"Konflikti izraelit-palestinez ka qenë një tragjedi, një përplasje mes një vendosmërie shumë të fuqishme, shumë bindëse, shumë dhembjeprurëse dhe një tjetre jo më pak të fuqishme e jo më pak bindëse. Në këtë vazhdë, një përplasje e tillë mes këtyre dy vendosmërish mund të zgjidhet vetëm në njërën prej këtyre dy mënyrave: nga njëra anë është tradita sipas Shekspirit,
"Konflikti izraelit-palestinez ka qenë një tragjedi, një përplasje mes një vendosmërie shumë të fuqishme, shumë bindëse, shumë dhembjeprurëse dhe një tjetre jo më pak të fuqishme e jo më pak bindëse. Në këtë vazhdë, një përplasje e tillë mes këtyre dy vendosmërish mund të zgjidhet vetëm në njërën prej këtyre dy mënyrave: nga njëra anë është tradita sipas Shekspirit, ajo e zgjidhjes së tragjedive në një skenë të përgjakur, me trupa të vdekur dhe ku drejtësia e anshme mbisundon. Nga ana tjetër, është edhe një traditë sipas Çehovit. Në përfundim të një tragjedie çehoviane, çdokush është i pakënaqur, i zhgënjyer, i hidhëruar, zemërthyer, por i gjallë. Me kolegët e mi (izraelianë dhe palestinezë) kemi punuar, jemi përpjekur ... që të mos kërkojmë një happy-ending drithërues, një dashuri vëllazërore, një muaj mjalti të papritur izraelit-palestinez pas tragjedisë, por një fund çehovian, që do të thotë ujdi me hatërmbetje, dhembështrënguar, nga të dyja palët. (...) Në botën time, fjala “ujdi” është sinonim i jetës. Pasi atje ku ka jetë ka edhe ujdi. E kundërta e ujdisë nuk është asfare integriteti, as idealizmi, as vendosmëria apo devotshmëria. E kundërta e ujdisë është fanatizmi, është vdekja".
Kështu shkruante shkrimtari dhe aktivisti i njohur izraelit, Amos Oz, në librin e tij “Si të kurosh një fantatik”. Oz, së bashku me shkrimtarin dhe bashkëqytetarin e tij, David Grosman, kanë qenë për dekada dy nga zërat më të fortë për gjetjen e një zgjidhjeje me marrëveshje me palestinezët, duke e parë të ardhmen nën shenjën e ujdisë, kompromisit, pra “një zgjidhje përmes gjuhës së Çehovit”.
Por historia që ka nisur mbi 100 vite më parë në territorin palestinez, e njeh pak, ose thuajse aspak, këtë zgjidhje të sugjeruar nga Oz apo edhe nga Grosman. Madje, zërat e Oz-it dhe Grosmanit, duken sot edhe larg bashkëqytetarëve të tyre, dhe “Çehovi” duket nën kthetrat e “Shekspirit”, duke zgjedhur tragjedinë në vend të ujdisë, në vend të duarve të zgjatura për bashkëjetesë.
Roli i gjuhës në “konfliktin mes dy vendeve”
Në vitet ‘90, thuajse të gjitha mediat që pasqyronin konfliktin në Lindjen e Mesme, kur i referoheshin asaj që ndodhte mes Izraelit dhe Palestinës, shkruanin për këtë të fundit me një fjali të gjithëpranuar: “Në territoret e pushtuara arabe....”. Lehtësisht, pas kësaj fjalie kuptoje se njëra palë kishte okupuar territorin e fqinjit dhe se lufta atje kishte njërën palë që kërkonte të mbronte territorin dhe tjetrën që vijonte zgjerimin. Kjo fjali ishte njëkohësisht edhe pasqyrim i një vije të gjatë konfliktesh, nisur që në vitin 1923 kur nisi migracioni masiv hebre nga Europa drejt Palestinës.
Vite më pas, thuajse të gjitha mediat botërore, këtij konflikti i referohen me “Konflikti izraelito-palestinez”. Pra, një lexues i sotëm, pa dijeninë historike, pa shumë të dhëna se ç’ka ndodhur në 100 vitet e fundit në atë rajon, nënkupton përplasje mes dy vendeve, dhe jo një vend të pushtuar nga një tjetër. Ky ndryshim i referencës gjuhësore ndaj konfliktit ka krijuar më pas edhe këndvështrime të reja mbi këtë konflikt, duke lënë mënjanë atë që ka ndodhur në atë territor.
Ky ndryshim i referimit gjuhësor të konfliktit ka ndikuar më pas edhe në përcaktimin e përemrave “ne” dhe “ata”, të cilët nuk përballen vetëm në një territor tokësor, por më së shumti me një territor të fortë të përcaktimit të gjuhës. Siç thotë edhe gjuhëtari dhe filozofi hebre Noam Çomski “nëse do të ndryshosh mendimin, ndrysho më parë gjuhën”. Për ironi, kjo thënie e hebreut Çomski ka ndodhur në realitetin e sotëm palestinez, ndërkohë që përballë qëndron një heshtje gati e pabesueshme e disa grupimeve shoqërore, edhe pse këtë herë kreu i OKB-së, Antonio Gueterres, apo një vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i vënë në lëvizje nga Afrika e Jugut, ka zemëruar jo pak drejtuesit e shtetit Izraelit.
Sa ka që ka nisur kjo luftë që sot na është rikthyer në prag?
Më 2 nëntor 1917, sekretari i Jashtëm i Britanisë i asaj kohe, Arthur Balfour, i drejtohej me një letër një prej personazheve më të rëndësishëm të komunitetit hebre britanik, Lionel Walter Rothschild-it. Letra ishte e shkurtër, vetëm 67 fjalë, por, sipas analistëve politikë dhe historianëve, ajo përmbajtje e 67 fjalëve kishte një efekt sizmik në Palestinë. Ishte pikërisht kjo letër që angazhoi qeverinë britanike për “krijimin në Palestinë të një shtëpie kombëtare për popullin hebre” dhe për të lehtësuar “arritjen e këtij objektivi”.
Letra njihet në diplomaci si “Deklarata e Balfourit”. Në atë kohë Palestina ishte koloni e britanikëve. Një mandat britanik u krijua shtatë vjet më vonë, në vitin 1923, dhe zgjati deri në 1948, një vit pra përpara se Izraeli të njihej si shtet nga OKB-ja (11 maj 1949). Gjatë asaj periudhe, britanikët lehtësuan imigracionin masiv hebre, ku shumë nga banorët e rinj po i largoheshin rrezikut nga nazizmi në Evropë. Kjo lëvizje solli alarm te palestinezët pasi nisi ndryshimi i demografisë. Pas disa vjetësh tensioni, Revolta e Parë Arabe, e udhëhequr nga Komiteti Kombëtar Arab, zgjati mes viteve1936-1939. Në gjysmën e dytë të vitit 1939, Britania kishte grumbulluar 30 000 trupa në Palestinë. Fshatrat u bombarduan nga ajri, u vendosën shtetrrethime, u shkatërruan shtëpitë dhe ndalimet administrative dhe vrasjet ishin përhapur. Ndërkaq, hebrenjtë krijuan “Skuadrat e Natës Speciale.” Në ato tre vjet revolte, 5000 palestinezë u vranë, 15000 deri në 20000 u plagosën dhe 5600 u burgosën.
Si reagoi OKB-ja?
Deri në vitin 1947, popullsia hebreje ishte rritur në 33 për qind krahasuar me atë të Palestinës, por ata zotëronin vetëm 6 për qind të tokës. Kombet e Bashkuara miratuan Rezolutën nr. 181, e cila kërkonte ndarjen e Palestinës në shtete arabe dhe hebreje. Palestinezët e hodhën poshtë planin sepse ai ndau rreth 55 për qind të Palestinës për shtetin hebre, duke përfshirë pjesën më të madhe të rajonit pjellor bregdetar. Në atë kohë, palestinezët zotëronin 94 për qind të Palestinës historike dhe përbënin 67 për qind të popullsisë së saj.
Zgjerimi i pafund i shtetit të Izraelit shkaktoi dy lëvizje të njohura si “Intifada”. E para ndodhi në vitet 1987-1993 dhe e dyta nga 28 shtatori 2000 deri në vitin 2005, një vit pasi ndërroi jetë lideri i OÇP-së, Yasser Araft.
Pas këtyre dy Intifadave, Izraeli ka nisur edhe pesë sulme të zgjatura ushtarake në Gaza: në 2008, 2012, 2014, 2021 dhe kjo e fundit në tetor 2023. Ndërkohë që palestinezët, përveçse për një përgjigje ndaj sulmeve, kishin mosmarrëveshjet mes tyre, duke shënuar përplasje të dhunshme mes dy forcave, Fatah e Hamas, të cilat kanë drejtuar territore të ndryshme dhe kanë njohur autoritete të ndryshme.
Sa larg janë lufta dhe paqja?
Historiani dhe kritiku Pol Xhonson, në librin e tij “Kohët moderne”, teksa analizon Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, shprehet se “trajtimi i humbësit pa dinjitet nënkupton mbajtjen gjallë të konfliktit”. Ai merr si shembull qëndrimin e konferencës ndaj Gjermanisë, një qëndrim që, sipas tij, ndikoi jo pak në nxitjen e gjuhës së urrejtjes së një pjese të shoqërisë gjermane ndaj hebrenjve, si dhe një nga origjinat e futjes sërish në luftë.
“Por kur do të përfundojë e gjitha kjo?” mund të pyesin shumë qytetarë në mbarë botën. Dhe nuk është një pyetje vetëm për Gazën. Kjo pyetje është e shpeshtë edhe në rastin e Ukrainës, që është nën agresionin rus që e nisi po aq dukshmëm përmes gjuhës së urretjes, ashtu siç e njëjta gjuhë është edhe në rastin e mosgjetjes së zgjidhjes politike Prishtinë-Beograd, apo edhe për konflitet që shuhen e rindizen në Etiopi, Jemen, Nigeri, Afganistan, Liban, Sudan, Haiti e Kolumbi.
Ka shumë popuj që janë të detyruar të largohen në masë nga vendi i tyre, dhe po të shumtë janë edhe ata që luftojnë, me të gjitha armët që kanë në dispozicion, për hir të dashurisë ndaj mëmëdheut dhe familjeve të tyre. Po kur do të përfundojë e gjithë kjo, sidomos në një kohë kur mjetet për të komunikuar janë të gjithanshme?
Zhvillimi i ngjarjeve të tilla dukej i pamundur për shumë nga ne, por fatkeqësisht konfliktet ndodhin me të njëjtin ritëm edhe kur bota nuk fliste me kaq shumë mjete. Por pse kanë shkuar gjërat kaq larg, sa duket se jemi gjithë kohën në prag të luftës së re botërore? Si ka mundësi, që pavarësisht progresit dhe historisë, që duhet të na mësojë të mos i përsërisim gabimet e së shkuarës, jemi sërish në këtë pikë?
Sociologu dhe filozofi polako-hebre, Zigmunt Bauman, ka folur shumë herë mbi natyrën e paqes dhe konfliktit. Fjalët e tij mbi këtë çështje, mund të hedhin më shumë dritë mbi dyshimet tona, dhe t’u japin përgjigje pyetjeve tona lidhur me atë që ndodh sot në zemër të konflikteve. Dhe ndër më kryesoret, mbetet ajo pyetje që lidhjet me mënyrën se si ne si shoqëri do të shikojmë këtë konflikt, këto luftëra. Pra, nëse ne i shohim si “çmenduri individuale” apo “klithje të çastit”, atëherë rrezikojmë të luajmë rolin e strucit në atë që ndodh realisht në një konflikt, duke mos analizuar realisht origjinën e konfliktit dhe gjetjen e zgjidhjeve.
Bauman, duke ndriçuar këtë këndvështrim në çështjen e Holokausit, duket se ka dhënë zgjidhje edhe për drejtuesit e sotëm të Izraelit, apo edhe për mbështetësit e Putinit në Rusi, apo ish-pasuesit e Millosheviçit në Beograd, që të mos gjejnë shkaqe për të justifikuar luftën, por të bëjnë gjithçka për paqen, për ujdinë, për atë që mbetet arti më i fuqishëm njerëzor. Bashkë me mesazhin, këto emra që drejtojnë politikën e vendeve të tyre, thirrja e Baumanit më shumë duket se u shkon shoqërive për të mos jetuar nën petkun e indiferencës, një petk që ka sjellë jo pak herë dëme edhe më të mëdha sesa ata që kanë shkaktuar luftërat.
Beteja në ndarjen “ne” dhe “ata”
Nëse mendojmë se një etnitet tjetër njerëzish nuk janë “ne”, gjithçka duket gati të shkasë në urrejtje apo përplasje. Nëse distanca “ne” dhe ata” vjen e bëhet e madhe, hyn në lojë “Shekspiri”, duke sjellë një tragjedi që ka si justifikim vetëpërcaktimin tonë, e njëkohësisht mundësinë e pafundme të keqkuptimit.
Ky kurth i madh mes ‘ne” dhe “ata”, sjell më pas edhe përemra të tjerë që tregojnë armiqësi. Dallimi bëhet më i fortë në situatën posmoderne të “të vërtetave personale”, ku thellohen dallimet me një entitet tjetër njerëzish që nuk është “ne”. Në një situatë të tillë vendosen edhe më shumë mure, duke shembur konceptin e mbështetur në besimet fetare ku “ne” dhe “ata” nuk mund të ekzistojë pa tjetrin.
Sipas sociologëve, gjuha e atyre që e shohin vetveten përmes kontrastit me tjetrin, duket se ka nevojë për konfliktin që ta përcaktojnë veten. Prandaj historia është plot me ngjarje luftarake dhe dhunë. Ndoshta këto përballje duhet të zgjojnë një debat të ri, për të frenuar gjuhën diskriminuese të atyre që shohin veten si “ne” përballë “atyre”.
Por, a jemi sot të gatshëm, përballë gjuhës së urrejtjes dhe të linçimit, të zgjerojmë mundësinë e jetesës si “ne” dhe të mos e identifikojmë tjetrin si të huaj për grupin njerëzor. “Të gjitha etapat dhe fazat që kanë ndodhur në historinë e njerëzimit, kanë pasur një emërues të përbashkët: ato janë karakterizuar nga përfshirja nga njëra anë dhe përjashtimi nga ana tjetër, në të cilat ka pasur një identifikim të ndërsjellë, përmes përfshirjes dhe përjashtimit”, shkruan Bauman, duke shtuar se ne të gjithë jemi të varur nga njëri-tjetri. “Por as që kemi filluar të zhvillojmë një vetëdije kozmopolitane. Dhe ne e menaxhojmë këtë moment me mjetet e të parëve tanë… Ky është një kurth, një sfidë me te cilën duhet të përballemi”, shkruan Bauman.
A do e ndalim “gjenocidin gjuhësor”?
Sipas historianëve dhe analistëve të konflikteve, objektivi i gjenocidit arrihet nëse vëllimi i dhunës ka qenë i mjaftueshëm për të shkatërruar vullnetin e viktimave dhe që i ka bërë ata që kundrejt terrorit t’i dorëzohen fuqisë sipërore e të pranojnë rendin e imponuar dhe, e dyta, grupi i shënjestruar privohet nga burimet e nevojshme për vazhdimin e përpjekjes.
Por sot, nëse një pjesë e mirë e botës është në krah të Ukrainës dhe i mohon aludimet e Putinit se e nisi luftën për të shmangur qëndrimet naziskine të udhëheqjes në Ukrainë, në Palestinë qëndrimet janë më pak të lexueshme nga politika. Ky qëndrim, në një proporcion të zhdrejtë me realitetin e dy konflikteve është pikërisht pasojë e gjuhës me të cilën i referohemi asaj që ndodh. P.sh., për shumë nga analistët e luftës duket sikur gjithçka e ligë në Palestinë ka nisur më 7 tetor 2023, dhe kjo justifikon gjithçka që ndodh në terren. Por, edhe pse ajo ishte një ngjarje tronditëse, e dënueshme, sërish nuk mundet ta veçosh nga historia, e për më tepër, të justifikosh kalimin e kufirit ndaj të pafajshmëve, ashtu siç e njeh edhe vetë Kodi i Luftës marrëdhënien me civilët.
Për ne shqiptarët, të përballur me gjenocidin e bashkëqytetarëve tanë në Kosëvë, si rasti i Reçakut dhe i dhjetra rasteve të dokumentuara atje, apo rasti i Srebenicës në Bosnjë, kjo çështje duhej të kalonte në një ndjeshmëri të fortë qëndrimesh, duke konsideruar edhe më shumë fuqinë që ka kuptueshmëria e fjalës “ne”, pa patur asnjë synim të ngrejë mure për “ata” dhe as të mendojë se si të prishë urat për të shkuar drejt “atyre”.
Pra, ne sot kemi si sfidë të fortë “gjenocidin gjuhësor”, një gjencocid që bart aq shumë eksplozivë urrejteje, e për pasojë, mbetet edhe një hambar përplasjesh që nuk përjashtojnë konflikte të forta. Në mos kemi ne sy ta shohim, mjafton shqetësimi i pandërprerë ndërkombëtar, që e sheh Ballkanin me një këmbë në konfliktet e së shkuarës së 20-30 viteve më parë.