Me imazhet e luftës, për herë të parë, jam njohur në klasë të dytë apo të tretë kur kam parë refugjatët nga Bosnja që prisnin në hyrje të xhamisë. Fëmijë, moshatarë me ne, pleq burra e gra, grupe-grupe, zbritën nga autobusët dhe u ndalën para xhamisë së qytetit. Fillimet e viteve ‘90. Ishte kohë vjeshtës së vonshme dhe ne fëmijët po ktheheshim nga shkolla.
Me imazhet e luftës, për herë të parë, jam njohur në klasë të dytë apo të tretë kur kam parë refugjatët nga Bosnja që prisnin në hyrje të xhamisë. Fëmijë, moshatarë me ne, pleq burra e gra, grupe-grupe, zbritën nga autobusët dhe u ndalën para xhamisë së qytetit. Fillimet e viteve ‘90. Ishte kohë vjeshtës së vonshme dhe ne fëmijët po ktheheshim nga shkolla. Po si fëmijë, s’mund ta kuptonim se çfarë ishin këta njerëz, që në veshje e dukje i përngjisnin familjeve tona, por flisnin serbo-kroatisht. Kështu quhej atë kohë gjuha zyrtare e Jugosllavisë. Në ndërkohë, besimtarët dolën nga xhamia dhe në oborrin e saj gumëzhinte turma. Gati gjithsecili mori dikë me vete në shtëpi. Grupi i të ardhurve nga Bosnja u shpërndanë nëpër shtëpitë tona. Imazhet e para të luftës i kam parë përmes pasojave të saj, gjegjësisht, zhvendosjes apo refugjatëve. Ne shoqëroheshim me fëmijët boshnjakë. Damiri ishte njëri ndër ta, me të cilin sa herë që luanim, thoshte se nuk do rrimë shumë këtu. Do shkojmë edhe më larg.
Imazhin e gjallë të luftës për herë të parë e kam parë gjatë kalimit të kufirit Serbi-Maqedoni, gjatë ditëve të para të bombardimeve të NATO-s. Në ditën e 3-të të bombardimeve, qyteti filloi të zbrazej. Forca të mëdha ushtarake e policore kalonin nëpër qytet. Të afërmit tanë nga Maqedonia thërrisnin çdo ditë telefon dhe na ftonin të shkonim atje. Turma-turma njerëzish filluan ta lëshonin vendin. Linjat telefonike u ndërprenë. Funksionin vetëm celularët që atë kohë ishin të rrallë. Babai im kish vendosur të më largonte nga shtëpia, veç mua, me qëllimin që të paktën dikush të shpëtojë nga shtëpia, në rast se do të ndodhte diçka. Më mori pranë dhe m’i tregoi dy skajet e oborrit, në njërin kish fshehur para, në tjetrin arin e shtëpisë dhe më tha: “Nëse ndodh diçka, këtu ke mjaftueshëm për të filluar një jetë të re”. Isha në klasë të tetë, sapo i kisha mbushur katërmbëdhjetë vjet. Kisha filluar ta kuptoj seriozitetin e situatës, por sikur e refuzoja këtë pjekuri dhe shpesh këtë gjendje të rënduar serioziteti e interferoja diku në nënvetëdijen time dhe përpiqesha ta shihja këtë gjendje veç si një situatë loje që do të përfundonte shpejt. Kur dolëm nga shtëpia, një taksi po më shpinte drejt kufirit për të dalë në Kumanovë. Tutje më larg shtëpisë i pash disa serbë fqinjë, që i njihnim shumë mirë, por u habita kur i pashë në uniforma ushtarake dhe. instinktivisht, u përpoqa t’i përshëndes si përshëndeteshim çdo ditë. Por jo, ata kthyen kokat dhe më panë shumë ftohtë. Kjo gjendje më brengosi shumë. Kur arritëm në vijën kufitare, aty u ballafaqova me diçka që as në filma nuk e kisha e parë. Ushtarët serbë po minonin kufirin Serbi-Maqedoni ngaqë thuhej se pas bombardimeve, këmbësoria e NATO-s do të hynte nga Maqedonia po ashtu. Togje e turma të mëdha ushtarësh që po hapnin llogore e po vendosnin mina, mjete të ushtarake të të gjitha llojeve, grupe refugjatësh, vetura e autobus të shumtë në kufi. Apokalipsi ishte pranë.
Gjenerata e ime është gjeneratë e luftës. Nuk e di, mbase çdo gjeneratë ka parë ndonjë luftë, qoftë në vegjëli qoftë në pleqëri, por një luftë duhet të ketë parë, kjo nuk vlen për zonat gjeografike si Skandinavia. Por gjenerata ime është rritur në luftë, e kemi ndjerë drejtpërdrejtë luftën dhe vazhdojmë të ballafaqohemi me pasojat e saj. Revokimet e kujtimeve të mia, më lart, mua vetë më dëshmojnë se sa e brishtë është paqja dhe se sa hap e mbyll sytë lufta të troket në derë. Njeriu në luftë ka veç një brengë, veç një pyetje, “Si të mbetem gjallë?”. Instinkti i mbijetesës mbizotëron. Kurse të qenit jashtë zonës së luftës, larg zonave të nxehta tek individi që vëzhgon paraqiten dy momente të cilat më pas bëhen pjesë e pandashme e personalitetit deri në nivelin e modus operandi.
E para, është ajo më e zakonshmja, shpërfillja dhe ndjesia e distancimit emocional dhe kognitiv. Momenti kur luftën e konsideron të largët, si realitet filmik e legjitimuar përmes një qëndrimi moralizues të pafuqishmërisë së individit për të bërë diçka rreth saj. I zhytur në vetësolipsizëm – ku ekzistenca e njeriut vërtetohet veç në saje të aftësisë së individit për ta parë veten e vet – shpërfaqet si realitet i brendapërshkrueshëm ku njeriu parapëlqen të zhytet në detin e përditshmërisë dhe t’i mbyllë sytë ndaj çdo tragjedie njerëzore, pa asnjë dert për tjetrin, pa asnjë brengë për çnjerëzorimin e tjetrit dhe prezenca e kataraktit etik njerëzor është gjendja përcjellëse e vijueshmërisë së qenies në kohë.
E dyta, sado që është më e rrallë, megjithatë njeriu me intelekt dhe ndërtim të mirëfilltë personaliteti, qoftë edhe nëse tek ai janë gërryer të gjitha qëndrimet politike, etike dhe ideologjike dhe ka mbizotëruar njerëzorja si mirazh, me siguri se do të shtrojë pyetjen për fatin e njeriut si individ, si qenie më vete. Pyetja më ekzistenciale që mund të shtrohet është pyetja për vlerën e jetës njerëzore. Sa vlen një njeri? Sa vlen një jetë? Pyetja më drithëruese është pyetja vetërefleksive dhe empatike – dikush mund ta quajë edhe egoiste – e cila e shpie qenien e pyetësit në situatë krahasuese botërash: “Çfarë kuptimi ka një botë ku unë nuk jam më? Një përgjigje egoiste mbase do të ishte se në këtë botë do të jetojnë pasardhësit tanë. Po çka nëse nuk kemi pasardhës? Njeriut që ka humbur gjithçka nuk do t’i mbetej tjetër pos pasionit të absurdit, do të thoshte Emil Cioran. Por kjo pyetje nuk duhet të shtruar për të na shpjerë në dëshpërim ose parakosizëm mistik që mund të mbushë lehtësisht egot tona. Por, gjendje lufte, një intelektual, një dijetar do të përpiqej t’i jepte përgjigje arsyeve se pse një jetë do duhej jetuar dhe luftën ta shpjegojë si një dialektikë drejt fundit historik që, mbase, mund të jetë një entropi e pashmangshme, ku paqja është veç një gjendje përgatitore midis dy luftërash dhe se realiteti i vetëm kreativ i një bote si kjo është lufta, apo më saktë përballja midis dy forcave që formësojnë botën, midis forcave inovative krijuese pjesë e së cilës është lufta, dhe në anën tjetër forcave preservuese pjesë e të cilës është paqja dhe qetësia.
Gjatë gjykimit intelektual, njeriu është i prirur të mendojë më tepër formalisht, sesa në përmbajtje për fenomenet sociale e historike. Kjo vjen nga një përpjekje disashekullore e shkoqitjes dhe e shkërmoqjes së bazamentit etik mbi të cilin duhet të ndërtohet çdo mendim. Kjo përpjekje, e cila njihet si përpjekje pozitiviste për ta kthyer mendimin si një shëmbëllim intelektual formalisht deskriptiv, ka bërë që distancimi dhe vëzhgimi i fenomenit nga distanca si entitet jashtëkohor dhe gjeografik, e ka kthyer brengën njerëzore në brengë për përkorjen statistikore në raport me luftën dhe forcën inovative ta interpretojë si emancipuese dhe qytetërimore.
Është e vështirë të bësh intelektualin në gjendje lufte. Kostoja është e shtrenjtë dhe barra është e rëndë. Por, megjithatë, persekutimi dhe gërryerja që i bën ndërgjegjja tij janë më të forta sesa kostoja dhe barra e vetëperceptimit të përkohshëm dhe interesave të përkohshme ditore.
Pyetja thelbësore që kërkon trajtim është se pse njeriu fatin dhe lirinë e tij e ka lidhur për tokën dhe hapësirën virtuale. Luftërat sot po zhvillohen në dy forma kryesore. Lufta virtuale ku shtetet agresore përpiqen të skalisin thellë imazhin e triumfuesit bazuar në një lloj të drejte historike që ata e trumbetojnë dhe lufta reale e cila territorin e sheh si mundësi reale dhe të prekshme për shtrirjen e narrativit që ata kanë krijuar për veten dhe kombin e tyre. Në formën e parë, përmes imazhokracisë së të pathyeshmit dhe brutalit, përpiqen të heshtin zërat dhe të shurdhojnë veshët e ndërgjegjeve të pastra përmes kakofonisë së luftës, kurse në rastin e dytë të vrasin fëmijë, gra dhe pleq të pafajshëm për të shkërmoqur çdo vullnet njerëzor që i kundërvihet kësaj lufte. Në këtë luftë e pëson njeriu dhe përkohësisht fitojnë grykësit dhe gjakpirësit: fatet e njerëzve që kanë një jetë, një ëndërr dhe një ardhmëri për të jetuar, gjithçka shkatërrohet dhe bie në ujë, përmes një vendimi të një tryeze të rrumbullakët. Kjo, thjesht, nuk është ferr. Niçe ka thënë që jeta në thelb është e pamoralshme dhe amoraliteti i saj shfaqet kur për jetën vendosin struktura të ndryshme të pushteteve të çmendura.
Pyetje për trajtim dhe me rëndësi është empatia dhe rreshtimi. Si qenie të dobëta që jemi, njashtu edhe intelektuali i sotëm bëhet pre e lehtë e eupatisë strategjike dhe të përllogaritur. Është joparimore dhe jouniversale. Shpesh, madje është raciste. Ditëve të fundit ka filluar një mbështetje e pafund për Ukrainën dhe popullin ukrainas. Në anën tjetër, luftëra të nivele më të larta e më të ulëta, vazhdojnë me vite në pjesë të ndryshme të globit, kurse ne, qoftë si njerëz, qoftë si intelektualë nuk kemi guximin të marrim pozicionimin universal mbi mbrojtjen e jetës njerëzore. Lufta në Gaza është shndërruar në testin më të madh për moralin dhe etikën globale. Bota ka dështuar në këtë test. Edhe kësaj here u pa që jeta e njeriut të bardhë është më e rëndësishme jeta e njeriut të me ngjyrë. Njeriu i bardhë mund ta mbrojë vendlindjen e tij dhe të jetë hero, kurse njeriu me ngjyrë edhe pse mbron pragun e tij, mund të jetë edhe terrorist. Standardet e shumëfishta, ditë e më shumë po shkatërrojnë qasjen tonë ndaj qenies njerëzore dhe jetës në përgjithësi.
Të qenit intelektual në gjendje lufte do të thotë të jesh njeri, pa identitet prindëror, pa identitet familjar, pa një petk profesional, pa një petk etnik, religjioz me një fjalë është një gjendje ku/kur je një qenie në një fazë zero, por që intelekti yt megjithatë është i ngarkuar me shabllonet e mendimit dhe vlerësimit. Të qenit i shpenguar nga të gjitha identitetet dhe të mendosh si njeri universal është një gjë tepër e vështirë dhe nxitet vetëm nga situatat kufitare si puna e zhdukjes masive. Pyetja që duhet rishtruar është se çfarë vlere do të ketë bota kur ne nuk do të jemi më? Roli i intelektualit në gjendje lufte, ngritja e pyetjes së duhur në kohën dhe vendin e duhur, rrjedhimisht edhe përgjigja e duhur. Jo gjithçka që është e dobishme, është edhe e mirë.
Secili prej nesh ka të drejtën e tij prej tokës deri në qiell të ketë një qëndrim për luftën, ta interpretojë atë si shtysën kryesore të historisë, njashtu siç pretendonte Herakliti i errët se lufta është burimi i të gjitha gjërave, dhe se realiteti është një përplase të kundërtash një luftë e vazhdueshme, principi i cili e organizon universin mbarë. Megjithatë, në një teorizim metafizik dhe skolastik mbase interpretimet e tilla mund të duken tërheqëse dhe interesante, por për një njeri apo njerëz të tjerë si puna ime që e kemi parë luftën për së afërmi, metafizika mbetet një luks për mendjet dhe kohën e lirë të të pasurve. Apo, siç do të kishte thënë Sartri, se kur nis një luftë, ata që e pësojnë janë të varfrit. E vërteta dhe realiteti është vështirë të konceptohet entitet kolektiv dhe i rrokshëm kolektivisht, por ajo është e tillë, është e vërtetë veç për individin, ai që ka dije për veten dhe përpiqet të krijojë dije për tjetrin.
Pasojat e luftës janë edhe më të rënda se vetë lufta. Paqja pas luftës zakonisht është negocim i paqes dhe verdiktit final për luftën, për humbësin për fituesin dhe referuesit e kësaj lufte. Viktimat civile, të zhdukurit dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale vazhdojnë të trazojnë traumën ndërbrezore, përmes një cikli të çuditshëm, traumë kjo e cila shpërfaqet në historinë e së ardhmes si ndjesi për shtypje dhe kërkim për shpagimin e merituar historik. Agjentët dhe besimtarët e denjë të paqes dhe të drejtësisë duhet të jenë më të zëshëm se kurrë për të ndërprerë këtë cikël transformimesh traumash të mbishtresuara me narrativë për toka të premtuara. “Se njeriu nuk mëson nga mësimet e historisë, është mësimi më i mirë i historisë”, do të thoshte Aldous Huxley. Lufta e madhe është n’derë. Le të nxirret mësimi! Le të flitet sot ose kurrë!
Intelektualizmi në gjendje lufte është i mundur vetëm nëse njeriu më vete perceptohet si botë më vete. Dekonstruktimi i imazheve të imagocracisë të triumfuesve është parim kategorik. Bota mund të shpëtojë vetëm atëherë kur ta perceptojmë botën si një njeri më vete! Shpëtimi i një bote të jetë shpëtim i një njeriu. Shpëtimi i një njeriu të jetë si shpëtim i një bote mbarë.