AGIM BACI

Rama-Kurti, marrëdhënie “siç e do hasmi”

Pavarësisht himnit që këndohet njëlloj në të dy anët, ajo që tregon se marrëdhëniet reale Shqipëri-Kosovë janë në vendnumëro, e tregon ekonomia. Një analizë e detajuar e revistës me profil të qartë ekonomik, “Monitor”, veçoi në numrin e saj të fundit (dhjetor 2024) se, sipas projeksioneve ekonomike,

Pavarësisht himnit që këndohet njëlloj në të dy anët, ajo që tregon se marrëdhëniet reale Shqipëri-Kosovë janë në vendnumëro, e tregon ekonomia. Një analizë e detajuar e revistës me profil të qartë ekonomik, “Monitor”, veçoi në numrin e saj të fundit (dhjetor 2024) se, sipas  projeksioneve ekonomike, PBB-ja e të dy vendeve, Shqipëri-Kosovë pritet të arrijnë një vlerë prej 33 miliardë eurosh, shumë kjo sa 24% e PBB-së së pritshme të Rajonit, ndërkohë që Serbia e vetme pritet të zërë 45% të PBB-së së 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihen edhe Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnja.

Pse ky zhvillim “në vend-numëro”?

Sipas ekspertëve të ekonomisë, as Shqipëria e as Kosova nuk janë duke i shfrytëzuar potencialet për bashkëpunim, në mënyrë që të bëhen konkurruese dhe të rrisin mirëqenien e qytetarëve të tyre. Goditja e parë për mbetjen në vendnumëro të dy ekonomive është mungesa e një politike nga të dy qeveritë për të frenuar emigracionin, pasi as Tirana e as Prishtina nuk kanë projektuar politika tërheqëse për të rinjtë që të besojnë të ardhmen në këtë hapësirë.

Sipas “Monitor”, përgjithësisht, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar rënie të popullsisë që kur u shemb regjimi komunist në vitin 1990. Gjatë dekadës së fundit, popullata shqiptare e dy shteteve ka pësuar rënie të fortë për shkak të uljes së lindjeve dhe emigracionit të lartë. Rënie ka edhe në të gjithë rajonin të numrit të popullsisë, por ky fenomen ka qenë më i dukshëm në Shqipëri dhe në Kosovë, duke bërë që popullsia e dy vendeve, mes viteve 2011-2024 të pësojë rënie me 15% në Shqipëri dhe 12% në Kosovë.

Por, të dhënat tregojnë se, Shqipëria dhe Kosova jo vetëm që nuk kanë integrimin e pritshëm në rajon, por gjithashtu janë më pak se sa vendet e tjera të integruara në zinxhirin e vlerës së tregut global. Kjo edhe për faktin se politikat ekonomike kanë ndryshuar.

Kalimi nga ekonomitë bujqësore në ekonomi e varur nga shërbimet dhe industria globale ka ndryshuar edhe renditjen e sektorëve të rëndësishëm në gjithë Ballkanin Perëndimor. Sipas ekspertëve, vetëm në Shqipëri struktura e ekonomisë dominohet nga bujqësia, e cila një vit më parë zinte 18% të PBB-së. Në Kosovë, Maqedoni e Veriut e Malin e Zi, Bujqësia zë 7% të PBB-së, ndërsa në Bosnjë është më pak se 5%.

Por, nëse Shqipëria vijon të ketë në rajon dominimin më të lartë ekonomisë bujqësore, importet në këtë fushë vijojnë të jenë më të larta se eksportet. Gjithashtu, ajo që veçon ekonomitë e dy vendeve është fakti se kanë varësi të lartë nga ndërtimi, i cili nuk sjell produktivitet në afat të gjatë.

Ekspertët e ekonomisë në Shqipëri e Kosovë, sipas “Monitor” ngrenë alarmin se të dyja qeveritë kanë bërë shumë pak në aspektin e zhvillimit ekonomik. Kështu, eskpertët si Mustafë Kadriaj nga Universiteti i Prishtinës, dhe Selami Xhepa nga UET, tregojnë se vlera e ulët e punës është një pengesë serioze në çështjen e zhvillimit. Këtë e tregon edhe fakti ku mbi 40 % e popullsisë jeton në kushte varfërie. Ndërsa eksperti nga Kosova, Safet Gërxhalliu, shprehet hapur se politika ka dështuar të bashkojë ekonominë. “Të mos merremi me arsyet pse ky bashkëpunim mungon, por të ulemi të gjejmë zgjidhjet”, propozon ai. Grupet e ekspertëve duhet të ulen dhe të hartojnë një program të përbashkët, ku në themel të jetë harmonizimi i taksave dhe tatimeve, njësimi i programeve arsimore, politikat e zhvillimit në shërbim të tregut të përbashkët dhe më pas qeveritë në të dy anët ta kenë në krye të agjendës”, thotë ai.

Rama-Kurti, marrëdhënie “siç e do hasmi”

Mbledhja e 15-të mes Tiranës dhe Prishtinës zyrtare u bë në korrik të vitit 2023 në Shkodër. Pas këtij takimi nuk ka pasur më asnjë takim tjetër, duke lënë në fuqi atë që shihet si “lufta e ftohtë” mes Ramës e Kurtit, të cilët fare hapur e shmangin praninë e njëri-tjetrit, ose replikojnë në distancë. Projektet e përbashkëta infrastrukturore, si rrugët dhe hekurudhat, për të lidhur më mirë dy vendet dhe për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave, si dhe zhvillimin e turizmit dhe krijimin e mundësive për të promovuar më shumë bashkëpunimin në këtë sektor, janë tashmë më së shumti në letër.

Por debati që la frakturën më të fortë në marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë ishte qëndrimi krejt i kundërt mes Ramës dhe Kurtit për “Ballkanin e hapur”. Refuzimi i hapur i Kurtit ndaj këtij projekti dhe këmbëngulja e Ramës për të ulur Kosovën në të njëjtën tryezë me Vuçiçin për të debatuar projektet e ardhshme, u mbyll vetëm pas takimit në Tiranë verën e shkuar, kur u rikthye sërish “Procesi i Berlinit”, një proces i iniciuar nga ish-kancelaria Merkel në vitin 2014. Madje, Rama, kohë më parë pati prezantuar edhe “një zarf të mbyllur propozimesh” për zgjidhje të krizës, një “zarf” që u hodhën poshtë nga Prishtina.

Ndërkaq, edhe përse ka kaluar mbi një vit që “Ballkani i hapur” nuk është më në agjendë, refuzimi i Kurtit ndaj Ramës vijon të jetë po aq i fortë sa në fillim. Mes tyre takimet kanë qenë të brishta, ndërkohë që Kurti është sulmuar vazhdimisht si “moskuptuesi i amerikanizmit” në Kosovë. Dhe sulmuesit më të fortë të Kurtit, për ironi, janë edhe mbrojtësit më të fortë të Ramës në Tiranë… Pra, thënë fare hapur, Rama e Kurti i kanë marrëdhëniet fiks siç i do… hasmi.

Prishtinë-Tiranë, konfliktin e ndezin dhe artistët

Aktori i humorit Osman Azemi ishte vetëm një nga ata që rrezikoi këtë verë një hendek të ri mes Tiranës e Prishtinës, teksa deklaroi “se Shqipëria ka xhelozi ndaj Kosovës për shkak se nuk ka një Rita Ora, Dua Lipa, Majlinda Kelmendi, Xherdan Shaqiri apo edhe reperë e sportistë të tjerë”. Kaq mjaftoi që të ndizej debati në rrjete sociale. Mes ndasive që kanë reperët, aktorët, sportistët dhe televizionet. Azemi e çoi më tej këtë deklaratë kur shtoi se “Shqipëria na trajton si krahinë”, duke nënkuptuar këtu shpesh një nënvlerësim, siç e quan ai shmangien e dhënies normale të çmimeve në Tiranë për atë çfarë vjen të prezantohet nga Kosova.

Idetë e hedhura nga aktori i humorit mund të ndiznin një përplasje serioze, siç nisi në rrjetet sociale, por fatmirësisht, deklaratat e tij u injoruan.

Përplasja më e fundit mes elitës së Prishtinës dhe Tiranës ishte disa vite më parë lidhur me fjalorin e përbashkët të gjuhës. Mbrojtësit më të flaktë të gegnishtes, vijojnë ta shohin si një refuzim nga “Tirana zyrtare” futjen edhe më shumë të gegnishtes “në letraren e përditshme”.  Por prezantimi i fjalorit të ri më 22 Nëntor, Ditën e Alfabetit, në një takim të përbashkët akademik në Tiranë, duket se mbylli dhe kapitullin e përballjeve lidhur me “genishten” dhe “toskërishten” e debatuar.  

Sfida që na pret

Tani kur bota është përfshirë në pasiguri nga luftërat, shtete të vogla, të tilla si Shqipëria dhe Kosova, do të duhen të bashkohen në tregje, më shumë si nevojë emergjente për mbijetesë, se sa për dëshirë patriotike. Ky bashkim vlen padyshim edhe në rrafshin kulturor, duke nisur nga ajo që na duhet të mendojmë për të udhëtuar bashkërisht. E nëse politika është ende disa hapa pas për të bërë të mundur këtë bashkudhëtim të qetë, qytetarët e thjeshtë në të dy anët e “kufirit pa mure”, kanë nisur të krijojnë familje të përbashkëta, të cilët kanë si pasardhës ata që nuk do përmendin as Tiranën e as Prishtinën, por vetëm togfjalëshin- Jemi shqiptarë!

të ngjashme