarkuara me irracionalitet të lartë. “Sigurisht që vendimmarrësit përpiqen të bëjnë llogari, të studiojnë situatat, të përgatisin masa të kujdesshme që ndikojnë vendimmarrjet, por gjithsesi pasionet, ideologjitë, interesat politikë të brendshëm janë aq të fortë, sa ato janë thelbi i vendimmarrjes”, thotë Michael Mann i universitetit të Kalifornisë, Los Anxhelos.
Në shumicën e rasteve përgjatë historisë, luftërat nuk kanë qenë vendimmarrje racionale. Ato janë ndikuar nga pasione, ideologji, interesa politikë të brendshëm etj. Shumë luftëra në Romën e Vjetër, Greqinë e Vjetër, luftërat e persëve, luftëra në periudhat e mëvonshme të Mesjetës, luftërat e epokës moderne, dy luftërat botërore janë të ngarkuara me irracionalitet të lartë. “Sigurisht që vendimmarrësit përpiqen të bëjnë llogari, të studiojnë situatat, të përgatisin masa të kujdesshme që ndikojnë vendimmarrjet, por gjithsesi pasionet, ideologjitë, interesat politikë të brendshëm janë aq të fortë, sa ato janë thelbi i vendimmarrjes”, thotë Michael Mann i universitetit të Kalifornisë, Los Anxhelos.
Llojet e luftërave janë të ndryshme. Ka raste kur një shtet, një ushtri ose një entietet territorial-politik i caktuar sulmon një territor apo një shtet për grabitje. Ai shkon, grabit dhe ikën. Një lloj tjetër i luftës është përpjekja për të ndryshuar regjimin në një vend tjetër, për të vendosur aty qeverinë që do. Pas kësaj lufta mbaron.
Gjithashtu gjatë gjithë historisë së njerëzimit është parë edhe lufta ku një vend ose një ushtri sulmon sepse kërkon të marrë nën kontroll dhe të sundojë një pjesë të territorit të vendit tjetër duke e quajtur këtë rivendosje në vend e një të drejte që ai e pretendon. Lloji i fundit i luftës thotë Michael Mann është ajo e nevojës për krijim perandorie për të sunduar territore të mëdha.
Sot bota është në një situatë shumë të tensionuar, shumë të tendosur, me spazma dhe konvulsione. Kjo situatë ka prodhuar luftë në Ukrainë, luftë në Gaza ose të paktën lufta në Ukrainë dhe në Gaza është e ndikuar edhe nga një situatë e tendosur midis fuqive dhe vendeve kryesore vendimmarrëse të botës. Kjo është ndoshta koha më e ndërlikuar që nga Lufta e Dytë Botërore. Le t’i shohim pak më në detaje se çfarë po ndodh në të vërtetë, për të kuptuar natyrën e shkaqeve të asaj që po ndodh dhe rrezikshmërinë. A jemi para një lufte të madhe, a rrezikohet tërë rendi ndërkombëtar, a është kjo një luftë që ka element të racionales apo është totalisht irracionale? Cilat janë shkaqet e vërteta të këtij tensioni apo kësaj lufte? Dhe më e rëndësishmja sa rrezikon Ballkani shqiptarët?
Në pamje të parë lufta në Gaza është një lloj lufte që kërkon të ndryshojë regjimin dhe të vendosë aty qeverinë që do dhe më pas Izraeli do të tërhiqet. Lufta në Ukrainë dihet se është lloji i luftës ku Rusia kërkon të marrë nën kontroll një pjesë të territorit (katër rajonet e Ukrainës lindore) të “kthejë në vend të drejtën” dhe lufta mbaron.
Në të vërtetë lufta në Ukrainë dhe lufta në Gaza janë pjesë e një pamjeje më të madhe dhe reflektojnë situatën e vendeve të fuqishme në disa kuptime.
Siç thamë më lart që luftërat janë në përgjithësi irracionale, padyshim edhe këto dy luftëra kanë elemente të forta se edhe janë totalisht krejtësisht irracionale. Siç thamë që luftërat ndikohen nga pasione, ideologji dhe interesa të brendshme, edhe këto luftëra ndikohen nga pasione ideologji dhe interesa të brendshëm.
Rusia e sulmoi Ukrainën pak vite më parë nën pretendimin se po kryente një operacion për demilitarizmin e dhe denazifikimin e Ukrainës. Ajo pretendonte se Ukraina ishte bërë një vend ushtarak, ishte armatosur dhe se kishte në radhët e saj ideologji dhe trupa ushtarake naziste që ishin një rrezik për Rusinë. Qëllimi i vërtetë (kështu dukej) ishte rrëzimi i qeverisë së presidentit Zelensky dhe vendosja e një qeverie proruse.
Që nga shekulli X kur popullsia që njihet si Kievan rus u bë e krishterë - popullsi që është pak a shumë zemra e asaj që formon më vonë rusët - pjesë të rëndësishme të rajonit të Ukrainës së sotme kanë qenë gjithnjë të kontrolluara nga rusët. Pra nga pikëpamja e thellësisë strategjike, rusët kanë qenë gjithnjë nën kontroll, të paktën politik, të territorit të Ukrainës. Ka pasur raste kur thellësia strategjike e rusëve ka shkuar deri në Berlin (me BS-në), ka pasur raste kur është ngushtuar, por kurrë gjithë Ukraina nuk ka qenë ndonjëherë nën kontroll të fuqive jo ruse ose kundërshtare të rusëve.
Gjithsesi humbja e thellësisë strategjike nuk mund të jetë një shkak racional për luftë, ndonëse në mendësinë e historike perandorake ruse, kjo ka rol dhe i bën drejtuesit rusë të fërgëllojnë sa herë e mendojnë këtë gjë. Rusia, me rënien e Bashkimit Sovjetik, humbi të gjithë fuqinë në botë dhe padyshim edhe thellësinë strategjike. Sigurisht që ajo ruajti një lloj thellësie të cekët strategjike, duke qenë se qeveritë në Ukrainë me Leonid Kucma, Leonid Kravchuk, Viktor Janokuviç nga viti 1990 deri në vitin 2014 ishin proruse, por gjithsesi pa ndonjë peshë të madhe. gjithsesi, në mënyrë irracionale, thellësia strategjike është një element në sulmin mbi Ukrainën. Edhe Noah Harari shprehej pak kohë më parë se ky element ka ndikim të fortë në sulmin rus.
Nga ana tjetër, që nga viti 2000, kur në drejtim të Rusisë erdhi presidenti Putin, Rusia nisi të ketë një qasje të re në mënyrën se si e shihte politikën dhe qeverisjen. Putin sulmoi me egërsi Çeçeninë, mposhti kryengritjen, sulmoi ashpër oligarkët që kishin drejtuar vendin në pushtetin e Jeltsin. Në një farë mënyre ai tregoi se cili vendoste dhe cili drejtonte. Oligarkët ose ikën, ose u burgosën, ose u vranë, ose iu nënshtruan. Janë të njohur shembujt e Khodorkovskit, Berezovskit, Gusinskit që u asgjësuan, por edhe të Abramovichit apo Deripaskes që u vunë në shërbim të tij. Pasi Rusia në një farë mënyre u stabilizua dhe pasi ekonomia e vendit doli nga kolapsi i plotë i viteve 1990, Putini filloi të shfaqë një qasje të re edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në gusht të vitit 2008 ai sulmoi Gjeorgjinë (me pretekste pak a shumë të ngjashme si në rastin e Ukrainës) dhe mori nën kontroll krahinat e Osetisë dhe të Abhazisë. Ai me shumë mundësi helmoi liderin e opozitës që po drejtonte revolucionin portokalli në Ukrainë, Viktor Jushçenko në vitin 2008. Në vitin 2014 kur ra presidenti Janukoviç, nja vasal i tij në Ukrainë, Rusia aneksoi Krimenë. Pra ka një përpjekje për fuqizim të rolit të Rusisë, për të dëshmuar para rusëve se ai po rikthen diçka nga lavdia etj.
Paralel me këto veprime Putin kish nisur të ideologjizonte politikën e tij. Ai po fliste për vlera konservatore, për rikthim të një lloj “Rome” të tretë që do të ruante vlerat e qytetërimit perëndimor që i kërcënonte sipas tij liberalizmi.
Duhet thënë se Putini nuk kishte shfaqur kurrë vlera ideologjike. Ai kishte qenë një agjent i shërbimit sekret KGB dhe kishte shfaqur vetëm mërzi për rënien e Bashkimit Sovjetik. As që bëhej fjalë të ishte një konservator. Idetë e tij ishin më së shumti pragmatizmi i ftohtë që kamuflonte ndoshta ide komuniste apo krejtësisht majtiste.
Ai qëllimisht, për të prodhuar palë në botën perëndimore, për të prodhuar antagonizëm, filloi të propagandojë vlera konservatore në mënyrë që t’i kundërvihej politikës perëndimore. “Ai”, thotë Marc Gluckenburg një studiues perëndimor, “e bëri me qëllim këtë qasje edhe për të gjetur aleatë në perëndim”. Ai mendonte dhe mendon se në Europë do të dalin parti, grupe konservatore që do ta përkrahin Putinin kundër establishmentit të tyre liberal.
Pra Putin futi në punë ideologjinë për të prodhuar një ballafaqim, përballje. Nga ana tjetër fuqitë perëndimore janë në vështirësi të mëdha sidomos pas vitit 2008 kur nisi kriza e thellë ekonomike botërore. Ai që nga ajo kohë për rrezik të vlerave tradicionale dhe rrezik të të gjithë qytetërimit që vjen nga liberalizmi apo tendenca shkatërrimtare sipas tij e liberalizmit perëndimor. Ai po përpiqet të shfaqet si mbrojtës i qytetërimit perëndimor. Ky është një kapërcim i madh i një njeriu komunist, agjent i KGB-së, i cili gati tetë-nëntë vite pas ardhjes në pushtet, “konvertohet” në konservator.
E gjithë kjo zhvillohet, merr jetë në një kontekst kur vendet e Europës perëndimore dhe ato të Amerikës veriore janë në vështirësi të ndryshme dhe në tensione të brendshme të fuqishme sociale, ekonomike, por edhe kulturore.
Pas vitit 2008 disa vende të Europës ranë nën krizën e tmerrshme të borxhit publik. Qeveritë e destabilizuan në Itali, Greqi, Spanjë, Irlandë dhe gati u futën në krizë të thellë edhe në Britani dhe Francë. Kriza ekonomike zbuloi problem e bartura në botën perëndimore që kishin të bënin me shtetin e mirëqenies sociale i cili kishte rritur dramatikisht borxhet publike. Bota perëndimore gjithashtu kishte popullsi të plakur dhe kishte nevojë për emigrantë. Prania e lartë e emigrantëve, si pasojë e nevojës së vetë këtyre vendeve, u hapi derën politikanëve që ksenofobë apo edhe islamofobë, u hapi derën politikanëve që përpiqen me anë të populizmit të prekin mendjet e njerëzve të zakonshme të perëndimit. Kriza e thellë ekonomike e këtyre viteve, sidomos pas falimentimit të bankës lehman Brotheres në SHBA dhe krizës së sektorit financiar bëri që njerëzit e zakonshëm t’u japin mbështetje këtyre politikanëve të cilët në një farë mënyre po bënin atë që donte Putini. Ata po flisnin për sovranizëm, për ulje të rolit dhe shpenzimeve të këtyre vendeve për mbrojtjen, për NATO-n. Ato në një farë mënyre rezononin plotësisht me atë që donte Putini. Më gjerë se kaq vendet e Europës perëndimore në shumë kuptime janë në një lloj “limontie” të përgjithshme thotë Daniel Hannan një politikan dhe mendimtar konservator britanik. Popullata e sotme nuk ka asnjë kujtim nga lufta. Kanë pak ose aspak njerëz nga brezi i atyre që kanë një lidhje të caktuar me Luftën e Dytë Botërore. Programet sociale janë gjigande dhe japin para për një numër jashtëzakonisht të lartët njerëzish. Kjo ka bërë që një pjesë e madhe të jetojë në kurriz të tjerëve. Martesat shtyhen shumë vonë. Ka një numër në rritje tërë atyre që nuk martohen fare. Numri i lindjeve shumë i ulët. Roli i besimit fetar, i fesë është në një rënie drastike dhe ta pandalshme. Të gjitha këto e kanë bërë perëndimin të ketë vështirësi të dalë nga kjo gjendje dhe të kuptojë gjendjen e vet dhe të rrëmiqeve që vijnë nga ideologji apo vende si Rusia. Kjo gjendje i ka bërë qeveritë dhe vendimmarrësit të mos marrin vendime të forta, të vihen përballë presioneve të shoqërisë e cila kërkon të ruajë statukuonë, rehatinë (e cila nuk është e mundur gjithnjë).
Kjo gjendje sigurisht që e ka inkurajuar Rusinë. Putini e ka sulmuar Ukrainën edhe nisur nga gjendje e Europës dhe e Amerikës së Veriut.
Veç kësaj bota gjendet edhe në një ekuilibër të brishtë gjeopolitik. Arkitektura e sigurisë ose sistemi ndërkombëtar i sigurisë është vendosur pas Luftës së Dytë Botërore. Ai u vendos nga fituesit e asaj lufte, u vendos nga SHBA, Rusia, Anglia dhe Franca.
Që nga ajo kohë kanë ndryshuar shumë gjera. Fuqitë që vendosën atë sistem sigurie në konferencën e San Franciskos (1945) dhe në traktate të tjera nuk janë më në termat e atëhershëm. Të tjera fuqi kanë dalë gjithashtu. Sot Kina është një fuqi shumë më e madhe sesa atëherë. Ian Bremer thotë se Kina është superfuqia e padiskutueshme tregtare. Ajo konkurron fuqimisht SHBA-të në fushën e teknologjisë. Mund të arrijë nivelin ushtarak të SHBA-së për 10 vite. Ajo sot ka një aleancë shumë të ngushtë me Rusinë.
Rusia nuk është ajo e vitit 1945, është më e dobët se atëherë. Rusia gjithsesi është më e fortë se sa pas vitit 1990, shumë e fortë. Europa dhe SHBA përpiqen të sillen me Rusinë duke e menduar atë në termat e pas vitit 1990.
India është sot një fuqi gjithashtu shumë e madhe. Ajo ka një ekonomi sa gjysma e SHBA-së, është vend bërthamor dhe në zhvillim të ndjeshëm. Brazili, Irani, Turqia, Meksika, Pakistani, Izraeli janë shumë të fuqishme sesa në vitin 1945.Pra gjendja e brendshme në Rusi (thellësia strategjike, ideologjia dhe interesat), gjendja e botës perëndimore me “limontinë sociale, ekonomike dhe kulturore”, prishja e ekuilibrit të vitit 1945 janë faktorë jashtëzakonisht të mëdhenj për atë që po ndodh në Ukrainë.
Edhe ajo që ndodh në Gaza, nuk do të ndodhte kurrë pa këtë pamje. Arsyeja e parë është dobësia e fuqive të perëndimit për të pasur koordinim si pasojë e krizave të veta të brendshme për të imponuar një zgjidhje dhe një paqe afatgjatë. Arsyeja e dytë e madhe është fuqizimi i Iranit dhe aleanca e tij e ngushtë me Rusinë dhe Kinën. Pa një Iran me fuqi të tillë dhe pa një Iran në aleancë të tillë me Rusinë dhe Kinën në Lindjen e Mesme do të kishte një realitet tjetër. Sigurisht që lufta në Gaza ka faktorë që lidhen me politikën e brendshme në Izrael apo me natyrën e gjithë mënyrës se si u krijuan shtetet në Lindjen e Mesme, por në tërësi reflektohet tensioni pak a shumë global.
Në këto kushte ajo që ndodh në botë, ajo ndarje, ai tension, ato rreziqe shfaqen në mënyrën e tyre kudo, shfaqen edhe tek ne. Ballkani ka qenë që prej shekullit të 18-të një interes madhor rus. Edhe sot Ballkani është po një interes madhor rus. Rusia në Ballkan ka aleatë të natyrshëm që janë serbët. Serbia sigurisht që është në një proces anëtarësimi në BE, por edhe nën një ndikim të madh nga Rusia. Ajo që thotë Moska është padyshim shumë e fortë për Beogradin se sa ajo që thotë Brukseli apo vendet e perëndimore. Ajo që thotë Moska ka fuqi gati të plotë. Kështu që Rusia do të përdorë dhe po e përdor Serbinë dhe të tjetër për të trazuar Ballkanin, për të prishur mekanizmin e sigurisë të vendosur nga NATO dhe Perëndimi. Pikat më të mprehta janë Kosova dhe Bosnja. Në Bosnjë Rusia kërcënon me Republikën SRPSKA, të cilën e ka nën kontroll përmes Beogradit. Në Kosovë kërcënon me komunat në Veri të cilat përdoren ose synohet të përdoren nga Beogradi. Sulmi i vjetshëm në Banjskë është përpjekja e dukshme për desabilizim. Ka edhe mjaft përpjekje të tjera të cilat mund të synojnë një sulm të dytë.
Sido që të jetë rreziku është shumë i madh. Rreziku nuk vjen thjesht nga Serbia, rreziku nuk vjen as thjesht nga Moska. Rreziku është gjithë kjo koniunkturë, gjithë ky konvulsion ndërkombëtar, gjithë faktorët e lartpërmendur që kanë krijuar atë situatë në Ukrainë dhe në një farë mënyre edhe në Gaza. Pra ata faktorë irracionalë në mënyrë totale, që kanë krijuar luftën në Ukrainë dhe Gaza ata rrezikojnë edhe shqiptarët. Shqiptarët, qeveria e Tiranës dhe e Prishtinës nuk kanë fuqi të ndalojnë asgjë që lidhet me konvulsionin ndërkombëtar, por kanë fuqi të kenë një politikë të unifikuar dhe në anën e mbrojtësve të vetëm që janë NATO-ja, BE-ja, SHBA-ja, Turqia. Qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë duhet të mendojnë për ditën e keqe dhe të forcojnë institucionet e sigurisë, shërbimet inteligjente, ushtrinë në bashkëpunim me vendet e NATO-s. Çdo politikë që i shkon për shtat Putinit, si sovranizmi, ksenofobia apo islamophobia duhet të zhduket. Është vërtetë një kohë shumë e vështirë dhe padyshim irracionale.