Në shkurt të vitit 2008, kur Kosova u shpall e pavarur dhe menjëherë disa prej vendeve më të fuqishme të NATO-s dhe të BE-së e njohën atë, ministri i jashtëm i Francës, Bernard Kushner, dhe ministri i jashtëm i Suedisë, Karl Bild, thanë në një editorial në shtypin ndërkombëtar të botuar ato ditë se pavarësia e Kosovës ishte mënyra e vetme që shqiptarët dhe serbët të mund të jetonin në paqe,
Në shkurt të vitit 2008, kur Kosova u shpall e pavarur dhe menjëherë disa prej vendeve më të fuqishme të NATO-s dhe të BE-së e njohën atë, ministri i jashtëm i Francës, Bernard Kushner, dhe ministri i jashtëm i Suedisë, Karl Bild, thanë në një editorial në shtypin ndërkombëtar të botuar ato ditë se pavarësia e Kosovës ishte mënyra e vetme që shqiptarët dhe serbët të mund të jetonin në paqe, të ndërtonin demokracitë dhe qeverisjet e tyre ku të respektonin liritë themelore të secilit, por kjo do të kërkonte punë kolosale nga të gjithë. Ata i kushtuan një rëndësi shumë të madhe kohës. Koha ishte e pakët. Kur u pyetën në një konferencë shtypi po ato ditë se “pse u nxitua me pavarësinë e Kosovës dhe me njohjet nga vendet e fuqishme të NATO-s dhe SHBA-së dhe pse nuk u ndoq variant i konfliktit palestinezo -izraelit, i cili kishte gati 60 vjet që kërkonte të zgjidhej mes bisedave dypalëshe me ndërmjetësim”, Bernard Kushner iu përgjigj se “ne nuk kemi 60 vite kohë, nuk kemi ku t’i gjejmë 60 vite kohë”.
Kjo është deklaratë monumentale e ministrit të jashtëm të Francës. Ajo tregon se sa e rëndësishme është koha në çështje të tilla kur dinamikat politike, kur rrethanat që kushtëzojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, kur fuqia e shteteve, kur interesat gjeopolitike ndryshojnë shpejt dhe madje mund të bëhen krejtësisht nga momenti për të cilin po flasim.
Komuniteti ndërkombëtar, SHBA-ja, vendet e fuqishme të BE-së, si Britania e Madhe, Franca, Gjermania, e ndaluan me anë të bombardimeve politikën e Serbisë në Kosovë. SHBA dhe vendet e fuqishme drejtuan ose kontrolluan prishjen e Jugosllavisë në mënyrë që shumë popuj të saj të fitonin lirinë dhe të zgjidhnin vetë se si do të orientoheshin politikisht, si do të qeveriseshin dhe nga kush do të qeveriseshin, por e kontrolluan dhe drejtuan prishjen e Jugosllavisë edhe për të dobësuar fuqinë e Serbisë dhe për fuqinë e Rusisë në zhvillimet në Ballkan. Në atë kohë Rusia ishte një vend shumë i dobët, e sapodalë nga shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik, një vend i cili nuk mund të kishte asnjë ndikim serioz në politikën ndërkombëtare, një vend që siç thoshte Eduard Lutvak, një studiues amerikan i politkës së jashtme, nuk paguante dot as oficerët e ushtrisë dhe jo më të kishte fuqi ushtarake apo fuqi shtetërore. Pavarësisht se ishte shumë e dobët vendet e perëndimit, SHBA-ja dhe BE-ja e dinin që Rusia nuk do të ishte ashtu gjithmonë. SHBA-ja dhe vendet e perëndimit e dinin gjithashtu se Rusia, pavarësisht përpjekjeve të perëndimit, nuk do të bëhej një vend demokratik dhe një vend kandidat për të hyrë në BE. Kësisoj ato drejtuan prishjen e Jugosllavisë. Dalja e Kosovës ose çlirimi i Kosovës ishte nga të fundit (vetëm Mali i Zi mbeti pas saj) dhe ishte nga daljet më të dhimbshme së bashku me Bosnjen.
Perëndimi e dinte se me kalimin e kohës, me kalimin e viteve, Rusia do të kthehej tek ambiciet e saj gjeostrategjike, perëndimi e dinte se me kalimin e viteve Rusia do të përpiqej të rriste praninë, rolin dhe ndikimin e saj në Ballkan. Ishte e qartë se në qoftë se nuk do të shpallej pavarësia, ishte e qartë se në qoftë se SHBA-ja, Britania, Franca, Turqia, Gjermania vendet më të fuqishme të NATO-s nuk do ta njihnin pavarësinë, por do të prisnin që mes Serbisë dhe Kosovës të niste një proces bisedimi me ndërmjetësim ndërkombëtar, atëherë sot Serbia do të ishte ajo që qeveriste në Kosovë. UNMIK-u me administratën e vet dhe me administratorin e vet nuk do të kishte asnjë mundësi të çonte Kosovën drejt pavarësisë.
Marrëdhëniet ndërkombëtare, pak a shumë, udhëhiqen ose shpjegohen nga tri shkolla mendimi: Realizmi, Liberalizmi dhe Konstruktivizmi.
Të tria teoritë e konsiderojnë arenën ndërkombëtare një sistem anarkik dhe për këtë ka një dakordësi të gjithanshme. Realistët besojnë se në një sistem anarkik, qëllimi i vetëm i shtetit është të sigurojë mbijetesën (të maksimizojë fuqinë dhe mbrojtjen). Gjërat duhet të shihen siç janë dhe jo siç duam ne që ato të jenë. Kjo do të thotë se secili mjet është i justifikuar. Ndër të parët mendimtarë të kësaj qasjeje është Tukididi dhe, më pas, kemi Hobbes, Morgenthau etj. Mbrojtësit e liberalizmit besojnë se shteti nuk është i vetmi aktor në marrëdhëniet ndërkombëtare, madje aktori më i rëndësishëm janë organizatat ndërkombëtare të cilat mundësojnë bashkëpunimin midis shteteve. Locke dhe Kant janë ndër themeluesit e kësaj mënyre të menduari. Çdo shtet ka interes të bashkëpunojë, sepse fiton më shumë nga ky bashkëpunim. Shtetet duhet të sillen në politikë të jashtme sipas parimeve që duan të ndjekin në politikë të brendshme, pra të mbrojnë vlera të tilla, si: drejtësia, lufta ndaj varfërisë, demokracia etj. Konstruktivistët, me një qasje jokonvencionale, besojnë se anarkinë e bëjnë vetë shtetet. Autorë si Wendt, Katzenstein, Onuf etj., thonë se realiteti ndërkombëtar është konstruksion social, prandaj ata fokusohen më shumë te studimi i identitetit, ligjërimit, medias, elitave, sesa tek fuqia ushtarake ose ekonomike.
Parë nga këndi i secilit prej qasjeve të mësipërme është e qartë se në qoftë se nuk do të kishim “këtë nxitim për shpallje të pavarësisë dhe njohje të kësaj pavarësie” nga vendet e fuqishme të NATO-s, sot do të kishim një gjendje shumë më të rëndë në Kosovë dhe do të kishim me siguri një Kosovë nën Serbi se një Kosovë ku Serbia kishte rol të fuqishëm. Nga këndi që i sheh marrëdhëniet ndërkombëtare në mënyrë realiste kalimi i viteve, duke parë problemet brenda BE-së, duke parë krizën e thellë ekonomike të pas vitit 2008, duke parë agresionet gjeopolitike të Rusisë në Abhazi dhe Oseti, në Krime dhe Ukrainë, duke parë forcimin dhe stabilizimin ekonomik dhe ushtarak të Serbisë do të kishim një situatë të rëndë në Kosovë. Parë nga këndi i liberalizmit do të do shihnim se roli i institucioneve ndërkombëtare si OKB-ja, Këshilli i Europës, Bashkimi Europian do të ishte edhe më i dobët dhe nuk do të ruante asgjë. Madje edhe NATO do të kishte vështirësi të mëdha për shkak të krizave ekonomike dhe problemeve politike të brendshme të vendeve anëtare. Nga këndi tjetër, ai i konstruktivizmit, do të ishte një situatë edhe më e keqe. Në botë sot po fiton gjithnjë e më shumë një gjuhë dhe një ligjërim jodemokratik, një gjuhë dhe një ligjërim që nuk është se kujdeset shumë për liritë dhe për të drejtat e atyre që janë më të dobët.
Mirëpo koha është jetike edhe pasi pavarësia u shpall. Koha është jetike që Kosova të përmbushë çdo detyrim sa më shpejt në mënyrë që ajo të njihet nga Këshilli i Sigurimit dhe nga Serbia. Koha është e pakët, shumë e pakët që Kosova edhe sikur të mos dojë kurrë Kina apo Rusia dhe Serbia të jetë e lidhur ngushtë me garantuesit, me ata që e njohën menjëherë pavarësinë e saj dhe të mos bëjë asgjë që këta garantues (SHBA-ja, Britania, Gjermania, Turqia etj.) i kërkojnë të mos e bëjë. Kalimi i çdo dite e bën më të keqe situatën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Serbia ka zgjedhur një qasje shumë djallëzore. Presidneti Vuçiç dhe qeveria e tij (por është e sigurt se çdo qeveri serbe këtë do të bënte) duan që ta shtyjnë sa më gjatë, me çdo kusht përmbylljen e dialogut me Kosovën, realizmin e detyrimeve të Kosovës, dhe njohjen e Kosovës nga Serbia. Serbia pret që koha të punojë për të dhe ndoshta koha punon më shumë për të. Serbia pret që BE-ja të bëhet më e dobët dhe të mbajë më shumë me të mirë Serbinë, Serbia pret që forcat jodemokratike t’i trazojnë dhe dobësojnë më shumë qeveritë e vendeve të NATO-s dhe BE-së, që forcat nacionaliste të kenë më shumë ndikim. Serbia pret që Rusia dhe Kina të bëhen më të forta ndërkombëtarisht. Serbia pret që ajo vetë të armatoset, të bëhet më e fortë ekonomikisht. Serbia pret që Rusia të ketë më shumë fuqi në Europë dhe në Ballkan. Serbia pret që SHBA-ja të hyjë në një politikë izolacioniste. Serbia pret edhe dështimin e qeverive të Kovës dhe të Shqipërisë t’i afrojnë dhe t’i bëjnë të dyja vendet të sillen si një vend.
Është me të vërtetë një kohë e vështirë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Wolfgang Streek një nga sociologët më të njohur gjermanë sot, ish-drejtor i instiututit Max Plank, në librin e tij “Marrja përsëri në dorë e kontrollit? Shtetet dhe sistemet shtetërore pas globalizmit” thotë se është koha që shtetet të nisin një tërheqje në vetvete, të bëjnë që produktet e tyre të ruajnë vlerën përballë një përhapje shumë të gjerë të globalizmit, është koha që hegjemonët tradicionalë apo organizmat mbi kombëtarë të mos diktojnë më zhvillimet e brendshme të vendeve. Wolfgang Streek nuk është një kundërshtar i BE-së apo NATO-s, përkundrazi ai i ka mbrojtur fort ato, por problemet e brendshme në shumë e shumë vende, thotë ai, janë një arsye që ecet në një drejtim më të kujdesshëm. Streek ka qenë këshilltar kryesor i kancelarit Shrëder. Tani idetë e tij po i ndjek fort Sahra Wagenkncht, e cila është kthyer në një forcë të rëndësishme populiste në Gjermani.
Kudo gjenden sociologë apo politologë që flasin në terma të Wolfgant Streek. Kudo sistemet politike janë në vështirësi. Në këto kushte koha me të vërtetë që është shumë e pakët për Kosovën.
Në vitin 2013 kur Edi Rama u bë kryeministër ai shkoi në Kuvendin e Kosovës dhe mbajti një fjalë që sipas tij përcaktonte trajektoren që ai do të ndiqte. Ai përmendi aty togfjalëshin “kufi i padukshëm” të cilin e mori nga një studiuese letërsie, Lisa Hopkins. Rama tha se do të punonte që mes Kosovës dhe Shqipërisë kufiri të ishte i padukshëm, që do të thotë se bashkëpunimi do të ishte shumë i thellë.
Lisa Hopkins thotë se në folklorin anglez vihen re shumë figura, shumë shprehje gjuhësore, shumë metafora, vihen re peizazhe të shumta, liqene, shtojzovalle. Mes liqeneve, kodrave me bar, shtojzovalleve, pemëve, pyjeve ajo thotë se ka vetëm një kufi të padukshëm. Tërë peizazhi duket një, është i shtrirë në një, është një. Pikërisht këtë duhet të bëjë qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë. Dy vendet janë një popull, janë një gjuhë, janë një histori, janë një kulturë, janë një trashëgimi dhe është shumë e thjeshtë që shkollat, spitalet, librat, diplomat, lejet e biznesit apo çdo akses në burime të ketë të njëjtën vlerë në Podujevë dhe në Sarandë, në Prizren dhe në Lushnjë. Siç është marrëdhënia mes zyrës arsimore të Beratit dhe Ministrisë së Arsimit mund të bëhet edhe mes zyrës arsimore të Gjilanit dhe Ministrisë së Arsimit dhe anasjelltas për Ministrinë e Kosovës dhe një zyrë në Shkodër. Kjo duhet të përfshijë gjithçka deri në limitin më të fundit që lejon realiteti, që lejon procesi jonë i anëtarësimit në BE, etj. Pa këtë kufi të padukshëm Kosova do të ketë shumë të vështirë në kohët që bëhen gjithnjë e më të rrezikshme. Kjo duhet të tejkalojë çdo interes politik të patriotëve apo qeverive në Tiranë dhe Prishtinë. Kur kohët të bëhen më të këqija të dyja vendet, kombi është bashkë, është i shkrirë në një.