Situata gjeopolitike
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka fituar zgjedhjet presidenciale kandidati republikan Donald Tramp… Ballkani, rajoni ynë i vogël plot zhurmë, ka dy vatra të cilat kërkojnë vëmendje: Bosnja dhe Hercegovina, si dhe mbyllja e çështjes së shtetësisë së Kosovës. Në arealin ballkanik, për faktorin shqiptar është e rëndësishme të shtyjë përpara njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Vitet e fundit, për shkak të luftës në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zhvilluar një politikë “përkëdheljeje” ndaj faktorit serb. Diku prej frikës së ndërhyrjes ruse, diku për t’i tërhequr në sferën e tyre të influencës. Administrata e re, sipas shumë analistëve, ka qasje pragmatike ndaj realiteteve politike në terren. Pikërisht sot, ndërsa presioni ndaj Serbisë rritet për të unifikuar politikën e jashtme me Bashkimin Evropian, Tirana dhe Prishtina, në nivele politike, kanë marrëdhënie të ftohta.
Dy shtete shqiptare, ç’qëndrim do mbajmë?
Kosova u trondit nga një ngjarje e rëndë terroriste. Kanali ujor i Ibër – Lepencit në Zubin Potok u hodh në erë, ngjashëm me sulmet që bën Rusia në Ukrainë duke goditur infrastrukturën kritike. Për shkak të rëndësisë strategjike, Shqipëria furnizoi menjëherë me rrymë elektrike Kosovën. Shohim se funksionarët publikë, ashtu si shqiptarët anekënd kufirit, janë të bashkuar dhe i dhemb njësoj atdheu. Atëherë problemin duhet ta kërkojmë gjetkë: tek elitat politike vendimmarrëse. Në Tiranë është ngushtuar rrethi i njerëzve afër kryeministrit që punojnë që ai të qëndrojë në pushtet. Në rrethin e afërt të kryeministrit dhe njerëzit publik pranë tij, luftërat për fshatra, përrenj dhe territore janë çmenduri të së shkuarës. Ndërkohë, burimet ujore, territori, tensionet etnike dhe burimet minerare kanë qenë kurdoherë burimi i konflikteve ndërshtetërore. Tirana zyrtare aktualisht nuk di të mbajë qëndrim për këto aspekte sepse nuk i përfill.
Bashkimi kombëtar
“Bashkimi kombëtar” mbetet një ide që qarkullon gjerësisht nëpër biseda dhe shkrime. Po t’i pyesësh qytetarët, të paktë janë kundër. Po t’i pyesësh politikanët, po ashtu të paktë janë kundër. Në të dyja anët e kufirit ka subjekte politike që flasin për Bashkim Kombëtar, bashkimi nuk ndodh. Ose, e thënë më mirë, kanë gjetur një shprehje “Bashkohemi në Bashkimin Evropian”. Pse? Pa u mbyllur shtetësia e Kosovës, pyetja është se me kë do bashkohemi dhe si? Platforma ka shumë, dëshira është e madhe, vullneti i paktë. Dëshira pa vullnet ngjan se bjerr veten. Ndaj mbetet e vagullt dhe romantike, ndërsa veç pak punojnë për të realisht.
Ja u integruam në Bashkimin Evropian, po pastaj?
Elita politike në Tiranë është nisur turravrap drejt Brukselit. Dikur, të njëjtin turravrap kishte drejt Moskës. Mjaft të mësojmë se cili është trendi ndërkombëtar dhe nisemi me trenin e parë. Edhe në Prishtinë janë nisur të gjithë drejt Brukselit. Sloganet janë të njëjtit – perëndimorizim, evropianizim, demokratizim… Pak të kthehesh në kohë mund të gjesh të njëjtë slogane si nën Bashkimin Sovjetik – internacionale, demokraci proletare, vëllazërim…
Si përfundim…
Situata nuk është mirë. Vizionet nuk janë të qarta. Strategji nuk ka. Ne do të vazhdojmë të themi se çështja kombëtare është e rëndësishme, por duhet të punojmë pa shpresë. Ndoshta, një ditë, disa të tjerë pas nesh do të ndërmarrin hapat për ta bërë realitet përputhjen e njësisë territoriale me njësinë politike. Deri atëherë, ky grup i vogël që punon sot do të jetë bërë ide mbisunduese dhe do ketë subjekte që bartin edhe vullnetin, edhe dëshirën.