Redi Shehu

Aktivizëm apo Like-tivizëm dhe Twitt-tivizëm?

Të gjithë jemi dëshmitarë të një kohe që është e mbushur me organizime njerëzish nga të katër anët e botës, të cilët zënë sheshe e rrugë në qindra mjiëra, e në disa raste miliona, duke protestuar për kauza te ndryshme. Madje ka pasur organizime të tilla protestuese që kanë arritur të prekin deri ne 2.600 qytete gjithandej, siç ishte rasti i “Occupyy Wall Street”, apo protesta si ajo e “Pranverës Arabe”, që përfshiu shtete të tëra nga Magrebi deri në Lindjen e Mesme.

Të gjithë jemi dëshmitarë të një kohe që është e mbushur me organizime njerëzish nga të katër anët e botës, të cilët zënë sheshe e rrugë në qindra mjiëra, e në disa raste miliona, duke protestuar për kauza te ndryshme. Madje ka pasur organizime të tilla protestuese që kanë arritur të prekin deri ne 2.600 qytete gjithandej, siç ishte rasti i “Occupyy Wall Street”, apo protesta si ajo e “Pranverës Arabe”, që përfshiu shtete të tëra nga Magrebi deri në Lindjen e Mesme. Marrëdhënia e njerëzve me realitetin që i rrethton, bazohet në mënyrën se si ata e përceptojnë këtë realitet. Sot, gjen njerëz të cilët bëjnë jetë të përditshme së bashku në lagje, punë, institucione, rrugë, ambiente publike, të cilët duken të ngjashëm në atë që bëjnë, por papritmas, i gjen të ndarë në një situatë të caktuar me qëndrime krejt të kundërta. Atëhere, përse disa njerëz protestojnë, kur disa të tjerë nuk e bëjnë një gjë të tillë? Qëniet njerëzore reagojnë ndaj botës që i rrethon nga mënyra se si ata e përjetojnë atë. Pra, njerëzit kanë përjetime të ndryshme për të njëjtën situatë, që do të thotë se përceptimi i tyre për një ngjarje të caktuar ndryshon në grupime sociale të ndryshme. Për këtë, ajo pjesë e cila e përcepton ndryshimin e realitetit përmes të protesturit, aktivizon revoltën, të cilën  sociologë të ndryshëm e kanë quajtur “ngjarje fotogjenike” që tërheq vëmendjen e medias nga ana vizive, por që në pak raste sjell ndryshime thelbësore sociale dhe politike.

Si ka mundësi atëhere që ka kaq shumë njerëz të motivuar që protestojnë, dhe në fund arrijnë kaq pak rezultate? Në dimrin e vitit 2003, të gjitha kryeqytetet e botës protestuan kundra luftës në Irak, por ato protesta nuk e penguan fare atë. Pothuaj një dekade më vonë, qytete të tëra në të gjithë globin u përfshinë në protestën “Occupy Wall Street”, pa sjellur ndryshimet për të cilat ajo u nis. Në 2014-tën e gjithë Sh.B.A u përfshi në protestën kundra keqtrajtimit të njerëzve me ngjyre, “Black Lives Matters”, por përveç disa masave sipërfaqësore, jeta dhe siguria e këtyre njerëzve përsëri vlen më pak. Pas fitores se  Donald Trump në zgjedhjet amerikane, në Janar te 2017-tës, pak para se të fillonte punë në zyrën e tij, një protestë e cila përfshiu 700 qytete anembanë u quajt “Women’s March” e frymëzuar kundra fyerjes dhe diskriminimit të grave nga ana e Trump, nuk e pengoi këtë të fundit të hynte në zyrën ovale. Me qindra e mijëra protesta të cilat, si zona vullkanike shpërthejnë në të gjithë globin, japin aq shumë energji, por marrin aq pak rezultate saqë i bëjnë njerëzit të mendojnë seriozisht se diçka nuk shkon mirë me efikasitetin e tyre.

Ka një ndryshim mes mënyrës tradicionale se si janë organizuar njerëzit për të protestuar dhe mënyrës moderne të teknmologjizimit të protestës, shkruan Zeyneb Tufekci nga Qëndra për Informim dhe Teknologji e Universitetit të Princeton-it. Gjatë protestave moderne, -thotë ajo- një motor i fuqishëm politik merr udhë në rrugët e shumë qyteteve duke prodhuar shumë energji politike. Por, ky motor ngelet i pa lidhur me rrotat, kështu që, e gjithë kjo energji e prodhuar prej tij, e bën “lëvizjen” të palëvizshme. Problemi është se sot ne kemi faktorë të rinj të cilat quhen rrjete sociale. Ato janë njëkohësisht posedues te dy tipareve, i lehtësimit të  dhënies udhë të “motorit politik”, për të cilin flet Tufekci, por nga ana tjetër, të minimit apo sabotimit të punës dhe energjisë që ky motor social prodhon.

Përse njerëzit protestojnë?

Pra, njerëz të ndryshëm të përkatësive të ndryshme në vende të ndryshme, përshkohen të gjithë se bashku nga një ide e njëjtë, ajo e sakrifikimit të jetës së rehatshme të përditshmërisë, të rutinës dhe trafikut të interesave, në drejtim të pasigurisë dhe pështjellimit që protestat sjellin në një shoqëri. Kjo, për shkak të një ideali apo kauze e cila kthehet në motivin superior në raportet me të gjitha motivet e tjera personale që i përshkojnë individët. Ky shkak superior përbëhet prej proçeseve mikro individuale të cilat transformohen në një poroçes makro dakortësimi mbi situatën. Pakënaqësitë dhe zemërimi individual, shndërrohet në pakënaqësi dhe zemërim grupor, pastaj komunitar dhe shpërthen pastaj në rrugë si “motor politik” i gatshëm për të sjellë ndryshimet e kërkuara.

Të shumta janë arsyet se pse njerëzit protestojnë, por sipas shumë teoricientëve, një protestues që të ketë të njëjtën sjellje me të tjerët duhet që të përshkohet nga një ndjenjë e përbashkët e zemëratës për padrejtësinë apo mungesën e të drejtav që i takojnë. Vërtët në thelbin e çdo proteste qëndron zemërata ndaj padrejtësisë e cila mund të shfaqet në qindra përthyerje në shoqëri te ndryshme. Shkalla e këtij zemërimi përcakton edhe mundësinë e protestës. Sa më të bindur të jenë pjesmarrësit që protesta e tyre do të jetë e suksesshme dhe efikase, aq më shumë gjasa ka që masiviteti i saj të jetë i dukshëm. Mirëpo, zemërata që përshkon grumbullimet, ka nevojë që të shndërrohet në kauzë, në motivin superior që do ta furnizonte me energji protestën. Për ta bërë këtë, ka nevojë për një identitet kolektiv i cili lidh njerëzit në një përkatësi të njëjtë pa të cilën çdo lëvizje do ishte e pamundur. Nëse identiteti kolektiv i një mase njerëzish, apo ”identiteti social” siç John Turner evidentonte,  spikat mbi identitetitet personale të tyre, atëhere ky grumbullim njerëzish priret të vetpërkufizohet bazuar mbi dallimet që ka me të tjerët, dhe ky vetpërkufizim i bën individët protestues të ndajnë të njëjta simbole dhe vlera, e në fund të veprojnë si pjestarë të një grupimi, të cilat nga sjellje personale transformohen në sjellje kolektive protestuese duke shkuar kështu drejt një fati të përbashkët.

Sa më shumë  individi identifikohet me grupin, pra sa më shumë ai zhvendoset nga “une” ne “ne”, aq më shumë merr përparësi pesha e grupimit, dhe pjesmarrja, të sjellurit, të folurit në emër të tij, kthehet pothuaj në një detyrë për secilin. Kështu, zemërata e përbashkët së bashku me identitetin kolektiv të grupimit, transfomohen në një aksion kolektiv që përshkohen nga emocioni politik si kurorëzim i saj por edhe si përforcim i identitetit politik të mëparshëm në kërkim të një triumfi ndaj padrejtësisë sociale dhe përmirësimi të situatës.

Po atëhere, përse në mënyrë të çuditshme grupet protestuese vazhdojnë të sillen si të tilla, në qindra prej tyre në të katër anët e globit, edhe kur rezultatet pozitive mungojnë? Identiteti kolektiv edhe pse në shumë protesta botërore që kemi parë, ka qenë i përmasave historike, por ama përsëri protestat nuk i kanë ndryshuar gjërat. Ato, në fakt, kanë vërtetuar hendekun e madh që ekziston mes identitetit kolektiv të protestuesve dhe establishmentit politik, çka indirekt flet për një problem të theksuar në filozofinë e përfaqësimit dhe konceptin e demokracisë sot. Insistimi i protestave, ka çuar në suksese të pjesëshme ose minimale, por nga ana tjetër ka rritur solidaritetin dhe ka modifikuar mjetet dhe praktikat për ta arritur një gjë të tillë.

Frika që ndjehet është se mos protestat e sotme po shndërrohen nga mjete shumë efikase për ndryshime politike, në mjete po aq efikase të cilat po ndryshojnë identitetet kolektive, pra vetë protestuesit. Përse sot edhe pse kemi forma organizimi me fuqinë e mediave sociale, përsëri protestat humbin energji dhe “motori poltik” mbetet përsëri i pa lidhur me rrotat ?

Protesta dixhitale dhe koreografia e turmave

Është e vërtetë se teknologjizimi i jetës së njerëzve sot, përveç shumë lehtësirave që ka ofruar në jetën e përditshme, në mënyrë të ngjashme ka prodhuar lehtësira në organizimin e mënyrës se si njerëzit e përceptojnë realitetin e tyre. Pra, me pak fjalë, ka organizuar vetëdijet e njerëzve rreth të kuptuarit të përbashkët të gjërave. Në të njëjtën mënyrë, ka bërë gjithashtu që informimi të jetë më i vlefshëm në kohë të njëjtë për një shqetësim të njëjtë, duke çuar përceptimin, në rastin e protestave, në kërkim të një destinacioni. Mirëpo, vërtet teknologjia shkakton lehtësira në organimin e ndërgjegjes qytetare, për t’u kurorëzuar pastaj në një reagim popullor me një motiv superior ndaj realitetit sfidues. Por ama, e njëjta teknologji përdoret nga ana tjetër e pushtetit, për të shtypur, atrofizuar, devijuar dhe keqpërdorur këtë manifestim. Pra, roli mobilizues i mediave sociale nuk shtrihet vetëm në anën e atyre të cilat duan të protestojnë, por edhe në anën e pushteteve të cilat mobilizohen për t’i dështuar përpjekje të tilla publike.

Ky efekt, që teknologjia e komunikimit masiv ka mbi shoqërinë, bën që rrjetet sociale të marrin tashmë një funksion i cili nuk kufizohet vetëm me shpërfaqjen e miliona mendimeve, përshtypjeve apo qëndrimeve individuale. Ato shërbejnë mbi të gjitha për t’i dhënë formë këtyre mendimeve përmes veprimit apo organizmit, duke kulmuar me mënyrën së si njerëzit bashkohen drejt asaj që shpesh është quajtur si “koreografia e veprimit kolektiv”. Në fakt, administratorët llogarive të ndryshme në facebook, apo rrjeteve të tjera sociale, janë koreografët e vërtetë të ndërtimit të një proteste, janë ata që i japin formë teatralitetit me të cilin një organizim popullor merr udhë, janë “liderët dixhitalë” që nxisin e frymëzojnë motorrin politik që derdhet rrugëve e shesheve të qëndrave kryesore urbane. Kjo ka bërë që, ashtu siç Alec Ross, këshillari i Hillary Clinton thoshte, hierarkitë tradicionale të njohura më parë, të sheshohen tashmë në një platormë të përbashkët ekzekutimi, ku njerëzit dikur, në majë të organizmeve ta gjejnë veten të përfshirë, për shkak të rrjeteve sociale, në një “ne” pa lider dhe funksion. Për më tepër, smartfonët dhe mediat sociale mundet vërtet ta bëjnë të lehtë organizimin e një proteste brënda pak orëve, sipërmarrje që kohë më parë do të duheshin javë të tëra, por ama, këto rrjete i kanë dhënë protestave më shumë tis imazhi, ku rëndësi tashmë ka numri i pjesmarrëvje se sa rezultati efektiv i tyre. Prandaj, shpesh gëlojnë pyetje të tipit : A janë sot protestat mjete efikase për të shkaktuar aksione politike, apo thjesht shërbejnë si “teatër social” që na vetpërmbush, na kënaq, na bën të ndjehemi të shumtë, por, pa cilësi dhe me rezultate të pakta politike?

Evgenyi Morozov, një ndër studiuesit emimentë bashkëkohor rreth impaktit social dhe politik që teknologjia ka tek njerëzit, mbron idenë se rendja e njerëzve pas aktivizmit teknologjik, pas like-ve, apo twitter-ave i ka bërë ata që të ndjehen mirë dhe të vetplotësuar, duke u mjaftuar me një aktivizëm dixhital. Një tip aktivizmi i cili të krijon iluzionin e një ndikimi masiv thjesht duke u bërë pjesë i një grupi në rrjetet sociale por pa pasur realisht rezultate konkrete dhe zero ndikim politik në terren. Për më tepër Morozov ndalet tek një paradoks që ekziston me rrjetet socile, të cilat sipas tij janë krijuar me qëllim zbavitjeje dhe si të tilla nuk kanë kapacitetin për të konkretizuar me sukses një lëvizje social-politike tek njerëzit.

Nënvlerësimi i idealit dhe rolit fisnik që i bashkon njerëzit në një protestë, nënvlerësimi i kontaktit fizik dhe organizimit fizik që aktivizmi i pastër dikur ndikonte tek njerëzit, roli i madh i identiteteve njerëzore dhe emocioneve të përcjella ndër ta gjatë proçesit të mobilizimit, i sensit të të qënurit bashkë, është zëvendësuar në Like-tivizëm dhe Twitt-tivizm. Po t’i shtojmë kësaj edhe faktin se ideologjia neoliberale, e cila nuk ka besin tek një frymë e përbashkët që mund t’i mbledhe njerëzit e individualizuar si “une” të izoluara drejt një organizimi protestues, i turret teknologjisë si e vetmja rrugë, si një mrekulli e cila do t’i bëjë bashkë njerëzit. Po, kjo edhe mundet. Ajo mund  t’i bëjë bashkë njerëzit dhe t’i kthejë ato nga “une të izoluara” në bashkime fizike si pasoje e rrjeteve sociale, por ama, sjell njerëz që shpesh përshkohen jo nga një motiv superior i qënësishëm dhe nga një emocion që kthehet në një ideal të papërkulshëm.

Protestat, gjithmonë, në çdo kohë, kanë synuar të jënë në qëndër të vëmendjes. Për këtë, atyre (protestave) u duhen sheshet qëndrore, si skena në të cilën duhet që teatri i protestës të aktualizohet. Sheshet dhe grumbullimet, janë parë si zgjidhje perfekte për të tërhequr vëmendjen e politikës dhe të gjithë shoqërisë, janë parë si konstruksione simbolike, si podiume ku motivi superior i tyre të dominonte hapësirën publike Si të gjitha protestat botërore, edhe protestat e studenteve tek ne, synuan rrugët dhe sheshet kryesore pikërisht për të tërhequr vëmendje. Ato u shquan për një “koreografi” proteste e cila cilësisht ishte më e natyrshme se ajo e protestave të parafabrikuara partiake. Individualizmi ishte më i spikatur për shkak të përdorimit më masiv të rrjeteve sociale.

Është media sociale ajo e cila konfuzon identitetet në proçesin e mobilizimit dhe organizimit të protestës. Identiteti personal dhe ai kolektiv, ndryshojnë në mënyrë fluide gjatë mobilizimit të njerëzve, duke anuar gjithmonë e më tepër drejt këtij të fundit për ta bërë masën protestuese më homogjene dhe duke e transformuar më në fund atë në bashkësinë e “njerëzve autentikë”. Autenticitetit i të cilëve është pikërisht motivi i tyre superior protestues. Gjatë protestës së studentëve, dhjetorin e kaluar në Tiranë, u vërejt, sidomos gjatë fillimit të saj, se identiteti personal i studentëvë anoi nga identiteti kolektiv i tyre që i dha formë protesës deri sa i bëri ata autentikë në raport me pjesën tjetër të shoqërisë. Por çfarë bëjnë rrjetet sociale?  Ata, si mekanizma perfekte për të pasqyruar dhe inkurajuar individualizmin tek njerëzit, në mënyrë të vazhdueshme veprojnë në dy kahje. Nga njëra anë i motivojnë në mobilizim, nga ana tjetër përmes, dhjetra çikërrimave të vetshfaqjes, i tërheqin njerëzit drejt afishimit të dukurive personale, drejt identiteve familjare e përkatisëve individuale duke zhvleftësuar ngadalë identitetin kolektiv që i bashkon ata në një protestë. Studentët e protestave të dhjetorit të kaluar, filluan të dështonin, në pjesën e fundit të saj,  kur u spostuan nga një grup kolektiv, pra nga “njerëz autentikë”, në identitete personale, familjare dhe politike, pra nga “ne”, në “une” të izoluara brwnda njw like-tivizmi tw reduktuar.

Ajo që ndodh shpesh me protestat dixhitale, me koreografine e turmave të cilat mbushin facebook, twitter apo çdo rrjet të komunkimit social, është se qëllimi i masave protestuese spostohet nga ideali i saj drejt tërheqjes së vëmendjes së botës në koreografinë dhe imazhin e turmës më shumë sesa në softin dhe përmbajtjen e saj. Prandaj, protesat moderne sot janë spektakolare, të mahnitshme, plot ngjyra dhe postura individësh që bëjnë gjeste të habitshme, por ama rezultati dhe efekti politik është gjithnjë më i vogël. Kjo, sepse motori politik nuk lidhet dot me rrotat e realitet politik për të vënë në lëvizje ndryshimin e madh që duhetë të vijë.

të ngjashme