Dhjetor 1999, Prishtinë
Menjëherë pas lufte, ndërsa një ditë po hyja te berberi, sapo u ula të prisja radhën, ustai e kuptoi se isha nga Tirana dhe për 15 minuta derdhi tek unë gjithë vrerin për shqiptarët e Shqipërisë: “Shkatërruat shtetin tuaj... i vetmi vend me banditë me maska në Evropë... të korruptuar deri në ADN, etj., etj.” Por kur dikush shtoi një kritikë tjetër me gjysmë të qeshure, berberi përplasi gërshërët në banak dhe iu kthye sharësit kërcënueshëm: “Kërkush nuk guxon me sha Shqipninë te unë! Unë e shaj se më dhemb zemra. Ti po deshe, shko shaje n’shpi tande! Tek unë s’guxon!”
Ky ishte episodi i freskët i një dashurie shpesh të pakthyer që i kishte rrënjët tek ëndrra shekullore e më pas idealizimi që shqiptarët e Kosovës i bënin raketave prej kartoni dhe tankeve prej llamarine të ushtrisë komuniste shqiptare.
Kosova e ka dashur dhe vazhdon ta dojë Shqipërinë, pothuajse po aq sa Shqipëria do Amerikën. Kurse Shqipëria e ka zbuluar dashurinë për Kosovën relativisht më vonë. Kjo dashuri, që sot ka fytyrën e Lorik Canës, Dua Lipës, Petrit Çarkaxhisë e shumë të tjerëve si këta, në fakt u ngjiz në shkulmat e dramës së eksodit masiv të kosovarëve në Shqipëri më 1999. Ishte koha kur u njohëm. Kosovarët e dëbuar prej shtëpive të tyre na dhanë mundësinë të zbulojmë te vetja - ne shqiptarët e Shqipërisë - pjesën tonë më të mirë e më njerëzore.
Por dashuria, tashmë (për shumicën) e ndërsjellë është pothuajse vetëm shpirtërore. Fillimisht, u deshën 22 vjet që Kosova dhe Shqipëria ta lehtësonin qarkullimin e makinave në kufirin për të cilin të gjithë ende pyesin veten se përse ekziston. Mund të shkosh nga Dubrovniku dalmat në Granadën andaluze pa e kuptuar se ku kanë qenë kufinjtë e dikushëm, por ama e ndjen shumë qartë - fatmirësisht sot më pak sesa 2 vjet përpara - kufirin humoristik Kosovë-Shqipëri.
Kryeministrat përkatës as nuk përpiqen të fshehin qëndrimin aspak miqësor ndaj njeri-tjetrit. Kurti duket aspak i kënaqur me politikat e Ramës dhe po aq pak i gatshëm të pranojë, qoftë edhe si hije dyshimi, ndonjë ndikim të Shqipërisë në qëndrimet e tij relativisht të forta në marrëdhëniet me partnerët perëndimorë. Rama, nga ana e tij, pa asnjë kosto, por plot ambicie, synon të fitojë pikë si nxënësi i mirë i partnerëve dhe ku të mundet rreket edhe të fusë kokën në foton e historibërjes rajonale njësoj si ai karkaleci që e ftonte shokun e tij elefant të shihte se si dridhej ura nën këmbët e tyre. Dhe natyrisht ka një pikë kur këta dy vektorë përplasen.
Kurti e ka patur ndoshta seriozisht idenë e bashkimit kombëtar, tani të braktisur me argumentin se nuk ia lejon kushtetuta, por gjithsesi duket se paralelisht me bashkimin kishte gjetur edhe profetin që do ta realizonte e mbi të gjitha drejtonte: veten. Por tashmë kjo është një ëndërr e tejkaluar. Kapitali nacionalist apo patriotik i pushtetit ka treguar vazhdimisht e në rritje prirjen e lokalizimit në dy njësitë e ndara shtetërore, pavarësisht se Kurti nuk ngurroi të provojë të hapë dyqanin e tij jo dhe aq konkurrues në merkaton e fundit zgjedhore parlamentare në Shqipëri.
Më e keqja e të gjithave: shkëmbimet ekonomike mes dy shteteve shqiptare janë më të vështira sesa me vendet e tjera fqinje. Shenjat e proteksionizmit nuk mungojnë dhe me shumë gjasa as ato të ndikimit lobist të grupeve të fuqishme ekonomike nga të dy anët. Ai që vuan pasojat është konsumatori në Shqipëri e Kosovë, ndërsa ata që duhet të skuqen janë Rama e Kurti, të dy me të gjithë pushtetin e duhur për t’i shndërruar doganat në muze papërgjegjshmërie kombëtare.
Kufinjtë qesharakë me doganat e papërgjegjshme u kanë ngecur në dorë politikanëve si derri maç. Duket se shqiptarët në të dy anët e kufirit janë të paktën disa dhjetëvjeçarë përpara qeverive të tyre. Këtë dështim nuk e fshehin dot as 22.00 vetë që dridhin stadiumin tashmë pa emër të Tiranës me thirrjet “O sa mirë me qenë shqiptar!”